Nezir Myrtaj: Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime, – kishte thënë Komandanti

Nezir Myrtaj: Jeta e një veprimtari në kornizat e një rrëfimi kujtimesh

(Recension për librin, “Rrëfime dhe tregime” të autorit, Sheqir Zeneli, botuar nga Radio Kosova e Lirë)

Disa kohë më parë, kishte dalë në dritë libri me kujtime me titull, “Rrëfime dhe Tregime” i autorit Sheqir Zeneli. Nga titulli nënkuptohet se përveç rrëfimit të ngjarjeve të cilat në raste të caktuara marrin edhe dimension imagjinativ letrar a artistik, libri përmban edhe tregime lidhur me ato që autori ka përjetuar gjatë rrugës së vet jetësore. Për thjeshtësi shprehjeje, pasi që rrëfimet dhe tregimet e këtij libri paraqesin segmentin personal të përjetimeve dhe kujtimeve, mendoj se ato do të mund të mbërtheheshin plotësisht edhe nën titullin “Rrëfime kujtimesh”. Sidoqoftë, në thelbin e narrativës së këtij libri kujtimesh qëndron jeta, veprimtaria, sakrificat dhe përvoja jetësore e vetë autorit që në realitet mishërojnë fatin dhe krajatat e brezit të tij, por edhe të popullit dhe të atdheut të tij.

Duke qenë me prejardhje nga një trevë me traditë historike të rezistencës kundër pushtuesit serb, siç është Malësia e Gollakut, i lindur në fshatin Prapashticë që paraqet emblemën e ngjarjeve historike të kësaj malësie, duket qartë se Sheqir Zeneli ka mbetur peng i vendlindjes së tij dhe i ngjarjeve që lidhen me të. Ky lloj pengu është pasqyruar me shumë domethënie dhe figurativitet edhe përmes pamjes së rrapit shekullor në kopertonën e librit. Kjo zgjidhje nuk nënkupton vetëm qëndresën dhe pamposhtshmërinë e vendlindjes së autorit e të vetë atij, por edhe të Kosovës dhe popullit shqiptar.

Rrëfimi që kishte dëgjuar nga gjyshja e tij qysh në ditën e parë të shkollës fillore, për masakrën serbe mbi popullatën shqiptare në Prapashticë më 1921, kishte krijuar mbresë të pashlyeshme te Sheqiri. Me kalimin e kohës, masakra e Prapashticës ishte bërë frymëzbuesja e parë e urrejtjes së tij ndaj pushtuesit serb dhe kishte përcaktuar fillin e orientimit të edukimit të tij kombëtar. Figurativisht do të mund të thuhej se që nga momenti kur kupton për vuajtjet që kishte përjetuar Prapashtica nga dhuna nën robërinë serbe, për Sheqirin kishte përfunduar periudha e fëmijërisë. Tani e tutje në mendjen e një fëmije do të qëndronte si vullkan i ndezur në vetvete preokupimi i një të rrituri. Ky orientim do të ndikojë që karakteri i ardhshëm i një të riu të ketë vulën e të gjitha ngjarjeve që kishin ndodhur në të kaluarën por edhe të atyre që do të ndodhnin, me rëndësi për kombin dhe për atdheun e vet. Prandaj, nisur nga ky fakt, jo rastësisht ai do të bëhet një marathonomak i zellshëm që merr pjesë në të gjitha vëlimet e mëdha në nyjet historike të Kosovës, që nga demonstratat e vitit 1968 e deri te lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1998. Episode të caktuara të këtyre ngjarjeve, autori i ka përshkruar në librin me kujtime “Rrëfime dhe kujtime”.

