Një nga operacionet më të mëdha anti-drogë të realizuara ndonjëherë në Kosovë, i koduar “Qielli i Thyer”, ka përfunduar me sukses të martën, duke rezultuar në arrestimin e 22 personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe pastrim parash. Operacioni është zhvilluar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Aksioni është realizuar pas një hetimi disa mujor të zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë mes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe PSRK-së, me mbështetjen e autoriteteve belge, holandeze dhe Europol-it. Në këtë operacion, që përfshiu rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, morën pjesë rreth 600 zyrtarë policorë, të cilët bastisën 47 lokacione të ndryshme. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar:
- Sasi të konsiderueshme narkotikësh
- 129 vetura
- 134,900 € para të gatshme
- 20,040 CHF, 490 USD dhe 13,000 € para të falsifikuara
- 36 armë zjarri, 1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion
- 9 orë dore luksoze
- Një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës
- Pajisje teknologjike dhe dokumente relevante
Gjithashtu janë ngrirë llogari bankare në vlerë prej 500,000 euro, si dhe është vënë ndalim mbi të gjitha pasuritë e paluajtshme të personave të dyshuar. Të dyshuarit janë identifikuar si pjesëtarë të një grupi të sofistikuar kriminal, që përdorte aplikacionin “SkyECC” për komunikim të fshehtë në aktivitetet e tyre të jashtëligjshme.