Nexhmije Imeri shëmbëlltyrë e mësueses së përkushtuar në edukimin e brezave

Nexhmije Imeri shëmbëlltyrë e mësueses së përkushtuar në edukimin e brezave

Në historikun e lavdishëm të arsimit, mësuesja, Nexhmije Imeri do të mbetet shëmbëlltyrë e mësueses së përkushtuar në edukimin e brezave

 RKL: Mësuesja Nexhmije, me rastin e Ditës së Mësuesit, jemi përcaktuar për një intervistë me Ju duke qenë se jeni edhe veterane e arsimit. Për fillim na tregoni disa të dhëna ku keni lindur dhe ku e keni kryer shkollimin?

Nexhmije Imeri: Jam lind në Ferizaj, më 15. IX. 1947. Shkollën fillore e kreva në Ferizaj. Mësues të parë e pata Hilmi Halilin nga Ferizaj. Për mësuese u përgatita dhe u aftësova në Shkollën Normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, të cilën e kreva në vitin 1968. Atëherë kishte pak vajza që e vijonin shkollën e mesme. Unë e pata fatin që me insistimin e kushëririt tim, Shaban Vata, i cili nga viti 1941, ishte mësuesi i parë shqiptar në Komunën e Ferizajt, të merr leje nga babai që të na mundësonte të regjistroheshim në shkollën e mësuesisë, të cilën unë, bashkë me hallën time, Remzije Vatën, e kryem me sukses.

RKL: Kur keni filluar punën në arsim dhe si iu ka ngelur në kujtesë ajo kohë, dita e parë kur keni marrë ditarin në dorë, ditë që nuk harrohet kurrë?

Nexhmije Imeri: Pas kryerjes së normales, (1968) pra në të njëjtin vit, bashkë me shoqen e klasës Sadije Malokun, ishim të parat mësuese femra të cilat u punësuan në Shkollën fillore në Sojevë, paralele e ndarë e Shkollës fillore “Fazli Obrazhda” në Komogllavë. Isha vetëm 21 vjeç, kur për herë të parë u drejtova për tek oborri i kësaj shkolle. Dridhesha nga emocionet. U rrethova me shumë fëmijë. Kur hymë në oborrin e shkollës na përshëndetën si në kor – mirëmëngjesi, dhe ishin kureshtarë të shihnin mësueset e para femra në këtë shkollë. Fillimi, vërtet ishte një moment i bukur dhe i paharruar. Në këtë shkollë punova një vite shkollor, për të vazhduar punën 43 vjeçare në shkollat fillore: një vit në Carralevë dhe 42 vite në Shtime. Në të këto shkolla punova me përkushtim për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja. Pas orëve të rregullta mësimore, me plot vullnet e entuziazëm mbaja edhe orë plotësuese me nxënësit që tregonin sukses më të dobët në mësime, si edhe angazhohesha në përgatitjen e programeve me nxënës për festa të ndryshme në shkollë.

RKL: Cilat kanë qenë kushtet dhe vështirësitë, me të cilat jeni përballur në vitet e para të punës?

Nexhmije Imeri: Kushtet e punës në të gjitha shkollat e asaj kohe kanë qenë mjaft të vështira si në aspektin e lokalit shkollor, të mjeteve mësimore dhe të teksteve mësimore. Kushtet e vështira për punë edukative – arsimore, megjithatë nuk na kanë penguar asnjëherë, përkundrazi kemi punuar me më shumë vullnet dhe me entuziazëm.

 RKL: Në kohën kur keni punuar më arsim cili ka qenë interesimi i nxënësve dhe i prindërve për mësim?