Në librin “Rrëfime dhe kujtime”, autori sikur ndien nevojën t’i rikujtojë vetëm ato ngjarje të cilat mund të thuhet se përkufizojnë fatin e popullit të cilit i përket. Ai sikur e konsideron të parëndësishme të evokojë pjesë nga jeta e zakonshme fëmijërore, e rinisë apo edhe ajo familjare. Ta zëmë, po t’i referohemi kujtimeve të periudhës së fëmijërisë, shohim se Sheqiri në vend të përshkrimit të ndonjë episodi nga jeta baritore, siç mund të jenë lojërat e ndryshme me bashkëmoshatarët si hedhja e gurapeshit, loja çelepirka e të tjera, ai ka zgjedhur ta përshkruajë rastin e sherrit të bërë ndaj derrkucit të Rosës afër shkollës së fshatit. Në atë moshë dhe në ato rrethana, mllefin e akumuluar për ato që kishte dëgjuar lidhur me zullumin serb mbi njerëzit e tij të Prapashticës, ai e kishte zbrazur mbi derrkucin, duke e goditur me gur, rast që e kishte rrezikuar gati edhe me përjashtim nga shkolla për motive të urrejtjes nacionaliste ndaj pronares së derrkucit, Rosës. Në këtë kuptim, mbase jo pa qëllim tema e të gjitha rrëfimeve dhe tregimeve të përshkruara në libër është ndërlidhur me ato segmente ndodhish të cilat kanë ndikuar në strukturimin e idealit e të asaj që quhet edukatë njerëzore, duke përcaktuar edhe rrugën jetësore të autorit. Në formimin e edukatës atdhetare rol i veçantë u është dedikuar mësimdhënësve patriotë të Shkollës Normale në Prishtinë, ndikimi i të cilëve te autori është reflektuar në punën e tij arsimore me nxënës, shpesh duke anashkaluar edhe programin zyrtar mësimor në dobi të temave me përmbajtje të theksuar të edukimit kombëtar.

Autori  përshkruan me nostalgji të veçantë kujtimin për mësuesin dhe veprimtarin, të ndjerin Hilmi Rakovica, me të cilin edhe kishte punuar në të njëjtën shkollë. Fjala e përmortshme që Sheqiri kishte mbajtur me rastin e ceremonisë së vorrimit të këtij veprimtari kishte qenë një akt guximi, të cilin në vitin 1971 jo secili mund ta merrte përsipër.

Kujtimet e tij në librin “Rrëfime dhe tregime” autori Sheqir Zeneli i evokon me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, pa stërhollime pedanteske e tirada megalomane, me një stil të qiltër rrëfimi i cili në raste të caktuara zbulon para lexuesit edhe situata komike pothuajse naive por objektive dhe tërheqëse të ngjarjeve. Të tilla situata të cilat lexuesin e bëjnë t’i përjetojë ato edhe të qeshë nga veprimet fare të vetëdijshme, por të shkujdesura në dukje, të autorit, numërohen ato si vizita në Shqipëri si absolvent i fakultetit, në kohën që duhej të ishte në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave për të cilin e kishte marrë thirrjen shumë ditë më përpara. Sheqiri kishte parapëlyer të ballafaqohej me problemet që do t’i sillte vonesa prej pesëmbëdhjetë ditësh e shkuarjes në shërbimin ushtarak, duke përfshirë edhe dënimin me burg, vetëm që të mos ta lëshonte t’i ikte rasti i vizitës në Shqipëri së bashku me grupin e studentëve e ta shijonte kontaktin me shtetin amë; leximi i librit të Enver Hoxhës në kohën gjatë së cilës po bënte roje në armatën jugosllave dhe kur eprori e kishte gjetur duke lexuar e i ishte drejtuar me fjalët: “Shih, shih, edhe në roje ka mbërri Enver Hoxha!”; vënia mbrapësht e kapelës ushtarake në një moment të rreshtimit të mëngjesit për numërim, kur eprori sërish e qorton me fjalët: “…në roje po di ta lexosh mirë dhe pa u brengosur Enver Hoxhën, kurse nuk po di ta vësh kapelën!”, duke ia shqiptuar dënimin me dhjetë ditë burg; e të tjera raste të ngjashme.

