Nikë Sokol Hajdari (29.3.1960 - 9.1.1999)

Nikë Sokol Hajdari (29.3.1960 – 9.1.1999)

Më 9 janar të vitit 1999, luftëtarët e Brigadave 131 e 132 të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit kishin zënë pikën mbrojtëse në udhëkryqin ndërmjet fshatrave Dashinoc dhe Ratishë e Epërme. Por, në të njëjtën kohë forcat serbe, me dinakëri shfrytëzuan rastin e ndërmjetësimit gjatë kalimit të autoblindës së ndërkombëtarëve me ngjyrë të portokalltë, dhe kinse pa dijen e ndërkombëtareve vazhdojnë në drejtim të pozicioneve të Ushtriës Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarët e lirisë të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit i hetuan forcat serbe dhe ndërmorën masat për t’i penguar dhe për t’ua pamundësuar depërtimin e mëtejmë në drejtim të Ratishës së Epërme, përkatësisht të udhëkryqit.
Kështu, filluan luftimet e 9 janarit të vitit 1999 dhe në fushë të nderit përjetësohen: Zef Rrok Gjokaj i Dashinocit, Çelë Sokol Ukaj gjithashtu i këtij fshati dhe Nikë Sokol Hajdaraj i Bardhaniqit, ndërsa plagosen rëndë Shkëlzen Haradinaj dhe Xhavit Ukaj, prandaj “Beteja e Ratishës”, luftimet e të cilës u shtrinë prej Dashinoci deri në Ratishë të Epërme e pastaj edhe nëpër Kryq të Rakocit deri në Bardhaniq, mbetet njëra prej betejave më të ashpra të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në të cilën morën pjesë Hajdarajt e Bardhaniqit, krah për krah me dëshmorin e kombit Nikë Sokol Hajdaraj.
Familja e madhe shumë anëtarëshe e Prekë Tahirit prej Bardhaniqi, në të cilën qe lindur e rritur edhe Nika, ishte përherë e ndjekur dhe e persekutuar nga policia dhe sigurimi serb. Më 1953, me pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe ndërmorri aksione për të rrahur meshkujt e fshatrave të Dushkajës së Rrafshit të Dukagjinit dhe kasaj nuk i shpëtoi as shtëpia e Prekë Tahirit, ndërsa prej meshkujve më së keqi e pësoi Sokol Hajdari, i cili nga pasojat e dhunës fizike, u paralizua. Megjithatë ai asnjëherë nuk u thye shpërtërisht, asnjëherë nuk pushoi e as nuk dështoi në aktivitete të rëndësishme të çështjes kombëtare dhe këtë ia lë amanet të birit, Nikës.
Dëshmori i kombit Nikë Sokol Hajdari, është i lindur më 29 mars të vitit 1960, në fshatin Bardhaniq, të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Ishte pjesëtar i një familjeje të madhe fshatare, familje kjo e Prekë Tahirit të njohur për burrëri e trimëri edhe pse jo shumë e pasur, por me taban të shëndoshë kombëtar e që dëshmohet se asnjëherë nuk u thye para dhunës së regjimit pushtues serb. Nika rritej nën hijen e lisave të Bardhanikut apo të Bardh Nikut, rrëzë një kodrine të butë. Edhe Nika, si të gjithë fëmijët e familjes së Prekë Tahirit, shkollën fillore e mbaroi në Zhebel, ndërsa për t’u ngritur shtegtoi në Gjakovë, ku regjistrohet dhe e mbaron shkollën e mesme bujqësore. Pastaj punësohet si teknik i bujqësisë. Por, Nika asnjëherë nuk e harroi të atin e paralizuar dhe tërë familjen e ndjekur e të persekutuar. Më 1981 mori pjesë në demonstratat e famshme të rinisë shqiptare për ta kërkuar Kosovën-Republikë të pavarur. Këtë veprimtari patriotike e ndoqi gjatë tërë rinisë, prandaj edhe prej ditës kur në Gllogjan u dëgjuan krismat e lirisë, mori pushkën dhe iu bashkua shokëve duke lënë në shtëpi me nënën Manë edhe tre vëllezër të tjerë dhe katër fëmijët: dy djem e dy vajza: Bernardin e Lazërin, Anitën dhe Monën, që sot po rriten e burrërohen duke kujtuar se për Kosovë mbetën pa të atin.
Pra të gjithë i lë në Bardhaniq, ndërsa vetë i bashkohet Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, e cila kishte një formacion me shtab në Bardhaniq, periudhë kjo kur me këtë brigadë komandante Agim Bardh Zeneli i Shqiponjës.
Nika, prej datës së kyçjes në luftë e deri në ditën e rënies mori pjesë në të gjitha aksionet dhe luftimet që u zhvilluan në Gërgoc, Këpuz, Çeskovë, Grabanicë, Bokshiq, Kralan, Buçan, Thanishtë, Kotradiq, Prejlep, Irzniq, Rosishtë, Sukë të Cermjanit, Shqiponjë, Vranoc, Pozhar e deri në Kromnik të Anadrinit, ndërsa shkëlqeu në aksionin e Dashinocit ku komandoi vetë komandanti i Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i mbështetur me zjarr nga njësitet e Artan Zhelit, Lulzim Morinës dhe të Maliq Ndrecës e Shkëlzen Haradinajt.
Në këtë aksion janë shënuar humbjet më të mëdha të forcave serbe në të gjitha rrafshet ushtarake. Kjo është dita e 9 janarit të vitit 1999 kur zhvillohet një betejë e ashpër afër shtëpisë së Mashë Vukiqit, kur përjetësohet dëshmori i kombit Nikë Sokol Hajdaraj, të cilin plumbat e pushtuesit serb e godasin në gjoks, e breshërojnë e qëllojnë edhe në ballë. Në këtë betejë plagosen rëndë edhe luftëtari dalluar Xhavit Uka nga Ratishi, por edhe komandant Shkëlzen Haradinaj. Trupin e pajetë të dëshmorit Nikë Hajdaraj e tërhoqi Ramush Haradinaj me ndihmën e bashkëluftëtarëve: Daut Zagragja, Esat Lata e Fadil Nimani, i njohur si “Tigri”, sot të tre, dëshmorë të kombit. Të nesërmen, në fshatin Bardhaniq u përcoll në amshim trupi i Nikës dhe u vendos në varrezat familjare të Prekë Tahirëve ku edhe sot pushon. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …