Besnik Tahiri kërkon dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Ngushëllimet nuk mjaftojnë

Deputeti i Aleancës Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke vlerësuar se ngushëllimet publike nuk mund ta zëvendësojnë përgjegjësinë për një tragjedi të tillë. Duke folur nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka theksuar se vrasja e Arlindës nuk duhet të trajtohet si një rast i izoluar, por si pjesë e një fenomeni shqetësues që kërkon reagim dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse. “Pa asnjë dyshim, vrasja e Arlindës është një tragjedi që na ka tronditur të gjithëve, por nuk është rast i veçuar. Fatkeqësisht, është duke u bërë një fenomen i cili në Kosovë na obligon të reflektojmë dhe, mbi të gjitha, të kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Tahiri. “Sot do të duhej të kishte dorëheqje, shkarkim, si veprim etik ndaj një ngjarjeje e cila u shkaktoi dhimbje të gjithë qytetarëve të Kosovës”, është shprehur deputeti i AAK-së. Tahiri ka theksuar gjithashtu se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje e femicidit, por edhe në raport me përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin e saj dhe mbrojtjen e viktimave.

 

Kontrolloni gjithashtu

Leonida Molliqaj: Si duhet t’i drejtohet një qytetare Qeverisë për të shpëtuar jetën?

Leonida Molliqaj nga organizata joqeveritare QIKA ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për deklaratën …