Johannes Volkmann, nipi i ish-kancelarit legjendar gjerman Helmut Kohl, ka bërë një thirrje të fuqishme nga Bundestagu për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian dhe për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Fjalimi i tij debutues në Bundestag u mbajt gjatë debatit për zgjatjen e mandatit të trupave gjermane të Bundeswehr-it në Kosovë. Ai mori vëmendje të veçantë për tonin e vendosur dhe përkushtimin ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe paqes në Ballkan. Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, reagoi menjëherë pas fjalimit, duke e quajtur atë “të jashtëzakonshëm” dhe një akt të fuqishëm solidariteti me popullin e Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Ajeti falënderoi Johannes-in dhe rikujtoi se fjalimi i fundit i Helmut Kohl në Bundestag ishte më 1 korrik 1999, vetëm pak javë pas përfundimit të luftës në Kosovë. “Johannes e nisi rrugëtimin e tij politik me një mbështetje të qartë për Kosovën – duke kërkuar njohjen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës”, shkroi ambasadori Ajeti. Ky qëndrim i Johannes Volkmann është konsideruar si një vijim i traditës pro-evropiane dhe angazhimit historik të familjes Kohl për paqe dhe stabilitet në Evropën Juglindore.