Një segment i rëndësishëm në librin “Rrëfime dhe tregime” i kushtohet përshkrimit të lidhjeve të autorit me shokët dhe bashkëveprimtarët, që nga periudha e shkollës së mesme, pastaj e studimeve e deri te veprimtaria e organizuar ilegale dhe e burgut. Ky përshkrim, si dhe vlerësimi i lartë i figurës së shokëve e bashkëveprimtarëve paraqet dëshminë më të mirë se njeriu bëhet i vlefshëm dhe i fuqishëm vetëm kur ka rreth të gjerë dhe bashkëveprimtarë të ngushtë. Sheqiri kishte arritur t’i bënte të dyjat, prandaj lidhjet që ai kishte krijuar me një duzinë shokësh që në kohën e hershme të punës e të veprimit, kishte arritur t’i ruajë e t’i forcojë edhe me kalimin e kohës duke i bërë ato të përhershme. Sinqeritetin e tij ai e shpreh edhe gjatë përshkrimit të këtyre lidhjeve, shpesh duke portretizuar figurat e shokëve të tij, gjithnjë duke i matur ato me peshojën e kauzës së përgjithshme. Mënyra e përshkrimit të figurës së veprimtarit Abdyl Krasniqi, babait të dëshmores Xhevë Krasniqi Lladrovci, tregon se edhe kur përdor fjalë me kursim, autori i kujtimeve arrin ta realizojë me motiv e ndjenjë përshkrimin e personalitetit të bashkëveprimtarëve.

Sheqir Zeneli i përket asaj kategorie veprimtarësh të cilët pa u lavdëruar e mburrur dhe pa bërë turr të dalin të parët, nuk ndalojnë për asnjë çast hapin në rrugën e kauzës së përgjithshme për triumfin e të drejtës dhe barazisë. Ai nuk i iku rrezikut të sakrificave të reja as pas daljes nga burgu i parë, por vazhdoi pa u lodhur e frikësuar për çuarjen përpara të çështjes së çlirimit të Kosovës nga vargonjtë serbë. Në planin e sakrificës, për të nuk ishte e tepërt as rënia në burg për herë të dytë më 1989, dhe sërish pa u mburrur e pa rrahur gjoks për të dalë në rendin e parë nuk e pushoi veprimtarinë as në vitet në vijim duke punuar pa ndërprerë në kuadrin e lëvizjes ilegale kombëtare. Edhe me modesti po të pasqyrohej ky angazhim i tij në një libër kujtimesh si ky, do të dilte në sipërfaqe kontributi i Sheqir Zenelit dhënë çlirimit të Kosovës.

Sheqiri është njëri prej veprimtarëve të rrallë ish të burgosur politikë që pas daljes nga burgu vizitoi dhe u përkujdes për familjet e të burgosurve politikë që në vitet ’80 e ’90 të shekullit të kaluar ndodheshin në burgjet serbe. Ky interesim i tij nuk kishte vetëm domethënien e respektit dhe obligimit ndaj shokëve të tij të prangave, por në rend të parë të respektit dhe obligimit ndaj familjeve të tyre, të cilat kishin nevojë për solidarizim, mbështetje morale dhe inkurajim për vazhdimin dhe forcimin e qëndresës së tyre. Prandaj, janë mbresëlënëse përshkrimet që autori i librit “Rrëfime dhe tregime” bën lidhur me vizitat në familjet e shokëve të tij të burgut dhe sidomos me bisedat e ngrohta që ai ka zhvilluar me prindërit e tyre. Këto kontakte dhe biseda, mbase do të paraqitnin segmentin më domethënës të kujtimeve të librit “Rrëfime dhe tregime”, por me kushtin e freskimit të kujtesës që do të mundësonte shmangien nga uniforma e tregimit.

Në fund vlerësoj se vlerë e shtuar e librit “Rrëfime dhe tregime” të autorit Sheqir Zeneli është edhe parathënia e redaktorit Ahmet Qeriqi, në të cilën me invencion krijues është pasqyruar bota e brendshme e autorit të kujtimeve, mbase më tepër sesa e ka pasqyruar vetë ai në kujtimet e tij. Ky fakt vetëm sa argumenton gjurmët e një njohjeje dhe bashkëpunimi të gjatë ndërmjet tyre. Veçanërisht të vlefshme në kuptimin e kompletimit të kujtimeve të paraqitura në librin “Rrëfime dhe tregime” janë sugjerimet e bëra në parathënie. Shpresoj se me rastin e ribotimit të ardhshëm të këtij libri, përveç se do të shtohej edhe lëndë e re e kujtimeve, do të evitohen edhe disa lëshime të vërejtshme aty-këtu, siç janë pasaktësitë e caktuara lidhur me datat, ngjarjet apo emrat, ndonjë gabim teknik, e sidomos ato të aspektit gjuhësor.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …