Në Shtëpinë e Kulturës, “Hasan Prishtina”, në Skënderaj, ka përfunduar nata e tretë dhe e fundit t festivalit, “Rapsodia shqiptare”

Në Shtëpinë e Kulturës, “Hasan Prishtina”, në Skënderaj, ka përfunduar nata e tretë dhe e fundit t festivalit, “Rapsodia shqiptare”

Në Shtëpinë e Kulturës, “Hasan Prishtina”, në Skënderaj, ka përfunduar nata e tretë dhe e fundit e festivalit, tashmë tradicional, “Rapsodia shqiptare. Festivali është mbajtur më 26, 27 dhe më 28 nëntor 2018, në prani të një publiku shumë entuziast dhe dashamirës i traditës  folklorike, burimore shqiptare.

Gjatë tri netëve grupe këngëtarësh, rapsodë të njohur nga të gjitha trevat tona, grupe polifonike nga jugu i Shqipërisë nga Zajazi i Maqedonisë dhe këngëtarë e këngëtare të shumta prezantuan vlerat burimore të këngës shqipe, nga të gjitha trojet etnike.

Ky festival i organizuar në Skënderaj mbahet në ditët më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.  28 Nëntori shënon Ditën e Kthimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë, në vitin 1443, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912, Ditën e lindjes së Komandantit të  UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz  më 28 nëntor të vitit 1955 dhe Ditën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të Drenicës  më 28 Nëntor të vitit 1997.

E veçanta e këtij festivali, i cili shënon një arritje në cilësi, është kënga atdhetare, kënga e trimërisë, këngët historike, veçanërisht këngët për Adem Jasharin, Adem Legjendarin e Shqipërisë shpirtërore dhe etnike, i cili me shembullin e heroizmit dhe sakrificën e  tij dhe   tërë familjes së ngushtë e të gjerë, theu në dysh kohën e robërisë shekullore, duke ia kthyer kombit forcën mobilizuese, nderin, krenarinë dhe mësimin historik për të jetuar vertikalisht dhe kurrë nën robëri. Ky akt vetëflijimi ka frymëzuar dhe frymëzon të gjithë krijuesit e në mesin e tyre edhe këngëtarët, që ta shprehin përkushtimin e tyre përmes këngës atdhetare, e cila e ka përcjellë historinë e bëmave shqiptare, duke u bërë edhe pjesë e saj integrale.

Rikthimi i këngës atdhetare, kultivimi i trashëgimisë së pasur kulturore kudo në trojet shqiptare po e përballon me sukses shundin, tallavanë, muzikën e degjeneruar e të kopjuar, e cila ka bërë për vete një pjesë të dëgjuesve e shikueseve që nuk bëjnë dot dallimin e vlerave të vërteta, ndërsa bien pre e konkurrencës dhe reklamës që propagandojnë individë e grupe të caktuara të interesit.

Juria e Festivalit, pavarësisht sa ka qenë e sfiduar, në mesin e qindra këngëtarëve të njohur, ajo në fund ka përzgjedhur tre fituesit kryesorë.

Çmimin e parë e ka fituar Qëndrim Ajazi nga Komarani, i cili ka fituar edhe  çmimin e  publikut. Ishte ky rapsodi që me dorën e gjymtuar, pa gishta, ekzekutonte me çifteli duke kënduar këngën për Adem Jasharin.  Vendin e  dytë e ka fituar këngëtarja,  Ganimete Asllani nga Mitrovica,  ndërsa vendin e tretë  Grupit “Polifonia” nga Kërçova. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …