Për herë të parë, në Bashkinë e Windsor-it në Kanada do të ngrihet flamuri shqiptar më 28, 29 dhe 30 nëntor. Institucioni vendor ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve ndërtesa e Bashkisë do të ndriçohet me ngjyrat kuqezi, ndërsa data 28 Nëntor është shpallur zyrtarisht si Dita e Pavarësisë së shqiptarëve në këtë qytet. Kjo iniciativë është realizuar me angazhimin e veprimtarëve të komunitetit shqiptar, Arti dhe Jonia Tamburi. Ceremonia e ngritjes së flamurit do të mbahet më 28 nëntor, në orën 15:00, në adresën 350 City Hall Square W. Në aktivitet pritet të marrin pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues të komunitetit. Bashkinë e Windsor-it do ta përfaqësojë këshilltari Angelo Marignani, në emër të Kryebashkiakut Dilkens dhe Këshillit Bashkiak. Organizatorët kanë bërë të ditur se në ceremoni do të marrin pjesë shqiptarë nga të dyja anët e kufirit, duke e vlerësuar këtë si një ngjarje të rëndësishme për komunitetin në Windsor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
