Ngërçi politik po paralizon institucionet – mbeten edhe 8 ditë deri në vendimin e Kushtetueses

Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në afatin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për masën e përkohshme, pasi Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet pas plot 54 përpjekjesh. Ky ngërç politik po e paralizon funksionimin normal të shumë institucioneve në vend, veçanërisht në aspektin buxhetor dhe për kompletimin e bordeve.

Moskonstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit tashmë po jep pasoja të qarta: një numër i madh institucionesh po punojnë me mungesë bordesh, e disa janë bërë krejtësisht jofunksionale.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka identifikuar 17 institucione që janë të bllokuara ose që po punojnë me vështirësi të mëdha. Gzim Shala nga IKD thekson se edhe pas konstituimit të Kuvendit, procesi i përzgjedhjes së anëtarëve nëpër borde kërkon kohë, duke krijuar vonesa të reja dhe duke thelluar problemet e trashëguara nga legjislatura e kaluar.

Nga ana tjetër, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës paralajmëron se mungesa e mbikëqyrjes parlamentare mund të hap rrugën për abuzime dhe vendimmarrje arbitrare nga individë apo institucione të pavarura.

Lista e institucioneve të bllokuara përfshin Gjykatën Kushtetuese, Avokatin e Popullit, KOSTT-in, Komisionin e Pavarur për Media, Fondin e Kursimeve Pensionale, Autoritetin e Konkurrencës dhe shumë të tjera.

Sipas IKD-së, brenda këtij viti, pritet të përfundojë edhe mandati i Avokatit të Popullit, i gjashtë anëtarëve të AKP-së dhe i 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, duke rritur edhe më tej shqetësimet për funksionalitetin institucional në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Specialja pranoi prova nga Serbia, një delegacion i OVL UÇK-së në ambasadën gjermane

Një delegacion i OVL UÇK-së i kryesuar nga kryetari Hysni Gucati është pritur në takim …