Brickos

Zef Rrok Gjokaj (9.8.1980 - 9.1.1999)

Zef Rrok Gjokaj (9.8.1980 – 9.1.1999)

Gjatë javës së parë të janarit të vitit 1999, Shtabi i Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, i gjetur në senduiq ndërmjet forcave dhelpërake serboçetnike dhe misionarëve që trumbetonin armëpushim, detyrohet ta ndryshojë strategjinë e veprimit duke ndarë arealet e përgjegjësisë dhe të kontrollit mbi pozicionet që kishte, prandaj në harmoni me operacionalizimin e detyrave në fronte e në prapavijë. Në këto rrethana formohet Brigada 133 dhe emërohet me emrin e dëshmorit “Adrian Krasniqi”. Por në këtë etapë të janarit, edhe forcat serboçetnike, ndërmarrin masa edhe më të rrepta të kontrollit duke shfrytëzuar sinqeritetin e madh por edhe naivitetin e ndërkombëtarëve për t’i vënë këto në shërbim të dinakërisë tradicionale serbe. Kështu, pranë aksit të magjistrales Pejë-Prishtinë, forcat e shumta paramilitare serboçetnike bastisnin fshatra dhe ekzekutonin shqiptarët që gjendeshin duke shtegtuar rrugëve të Rrafshit të Dukagjinit. Kështu, më 2 janar ekzekutohet Veton Zymer Kelmendi nga Paulani i Pejës, trupin e pajetë të të cilit policia serbe e hedh buzë aksit të përmendur rrugor afër fshatit Gllaviçicë të Klinës; te “Zalli i Strallit” ekzekutohet Blerim Avdi Balaj, student i Fakultetit Juridik, e në Shtime po në mënyrë të këtillë përjetësohet edhe Enver Tefik Gashi. Por, në anën tjetër krahas Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, edhe Tahir Sinani, komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, afër Biraçit të Therandës, për ta prerë lëvizjen e lirë të njësiteve të motorizuara mobile serbe në aksin e magjistrales Prishtinë-Prizren, në Malet e Biraçit, jo larg Therandës, depërton prej fshatit Sllapuzhan dhe shkatërron tërë teknikën, që më 8 janar qarkullonte në segmentin rrugor prej Duhlës deri në Therandë.
Në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, forcat serboçetnike provojnë të shtrihen për rrjedhë të kanalit të Lumbarddhit në drejtimin: Dashinoc-Ratishë-Kryq i Rakocit e deri në Bardhanik (ish – Bardaniq) dhe kështu më 9 janar të vitit 1999 fillon “Beteja e Ratishës”, në të cilën përjetësohet dëshmori Zef Rrok Gjokaj i Dashinocit pranë dëshmorëve: Çelë Sokol Ukaj nga Lumbardhi e Nikë Sokol Hajdaraj prej Bardhaniku, por forcat serboçetnike të shndërruara në hordhi të tkurrura barbare pësojnë humbje në teknikë dhe në njerëz, prandaj “Beteja e Ratishës”, luftimet e të cilës janë shtrirë prej Dashinoci deri në Bardhanik mbetet njëra prej betejave më të vrazhda në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në të cilën mori pjesë edhe dëshmori i kombit Zef Rrok Gjokaj, i përjetësuar në altarin e lirisë me të vëllain, Tomën, gjurmët e të cilit zhduken pas “Betejës së Çabratit”.
Dëshmori i kombit, ndër më të rinjtë, të rënë në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zef Gjokaj, i biri i Rrok Ibishit dhe i nënës Gjylë, bijë e Aprikëve (Sokol Halilëve) të Janoshit, i vëllai i dymbëdhjetë fëmijëve, nëntë vëllezërve e tri motrave (Kola, Preni, Vera, Tungjili, Gjonia, Antoni, Gjoka, Pashkja dhe Pashku) është i lindur më 9 gusht të vitit 1980 në fshatin Dashinoc, buzë Lumbardhit të Deçanit. Shkollën fillore Zefi, si fëmija i nëntë me radhë, e filloi në Ratishë, e përfundoi në Rrezarë (ish-Irzniq), ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Deçan. Pas përfundimit të shkollës së mesme Zefi punësohet si ekonomist në administratë, por prej ditës kur “Në Gllogjan u dha kushtrimi” Zefi me vullnetin më të madh, së bashku me të vëllain, Tomën, sot gjithashtu dëshmor i kombit, kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Vëllezërit Gjokaj sistemohen në Kompaninë e Dytë të Batalionit të Parë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, të vendosur në Ratishë të Poshtme. Me këtë brigadë komandonte Gani Ukaj.
Vëllezërit Gjokaj shquheshin për entuziazëm, aktivitet dhe vizione shumë të qarta, prandaj edhe nuk hezitonin për të ndërmarrë aksione guerile e për t’u vendosur në vijat e para të frontit në Dashinoc, Lumbardh, Pozhar, Kodrali, Ratishë, Shaptej e Gllogjan, pra në Rekë, në Dushkajë e në Lug të Baranit. Të gjitha detyrat Zefi i kryente me përkushtim e devotshmëri, sepse ishte edukuar në frymën e atdhedashurisë. Edhe pse shumë i ri në krahasim me bashkëluftëtarët, kontributi i tij është i pashoq. Nuk kurseu asgjë në luftë kundër forcave policore, ushtarake e paramilitare serboçetnike vetëm e vetëm që një ditë ta shohë Kosovën të lirë. Mirëpo, si shumë bashkëmoshatarë të tij, këtë nuk e arriti pasi ra në vijën e parë të frontit duke mbrojtur pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pikërisht në fshatin e tij të lindjes, në betejën që u zhvillua në mes fshatrave Ratishë e Epërme-Dashinoc më 9 janar të vitit 1999, kur përjetësohen edhe dëshmorët: Çelë Sokol Ukaj i Lumbardhit dhe Nikë Sokol Hajdaraj i Bardhanikut (ish-Bardhaniqit), ndërsa plagosen rëndë komandantët: Shkëlzen Haradinaj dhe Xhavit Uka i Ratishës, dhe kështu u rrit flaka e qirinjve të lirisë për të cilën u dogj e u shkrumbua rinia shqiptare. Në ditën e 9 janarit luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” kishin zënë pikën defansive në udhëkryqin Dashinoc-Ratishë e Epërme, kur forcat serbe me një dinakëri dhelpërore shfrytëzuan momentin kur kalonte autoblinda e ndërkombëtarëve me ngjyrë portokalli dhe kështu kinse pa dijen e ndërkombëtarëve forcat serboçetnike vazhdojnë avancimin kah pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në drejtim të udhëkryqit të përmendur. Ky pozicion edhe bëhet digë e pakalueshme dhe e pathyeshme për të përfunduar me varrin e forcave serboçetnike. Dhe kështu për nëntë ditë me radhë, ndërsa acari kishte marrë turrin dhe fërshëllente nëpër Rrafshin e Dukagjinit, veçanërisht bri kanalit të Lumbardhit, luftëtarët e lirisë Zef Gjokaj, Çelë Ukaj e Nikë Hajdaraj mbetën të pathyeshëm. Ata me forcën e një uragani luftuan me përpjekje prej titani vetëm e vetëm që t’i ruajnë pozicionet në vijën e zjarrit që shtrihej ndërmjet fshatrave Rratishë e Epërme dhe Dashinoc, madje mu në udhëkryqin Dashinoc-Ratishë e Epërme ku ishte vendosur një pikë defansive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarët e lirisë, me të vërejtur këto forca zënë pozicionet dhe fillojnë këmbimet e zjarrit brenda rrezeve të veprimit reciprok. Në këto shtënie, kah ora 13:00, përjetësohen tre dëshmorët: Zef Gjokaj, Çelë Ukaj e Nikë Sokol Hajdaraj, ndërsa plagosen komandantët: Shkëlzen Haradinaj i Gllogjanit dhe Xhavit Uka i Ratishës. Trupat e pajetë të dëshmorëve të kombit i rrëmbejnë forcat armike dhe i dërgojnë në morgun e spitalit të Pejës e pastaj forcat serboçetnike e varrosin në Ballapojë të Pejës. Rrok Gjokaj, i njohur si Rrok Ibishi i Dashinocit, në saje të ndërmjetësimit të OSBE-së arrin ta marrë trupin e pajetë të të birit dhe e përcjell për amshim në varrezat familjare të fshatit Bardhanik (ish – Bardaniq) të Gjakovës ku prehet edhe sot, por ende pa trupin e të vëllait dëshmor të kombit, Tomës së Rrok Ibishit.
Kështu, prej nëntë djemve, sa i kishte Rrok Gjokaj i Dashinocit, dy i vendosi në themelet e lirisë së Kosovës dhe sot të dytë i rrojnë në rapsodi, në këngë e në faqet më të ndritshme të historisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me shpresën e gjetjes së trupit të Tomës, Rroku duket si Hysen Smajli i historisë sonë kombëtare që kërkonte varrin e djalit, Smajl Hysenit, të rënë me Mic Sokolin. Gjyshin e shoqëron i nipi, Vigjilenti i Tomës, i cili mbrëmjeve, me ndihmën e nënës Vitore mbush faqe ditari për krenarinë e t’et, Tomë Rrokut dhe të axhës, Zefit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …