Nesër, mbahet Akademi Përkujtimore për prof. Ahmet Qeriqin, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit, të burgosurit politik dhe drejtorit të Radios Kosova e Lirë. Akademia Përkujtimore mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00. Akademia organizohet për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e prof. Ahmet Qeriqit, i cili për dekada me radhë ishte i angazhuar në çështjen kombëtare, në fjalën e lirë dhe në publicistikën shqiptare. Si i burgosur politik në periudha të vështira historike dhe më pas si drejtues i Radios Kosova e Lirë, ai la gjurmë të veçanta në informimin dhe mobilizimin kombëtar gjatë viteve vendimtare për Kosovën. Akademia do të ketë karakter përkujtimor dhe kulturor. Në program janë paraparë fjalë përkujtimore nga bashkëpunëtorë, miq dhe përfaqësues institucionalë, si dhe reflektime mbi rolin dhe kontributin e tij në jetën publike dhe në historinë më të re të vendit. Me këtë rast do të bëhet edhe promovimi i dy veprave që autori i ka lënë në dorëshkrim, “Saga e Malmirit” dhe “Vegimtari”, të cilat botohen pas vdekjes së tij dhe përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare dhe mendimit të tij intelektual. Salla e Kuqe pritet të mbledhë familjarë, veprimtarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë që dëshirojnë të nderojnë figurën, veprën dhe trashëgiminë e prof. Ahmet Qeriqit në këtë përvjetor të parë të ndarjes së tij nga jeta.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
