Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Ajo e definon Kosovën si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera. Përfaqësuesit e institucioneve të shtetit ditë më parë në një ceremoni të shënimit të përvjetorit të nëntë Kushtetutës së Kosovës, e kanë vlerësuar si njërën nga ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës. “Para nëntë vjetësh, ne, populli i Kosovës, miratuam Kushtetutën ku vendosëm për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet. Aty shprehëm përkushtimin për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do t’i garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”, është shprehur kryetari Thaçi. Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se koncepti dhe emri kushtetutë është i lidhur ngushtë me përpjekjet e gjata të popullit për liri, pavarësi dhe shtet. “Kushtetuta e Republikës së Kosovës është identiteti i shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Është dokument themelor i vizionit tonë euroatlantik. Kushtetuta jonë ngërthen në vete parime prej të cilave asnjëherë nuk do të hiqet dorë, siç janë: sovraniteti i popullit, sovraniteti i ligjit dhe sovraniteti i individit”, ka deklaruar ai. Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se “Kushtetuta e Kosovës është kurorë juridike dhe politike e shtetit tonë. Ajo është fitore historike dhe juridike e cila e justifikon në aspektin demokratik dhe liridashës vullnetin e qytetarëve tanë për shtet të pavarur për demokraci dhe liri”, ka thënë kryeministri.
Kontrolloni gjithashtu
Fatmir Humolli, ka njoftuar se nuk do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka thënë se në zgjedhjet e …