Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) po vazhdon dhe se deri më tani janë procesuar mbi 74 për qind e vendvotimeve në nivel vendi. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Artanë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Sharr, Burim, Kastriot, Drenas, Deçan, Shtime, Klinë, Dardnë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skenderaj dhe Kaçanik. Procesi i numërimit, pas një ndërprerjeje të përkohshme, do të rifillojë më 1 janar 2026, nga ora 16:00, në 11 komuna: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë. KQZ bën të ditur se deri më 31 dhjetor 2025, në orën 12:00, janë procesuar mbi 1,900 vendvotime nga gjithsej 2,557, ndërsa të dhënat transmetohen në platformën e KQZ-së pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim. Sa i përket votimit jashtë Kosovës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës. Nga rreth 58 mijë votues të regjistruar, deri tani janë tërhequr mbi 28,500 pako, prej të cilave 27,600 janë aprovuar dhe mbi 950 janë refuzuar, kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