Nexhmije Imeri: Mësuesit, që nga ditët e para të punës së tyre në shkollë, ballafaqoheshin me shumë probleme, sidomos me atë të përfshirjes së nxënësve në shkollë. Problemin më të madh e kishin me prindërit e prapambetur, të cilët pengonin shkuarjen në shkollë jo vetëm të femrave, por edhe të meshkujve. Edhe pse ishin vënë masat për sanksionimin e prindërve të tillë me gjobitje me të holla, disa prindër, megjithatë, pengonin edhe më tutje vijimin në shkollë të fëmijëve të tyre. Pse ishte kështu, po përmend disa shkaqe, ndër këto, më të përhapura ishin: angazhimi i fëmijëve në punët e fushës, në punët e malit, në ruajtjen e bagëtisë etj. Por, familjet që e kishin kuptuar me kohë rëndësinë e shkollimit të meshkujve e sidomos të femrave, duke iu përballuar paragjykimeve të shumë njerëzve me kuptime të prapambetura, fëmijët e tyre nuk i penguan të vijonin shkollimin, jo vetëm fillor por edhe të mesëm e më vonë edhe superior. Nga nxënësit e gjeneratave të shumta të cilat i kam përcjellë për këto dekada si mësuese, kanë dal shumë mjek, juristë, mësues, profesor dhe kuadro të profileve të tjera nga të dyja gjinitë.. Prandaj e kam dashur dhe e dua këtë profesion njëlloj si në ditën e parë edhe kur tani jam në pension. Sepse më lumturon profesioni i mësuesit se është një profesion i bukur që arsimon dhe edukon kuadro të cilët do t’i shërbejnë atdheut të tyre, Republikës së Kosovës.

RKL: Edhe pse tani jeni në pension, si mendonin në cilën gjendje ndodhet arsimi sot, në Kosovë e më gjerë, a kënaq niveli i sotëm i zënies së nxënëseve me dije në krahasim me të kaluarën, kur kushtet për mësim janë shumë më të mira por jo edhe suksesi?

 Nexhmije Imeri: Sot ndryshon shumë mësimdhënia nga ajo kohë kur unë isha mësuese. Tani teknologjia ka përparuar dhe kjo po ua lehtëson nxënësve përvetësimin e mësimeve. Pra niveli i sotëm i suksesit real të nxënësve do të duhej të ishte shumë më i mirë, por, për si për çudi, edhe përkundër këtyre kushteve të punës, me shkolla të reja e me kuadër të ri të kualifikuar, të jemi në fund të “Pisa” ose si do të thoshte populli, jemi në fund të pusit. Kjo nuk duhet të tolerohet. Diç duhet të ndërrohet në sistemin arsimor në Kosovë. Diçka nuk po ec. Për këtë arsye do ju bëja një lutje prindërve që të ulen me fëmijët e tyre së paku një ore në ditë që të bisedojnë për mësimet, si kanë kaluar në shkollë dhe mundësisht t’i ndihmojnë dhe t’i motivojnë për kryerjen e detyrave dhe përsëritjen e mësimeve nga lëndët e ndryshme mësimore.

RKL: Si e ndieni veten Ju dhe koleget Tuaja për kontributin që i keni dhënë arsimimit dhe edukimit të brezave dhe a po përkujdeset sa duhet shoqëria dhe institucionet për veteranët e arsimit?

Nexhmije Imeri: Meqë në Komunën e Shtimes është e themeluar Shoqata e Veteranëve të Arsimit, me 78 anëtarë, neve, pensionistëve veteran na bie rasti të takohemi shpesh herë, që përveç temave të zakonta dhe kujtimeve të bukura me nxënësit derisa ishim mësues, e pashmangshme ishte edhe biseda për tretmanin përbuzës të veteranëve të arsimit sa i përket përmirësimit të kushteve të tyre materiale. Sipas mendimit tim veteranët nuk po shpërblehen sa e meritojnë, meqë mësuesit punuan dekada të tëra në arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave.

 RKL: Ju Urojmë Ditën e Mësuesit u falënderojmë për intervistën dhe ju urojmë shëndet e jetë të mbarë e të gjatë!

Nexhmije Imeri: Faleminderit Arbana. Më lejoni që të shfrytëzoj rastin për të ua uruar 7 Marsin – Ditën e mësuesit, të gjithë mësueseve dhe veteranëve të arsimit

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …