Brickos

35-vjet...“Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”

Nga mesi i rreth 500 kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit vetëm 20 prej tyre janë nga radhët e ish të burgosurve politikë (!)

Përderisa në vitet ‘90 të burgosurit politikë kishin dominuar skenën politike, madje edhe  LDK-në, e cila kishte prejardhje ideo-politike dhe organizative  nga LKJ e Kosovës,  në luftën e UÇK-së ata  përbenin kreun kryesor të saj. Ata ishin të pranishëm  thuajse në të gjitha segmentet organizative, ndërsa në periudhën e parë të pas luftës filloi “përçarja e madhe”, shkapërderdhja e tyre nëpër të gjitha partitë e ndryshme politike. LPK-ja që ishte motori dhe Piemonti kryesor, jo vetëm u dobësua por edhe u shpërbë në tërësi nga vetë themeluesit  e saj.

Veprimtarët e Lëvizjes kombëtare dhe të burgosurit politikë të përfshirë në listat e partive politike dhe të koalicioneve për zgjedhjet e 11 qershorit 2017, tashmë paraqesin një “minoritet” të papërfillshëm. Degradimi ka ardhur nga viti në vit, qoftë me fajin e tyre dhe përçarjen gjithnjë në rritje, qoftë me luftën që e kanë zhvilluar kurdoherë titistët e vjetër e të rinj kundër tyre, qoftë edhe me faktin se “miqtë” e huaj, të gjithë pa dallim nuk i dëshirojnë ata, nuk i duan,  sepse bindjet e tyre janë krijuar nga pasqyra që kanë reflektuar jugo- mediet dhe zyrtarët titistë e rankoviqistë, shumë të pranishëm edhe sot në Kosovë.

Veprimtarët e lëvizjes atdhetare, të njohur si të “burgosur politikë”, prej viteve 90 e këndej kanë marrë pjesë edhe në partitë politike pacifiste të kohës, por pjesa dërrmuese e tyre ishin grumbulluar rreth LPRK-LPK-së, ose në grupe të caktuar vepronin jashtë grupimeve duke mbajtur lidhje me grupet e armatosura në vend.

Përderisa në vitet ‘90 të burgosurit politikë kishin dominuar skenën politike, madje edhe  LDK-në, e cila kishte prejardhje ideo-politike dhe organizative  nga LKJ e Kosovës,  në luftën e UÇK-së ata  përbenin kreun kryesor të saj. Ata ishin të pranishëm  thuajse në të gjitha segmentet organizative, ndërsa  në periudhën e parë të pas luftës filloi “përçarja e madhe”, shkapërderdhja e tyre nëpër të gjitha partitë e ndryshme politike. LPK-ja që ishte Piemonti kryesor, jo vetëm u dobësua por edhe u shpërbë në tërësi nga vetë themeluesit  e saj.

Tani në vitin 2017, në garë për deputetë nga 500 e më tepër kandidatë janë radhitur vetëm rreth 25 ish të burgosur politikë dhe asnjëri prej tyre në asnjë parti politike në dhjetëshet e para, përveç  në  koalicionin PDK-AAK-NISMA.  Në mesin 110 kandidatëve të LDK-së nuk ndodhet asnjë i burgosur politik, ndërsa në Lëvizjen Vetëvendosje në mesin e 110 kandidatëve për deputetë ndodhen dhjetë e ndonjë më tepër,  po aq  sa janë edhe në koalicionin PDK-AAK-NISMA.

Prej këtyre të burgosurve politikë në Lëvizjen Vetëvendosje janë vetëm: Hydajet Hyseni,  i radhitur në vendin 23, Gani Krasniqi në vendin 31 dhe  dhe Ali Lajçi në vendin 35, që kanë mbajtur burg në kohëzgjatje deri në 10 vjet, dhe të tjerët, me ndonjë përjashtim,  janë nga mesatarja e atyre që kanë mbajtur burg  nën 6 vjet. Dua të sqarohem me këtë rast se asnjë nga qindra të burgosur politikë që kanë mbajtur burg prej 7 e deri në 15 vjet nuk janë në garën për deputetë, për veç tre të përmendurve. Kjo nuk do të thotë se ata që kanë mbajtur më pak burg janë më pak të rëndësishëm, por këto fakte megjithatë flasin për disa zhvillime, të cilat do të mundohem t’ i shpjegoj në këtë vështrim.

Në vitet 90, në kohën e pushtimit klasik të Kosovës nga Serbia e Milosheviqit, të burgosurit politikë, në krye  me Bacë, Adem Demaçin ishin të përfaqësuar në të gjitha segmentet e jetës politike, (pasive dhe aktive) nëpër të gjitha partitë politike dhe në bërthamën e tyre, në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila tubonte rreth vetën krahun militant të Lëvizjes, që organizoi dhe zhvilloi me sukses luftën e armatosur të UÇK-së, të UÇPBM-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Asokohe në kreun e ngushtë, në radhët kryesore të LDK-së ishin të burgosurit politikë, si Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Selatin Novosella, Isa Kastrati Ali Lajçi, Gani Syla, Ramë Buja, e shumë të tjerë. Në Partinë Parlamentare: Adem Demaçi, Bajram Kosumi, Osman Dumoshi, Nezir Myrtaj dhe gati tërë kryesia e partisë. Në UNIKOMB- Ukshin Hoti, Halil Alidemaj, Afrim Morina, Sherif Konjufca, e shumë të tjerë.

Edhe LKÇK-ja militante, në krye me Bahri Fazliun, Agron Rrahmanin, Fatmir Humollin, Sejdi Veselin, Sabit Gashin e të tjerë  udhëhiqej nga ish të burgosurit politikë.

Shumë veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, nga radhët e të burgosurve politikë punonin edhe në KLDMNJ, në arsim  dhe në organizata e shoqata të ndryshme, në shërbim të kombit e atdheut nën pushtimin serb.

Prej vitit 1990 e deri në daljen publike të UÇK-së, më 28 nëntor të vitit 1997, me të drejtë mund të konstatohet se tërë lëvizja aktive e rezistencës ishte mbi supet e atyre që kishin mbajtur vite të tëra burg nën regjimet pushtuese jugosllave e serbe. Ishte koha që kërkonte gjak, djersë e sakrifica dhe bijtë e bijat  më të mirë e më të dëshmuar të kombit e përjetuan vetë mbi supe represionin sistematik të Serbisë e Jugosllavisë. Nga mesi i tyre prej vitit 1981 e deri në vitin 1997 u vranë dhe martirizuan më shumë se 150 veprimtarë të lirisë.

Meritë e të burgosurve politikë ishte edhe themelimi i fondit “Vendlindja thërret” në fund të viteve 90.  ku aktivitetin e tyre në logjistikën e luftës së UÇK-së, kryesisht e kishin ish të përndjekurit politikë, të cilët në vitet 90 me shumicë ishin larguar nga Kosova  dhe ishin vendosur në shtetet e Evropës, me qëllim për të vepruar më lirshëm dhe për t’ u përgatitur  sa më shumë për luftën e armatosur çlirimtare.

Kontributi i të burgosurve politikë gjatë luftës së UÇK-së kishte shënuar  maksimalen e  mundshme të pjesëmarrjes në të gjitha strukturat organizative,  politike dhe ushtarake, brenda në Kosovë, në Tiranë dhe në mërgatë. Falë qëndresës dhe vendosmërisë së tyre idealiste, angazhimit, luftës ballë për ballë kundër forcave okupatore dhe shpirtit të sakrificës, veprimtarët e Lëvizjes së Rezistencës  arritën t’i ruajnë strukturat organizative të luftës deri në fund të saj dhe nxorën nga radhët e veta edhe krahun politik për bisedime me ndërkombëtarët.

Asokohe Komandant i SHP të UÇK-së, ishte Azem Syla, Zëdhënësi politik i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Zëdhënës dhe përgjegjës për krijimin e institucioneve, Adem Demaçi.   Të burgosuri politikë me shumicë dërrmuese ishin edhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantë të Zonave Operative. Në institucionet informative të luftës Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres po ashtu shumica dërrmuese e gazetarëve, reporterëve ishte nga radhët e ish të burgosurve politikë.

Kjo forcë e madhe lëvizëse kombëtare dha kontributin më të madh të mundshëm në mbajtjen gjallë të idealizmit kombëtar, në organizimin dhe zhvillimin me sukses të tri  luftërave tona çlirimtare dhe në krijimin e kushteve për ndërtimin e institucioneve të kohës së luftës dhe të pasluftës.

Çka ndodhi pas luftës me më meritorët e para luftës dhe gjatë luftës?

Pas përfundimit të luftës, Qeveria e Përkohshme e dalë nga Marrëveshja e Rambujesë, nuk arriti të konsolidohet për shkak se LDK-ja e Ibrahim Rugovës dhe klasa pacifiste e Kosovës, që ishte konsideruar  me të drejtë si mohuese por edhe sabotuese e luftës së UÇK-së, sabotoi edhe pjesëmarrjen e saj në atë Qeveri, e cila kishte mandat të krijonte kushte për organizimin e jetës qytetare dhe krijimin e kushteve për ndërtimin e institucioneve deri te mbajtja e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Sabotimi që iu bë Qeverisë së Përkohshme, paraqitja e LDK-së si viktimë e dyfishtë, pjesëmarrja në luftë e vetëm 20 për qind të popullatës së  Kosovës, dëbimi masiv dhe kthimi po ashtu masiv  i banorëve të vendit, krijoi një gjendje kaotike në të gjitha segmentet. Këtij kaosi do t’i shërbente për mrekulli edhe vendosja e protektoratit ndërkombëtar të UNMIK-ut, në vendin tonë i cili jo vetëm që nuk i pranoi meritat e UÇK-së në çlirimin e vendit, për më tepër filloi t i trajtojë ata si mbetje “terroriste”, duke i barazuar me kriminelët shqiptarë- vrasës të Milosheviqit.

Të burgosurit politikë pas luftës, shumica e tyre u ndanë në klane e parti politike, meqë nuk i zinte dot një parti sepse, të gjithë mbaheshin “mbretër çlirimtarë”. Jo pak prej tyre, nga padituria apo nga lakmia për pushtet dhe favore flaken tej idealizmin dhe frytet e fitores i bënë kapital politik. Kjo pozitë e tyre degradoi nga viti në vit.

Sot të burgosurit politik janë pa zë, janë askund, janë më poshtë se bira e fundit e kavallit, në radhë të parë për shkak të përçarjes brenda nesh, ( jo me fajin e gjithë nesh) që na  ka karakterizuar në vazhdimësi, xhelozisë të sëmurë kundër njëri-tjetrit, përgojimeve dhe ndërskamcave, me të cilat ushqehen disa, duke i përfolur prapa shpine sidomos ata që kanë vepruar dhe veprojnë duke qenë dhe duke mbetur  gjithnjë idealistë,  por edhe  injorimin që u ka bërë dhe u bën shumica shqiptare, ( e them me bindje shumica, sa do që kjo tingëllon keq dhe bie ndesh me “moralin fiktiv sedërqar”),  shumicë kjo, e cila ka pasur herë pak e herë shumë pushtet edhe në kushte të robërisë, e sidomos  tani 18 vjet pas përfundimit të luftës dhe fitores historike mbi fashizmin kolonialist serb. Nuk them se nuk ka ndonjë ish të burgosur, i cili për t’iu përshtatur sa më shumë padronit,  vë në pikëpyetje edhe vlerat më të shquara kombëtare, futet në luftë kundër “miteve të kombit” duke veçuar dhe duke pranuar vetëm një mit, padronin e vet. Ka edhe ndonjë të paudhë në këtë mes por janë krejt pak, madje fare pak në krahasim me parazitët e pacifizmit.

Për herë të parë përbërja e re e Kuvendit dhe e Qeverisë, që pritet të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare,  do të jenë të  “pastruara” prej më meritorëve të lirisë, në radhë të parë me fajin dhe katandisjen e tyre dhe me injorimin, anashkalimin, degradimin, demonizmin që u kanë bërë  nga viti në vit dhe që u bën ish përbërja  jugo- ideologjike e instaluar në medie, në partitë politike, në administratë, polici, prokurori, në të ashtuquajturat OJQ, në AKI dhe po thuajse në të gjitha segmentet e jetës së organizuar shoqërore. Ta vendosësh sot në numrin 23 Hydajet Hysenin, në numrin 31, Gani Krasniqin, në numrin  80, Emrush Xhemajlin, në numrin 47, Nait Hasanin, ndërsa në dhjetëshet e para ata që janë bërë të njohur brenda natës apo ditës, ata që janë shtyrë me bërryla,  kjo flet vetvetiu.

Të burgosurit politikë, janë një lloj specifik i rezistencën historike shqiptare që po anashkalohen me lehtësi  dhe po vetë zhduken nga jeta politike, në Kosovën e lirë e të pavarur, për të cilën kanë dhënë krejt jetën.  Përbri tyre Kosovën e lirë dhe të pavarur e kanë bërë pre të plaçkës, zhvatjes përfitimit, gëlltitjes, zaptimit, shkrryerjes, degradimit ata që nuk kanë derdhur jo vetëm një pikë gjaku por as edhe një pikë djerse dhe këtë e bëjnë në emër të zhvillimit dhe përparimit të vendit.

Kosova gjatë tërë kohës së sundimit titist ka pasur numrin më të madh të të burgosurve politikë në Evropë, për nga numri i banorëve

Ahmet Qeriqi

  1. 5. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …