Në prag të 16 Qershorit, filluan të realizohen disa projekte në Malishevë

Në vigjilje të 16 Qershorit, Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës, kanë filluar punimet në realizimin e dy projekteve me rëndësi, si dhe një projekt ka përfunduar. Po ashtu gjatë ditës së sotme, po shënohen edhe një varg aktivitetesh, siç janë përkujtime dhe shënime të ditëve të shkollave, aktivitete sportive dhe kulturore-artistike.

Sot, kanë vazhduar punimet në implementimin e njërit prej projekteve më madhore, që ka të bëjë me ujin për pije. Në fshatin Senik, kanë vazhduar punimet për ndërtimin e ujësjellësit, prej ku do të furnizohen 13 fshatra të Komunës së Malishevës. Vazhdimi i realizimit të këtij projekti, financohet nga qeveria zvicerane, dhe implementohet në bashkëpunim me “Hidroregjionin Jugor” dhe Komunën e Malishevës. Në vazhdimin e implementimit të këtij projekti, mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku dhe drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina.

Po ashtu sot, ka filluar ndërtimi i një fabrike për riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave. Në këtë ceremoni, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj me bashkëpunëtorë. Kryetari Begaj, e uroi kompaninë “Princ”, për fillimin e punimeve, ndërsa përfaqësuesit e kësaj kompanie, thanë se “këtu do të bëhet riciklimi dhe asgjësimi i mbeturinave, sipas standardeve ndërkombëtare, pa ndotje në ambient”.

Edhe në çerdhen e fëmijëve, ka përfunduar ndërtimi i rrethojës së çerdhes dhe rregullimi i oborrit të saj.

Kurse në fshatin Carrallukë, përkatësisht në SHFMU “Imer Krasniqi”, është mbajtur dita e kësaj shkolle, e cila mbanë emrin e dëshmorit të parë të Komunës së Malishevës, Imer Krasniqi, i rënë më 16 qershor 1998. Në shënimin e kësaj dite, mori pjesë drejtori i arsimit, Avdi Morina, i cili i ka uruar mësuesit, nxënësit dhe banorët e Carrallukës, me rastin e shënimit të ditës së shkollës.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, do të zhvillohen edhe finalet në turnirin e futbollit “Ibrahim Mazreku”, e që mbahet në kuadër të aktiviteteve sportive, me rastin e shënimit të 16 Qershorit, si dhe do të mbahet edhe një orë e madhe letrare, ku do të publikohen edhe rezultatet e konkursit artistik.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …