Një libër për heronjtë e gjallë, për “heronjtë e heshtur”

“Tre shokë dhe një alibi” nga Halil Katana

Mbijetesa e Shqipërisë në kushte dhe rrethana të izolimit të thellë, doemos se gjithnjë ka shtuar pyetjen bashkë me kureshtjen e miqve dhe të armiqve të saj, se si ia dilte Shqipëria të mbahej e rrethuar dhe të ndërtonte vendin duke u mbështetur vetëm në forcat e veta, duke qenë e rrethuar nga të gjitha anët nga armiqtë, fqinjët e saj tradicionalë? 
Mendimet hileqare dhe hipokrite të qarqeve të caktuara, që pretendojnë se Shqipëria ishte vetë-izoluar për të eksperimentuar dhe për të vënë në jetë një regjim diktatorial, nuk i përballojnë realitetit historik të kohës dhe rrethanave të caktuara, që kanë mbretëruar në periudhën kohore prej vitit 1945 deri më 1991. E vërteta qëndron në faktin se Shqipëria socialiste e kohës arriti të mbijetojë falë përpjekjeve të suksesshme të pushtetarëve për të vënë në lëvizje energjinë e tërë popullit, energji kjo e cila ishte vënë në veprim në të gjitha segmentet e jetës organizative prej bërthamës më të imtë deri te strukturat e larta pushtetare, të cilat funksiononin për mrekulli. Dhe, për të vënë në një lëvizje të tillë tërë një popull të robëruar dhe të keqtrajtuar nëpër shekuj nga invaduesit, duheshin heronj, heronj të gjallë që çonin në vend amanetin e të rënëve për çlirimin e atdheut, heronj të idealeve të larta, vetëmohues dhe të aftë për t’ iu përgjigjur të gjitha rrethanave, të gatshëm dhe vigjilentë për të përballuar çdo sfidë ngado që ajo vinte. Idealistët e tillë bënë që Shqipëria të mbijetonte e lirë, sovrane, pa u përkulur dhe pa lejuar asnjëherë, që vendi të bëhej arenë e cirkusantëve të koniukturave të huaja politike, sikur mjerisht është bërë tani, në shumë segmente. 
Libri më i ri i autorit, kolonel Halil Katana, Tre shokë dhe një alibi ka zbërthyer një segment të rëndësishëm të njeriut të thjeshtë të trojeve arbërore, i cili nga një “copë” fshatar i pakrah, ngrihet në një hero të gjallë, falë vetive të trashëguara nga tradita pozitive kombëtare, falë orientimit të drejtë dhe të sinqertë në jetë dhe në përpjekje për ta ndihmuar atdheun, duke mos kursyer as jetën. Të tillë njerëz si Myftar Katana, kryepersonazh i këtij libri, ishin ata mbi supet e të cilëve qëndroi e pamposhtur Shqipëria për më shumë se dyzet vjet. Sepse në kushte dhe rrethana të tilla politike e strategjike nuk mund të bëhej ndryshe dhe nuk mund të ruhej ajo pjesë e atdheut, e cunguar mizorisht nga “kafshimet e shekujve”. Autori i librit, kolonel Halil Katana në librin e fundit paraqitet para publikut lexues me një vepër të rëndësishme në shumë segmente, qoftë për temën që ka vjelë nga realiteti faktik, duke e përpunuar dhe duke e latuar me dorë mjeshtri, qoftë për qasjen sesi ka arritur ta materializojë këtë lëndë dokumentare, në dukje të shkapërderdhur, qoftë për gjuhën dhe mjetet stilistike shkrimore me të cilat e ka begatuar karakterin rrëfimtar dokumentar, qoftë për lidhjen organike të pjesëve me tërësinë, e cila e mbanë të gjallë kureshtjen e lexuesit deri në fund. Duke marrë për temë të veprës ngjarje reale nga jeta e veprimtarit Myftar Katana, autori me metodën e tij paksa specifike shkrimore, ka sintetizuar segmente të shumta të përvojës së “heronjve të heshtur”, të njerëzve të thjeshtë, të cilët historia i nxjerrë në arenë, në garën e tyre të përjetshme për të qëndruar besnikë të pamposhtur të idealeve njerëzore, por edhe të idealeve politike e partiake, gjithnjë në akord me kërkesat e kohës dhe rrethanat e caktuara historike. Jeta e Myftar Katanës i ka dhënë autorit mjaftë lëndë për të shkruar këtë histori realiste dokumentare, të cilën ai e ka latuar me shumë kujdes, me një perceptim autentik, që buron nga përvoja e tij shkrimore e jetësore dhe që ka arritur të sintetizojë në këtë vepër elemente të rrëfimit artistik, të ngritura mbi rrëfimet dokumentare. 

Myftar Katana, “hero i heshtur” i kohës sonë

Figura e luftëtarit çlirimtar dhe oficerit të Sigurimit të Shtetit, Myftar Katana, është interpretuar në vepër duke u mbështetur në të dhënat kryesore dokumentare, pa pasur nevojë për të bërë zmadhime, pa pasur nevojë për ta ngritur figurën në hero, sepse i tillë është vetë heroi, i cili ende jeton, tashmë në moshën e pleqërisë. Ashtu sikurse i ka kaluar të gjitha sfidat jetësore, Myftar Katana, ashtu ka kaluar me sukses sfidat në këtë vepër edhe vetë autori, i cili nuk e ka pasur të lehtë të shkruajë për një hero të gjallë, sepse shkrimet e natyrës së tillë janë shumë provokuese, për të mos thënë edhe të rrezikshme. Mirëpo, duke disponuar një prosede autentik të vrojtimit të fenomeneve, duke pasur një qasje të veçantë shkrimore, diku në mes të rrëfimit realist artistik dhe kronikës së zhvillimit të ngjarjeve, po ashtu realiste, ai ka arritur t’i shmanget me sukses skematizmit, të cilin e imponon natyra e veprës dokumentare. 
Rruga jetësore e Myftar Katanës është dhënë në retrospektivë të zhvillimit të ngjarjeve qysh nga fëmijëria, duke e ndjekur atë hap pas hapi, deri në vitet e pleqërisë. Idealizmi i tij në shërbim të kombit e atdheut është idealizëm autentik, i njeriut të edukuar drejt, i edukuar me traditën dokësore shqiptare, me besë, urti e burrëri, dhe i udhëhequr po ashtu drejt nga regjimi i kohës, i cili kishte arritur të vinte në veprim forcat avangarde të shoqërisë, duke i avancuar dhe duke i përkrahur me qëllimin e vetëm, për ta ruajtur atdheun dhe për ta ndihmuar çështjen e përgjithshme kombëtare, me aq sa kanë lejuar mundësitë në rrethanat e caktuara në kohën e ndarjes bllokiste të botës, sidomos pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. 
Kjo vepër, sidomos për ne lexuesit në Kosovë shpalos disa fakte dhe të vërteta, të cilat me qëllim janë errësuar nga klasa titiste- rankoviqiste, që e shihte dhe e ndiente rrezikun nga Shqipëria, së cilës i kishte grabitur më shumë se gjysmën e tokave. Dhe pikërisht për këtë, ajo kishte mbështetur një klasë shqiptarësh bashkëpunëtorë, të cilët qenë bërë zëdhënës të neveritshëm të titizmit në luftë, jo vetëm verbale, kundër Shqipërisë dhe politikës së saj vëllazërore ndaj Kosovës dhe konsekuente në përgjithësi. 
Është një fakt i vërtetë dhe i pamohueshme se depërtimi në viset shqiptare të Kosovës i brigadave nacionalçlirimtare të Shqipërisë, në vitet 1944-1945, kishte nxitur në Kosovë luftën kundër fashizmit, me të cilin mjerisht qe lidhur klasa pacifiste si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Është plotësisht i vërtetë dhe historik fakti se mosradhitja e shqiptarëve të Kosovës me koalicionin Antifashist do të rezultonte mbase edhe me sakatosjen ose shpërbërjen etnike të kësaj pjese të atdheut. Përderisa Shqipëria kishte udhëhequr një politikë parimore dhe konsekuente ndaj luftës nacional-çlirimtare, titistët jugosllavë nën maskën e luftës kundër fashizmit zhvilluan edhe luftë qytetare, korrën fitore, për ta restauruar pastaj po atë politikë hegjemoniste në Jugosllavi, duke i ruajtur kufijtë e saj dhe duke pretenduar edhe zgjerimin e tyre. 
Ndihma vëllazërore por edhe internacionaliste e partizanëve të Shqipërisë në Kosovë, Sanxhak dhe Bosnje, ishte jo vetëm një radhitje vullnetare e UNÇ-së në koalicion, por edhe pretendim për të ruajtur shqiptarët dhe myslimanët, që ishin në shënjestër të shfarosjes nga grupet anarkiste dhe drazhiste serbe. 
Edhe prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, në radhë të parë u bë për shkak të Kosovës, pavarësisht sesi llomotisin pacifistët dhe kolaboracionistët e të gjitha ngjyrave të zeza. Sepse ishte pikërisht kultura, arsimi dhe tërë një literaturë ilegale që vinte nga Shqipëria në Kosovës dhe që rrezatonte në zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Ky zgjim ndodhi nga Tirana, sepse nuk mund të ndodhte dot nga Beogradi, edhe pse u bënë sa e sa përpjekje nga autoritetet komuniste jugosllave për të shkolluar kuadro shqiptarë në Beograd, shumica prej të cilëve sapo ktheheshin në Kosovë, dashur pa dashur, binin nën ndikimin e librave shkollorë dhe kulturës që përhapnin mjetet i informimit nga Shqipëria, dhe që nga Radio Tirana dhe Radio Kukësi kishin destinim të veçantë ndikimin dhe zgjimin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Roli i Shqipërisë në këtë drejtim ka qenë kolosal dhe me asnjë fakt realist nuk mund të mohohet. Pjesë e një zgjimi dhe angazhimi të tillë të propagandës kombëtare, por edhe politike ishte edhe oficeri i sigurimit, Myftar Katana dhe dy shokët e tij besnikë: Rrustem Alia dhe Halit Alia, të cilët edhe martirizohen për këtë qëllim kombëtar, gjithsesi të shenjtë. 
Vepra “Tre shokë dhe një alibi” është një si lapidar i shkruar për një hero të gjallë, është një vepër realiste, e cila sjellë në kujtesën e shqiptarëve momentet e dhembshme por edhe krenare të së kaluarës, sjellë në kujtesë një dyzinë rrëfimesh të idealistëve që ishin vënë në Shërbim të Shqipërisë së re, e cila kishte mbijetuar e mbështetur kryesisht në forcat e veta. Ndërsa krye-heroi i kësaj vepre, Myftar Katana, është skalitur me shumë kujdes në rrethanat jetësore nëpër të cilat ka luftuar dhe është angazhuar gjatë tërë jetës. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …