Opozita lokale del fituese kolektive: LDK, PDK dhe AAK mbajnë shumicën e komunave

Subjektet politike opozitare në Kosovë kanë dalë fituese në shumicën e komunave në zgjedhjet lokale, pavarësisht një ngritjeje të lehtë të Lëvizjes Vetëvendosje. Rezultatet e publikuara tregojnë se partitë tradicionale kanë ruajtur pushtetin lokal në pjesën më të madhe të vendit, duke reflektuar një besim të qëndrueshëm qytetar ndaj tyre. Fitoret në komuna të rëndësishme si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Ferizaj dhe Peja i vendosin subjektet opozitare si fituese kolektive të garës politike, edhe pse në nivel qendror ndodhen në pozita të ndryshme politike. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,  ka ruajtur pesë komunat që ka qeverisur më parë, ndërsa Nisma Socialdemokrate po ashtu ka arritur të mbajë pozitat e saj lokale. Koordinimi mes dy partive kryesore të opozitës së vjetër, LDK, dhe PDK, është konsideruar efektiv, veçanërisht duke pasur parasysh presionin politik që ka ardhur nga qendra. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, megjithëse me mobilizim të fuqishëm nga niveli qendror, ka arritur të fitojë në shtatë komuna, përfshirë Mitrovicën e Jugut, Fushë Kosovën dhe Obiliqin pas balotazhit. Ndërkohë, koalicionet lokale ndërmjet partive opozitare – të cilat VV i kritikonte si joparimore, u shfaqën si instrumente efikase për fitore në terren, madje edhe atje ku Vetëvendosja kishte investuar shumë politikisht. Në përfundim të procesit, LDK qeveris në shtatë komuna, PDK në gjashtë, AAK në pesë, ndërsa Vetëvendosje në shtatë. Ndërkohë, Lista Serbe mbetet forcë dominuese në dhjetë komuna me shumicë serbe. Pas zgjedhjeve, kryeministri dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka përsëritur akuzat se “të gjitha partitë janë bashkuar kundër tij”, një deklaratë që analistët e kanë cilësuar si vazhdim të narrativës polarizuese të fushatës.

Kontrolloni gjithashtu

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve të sotme lokale. Sipas këtyre rezultateve, …