Sot nisi në Tiranë Konferenca 3-ditore e Ambasadorëve Shqiptarë në botë, Diplo 2025, me temën “Shqipëria 2030: në Europë, e ndërlidhur me botën”.
Ky forum vjetor synon të përcaktojë prioritetet e politikës së jashtme shqiptare, të forcojë shërbimet konsullore për qytetarët dhe të adresojë sfidat kryesore të diplomacisë moderne. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar ndryshime ligjore dhe rritje të mbështetjes financiare për trupën diplomatike. Ai nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e forcimit të diplomacisë ekonomike, bashkëpunimit rajonal dhe përgatitjeve për organizimin e Samitit të NATO-s në vitin 2027. “Shqipëria gëzon sot kredencialet më të larta ndërkombëtare në historinë e saj moderne. Ky është momenti për të përshpejtuar integrimin evropian dhe për të rritur rolin tonë si partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë,” – u shpreh Kryeministri Rama. Konferenca Diplo 2025 do të vijojë punimet për tre ditë, duke përfshirë diskutime mbi integrimin evropian, diplomacinë ekonomike, marrëdhëniet rajonale dhe rolin e diasporës.
