Procesi që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara nuk ishte rezultat i një reforme të brendshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ai nisi si pasojë e një raporti të miratuar në Këshillin e Evropës në vitin 2011, raport që përmbante akuza të rënda ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë pretendime për trafikim organesh. Ky raport krijoi një trysni të fuqishme ndërkombëtare dhe e vendosi Kosovën përballë një realiteti të ri politik: për të ruajtur mbështetjen e partnerëve strategjikë dhe për të mos rrezikuar proceset integruese, Kosova duhej të pranonte krijimin e një gjykate të veçantë. Në vitin 2015, Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e saj. Që në këtë pikë, procesi mori ngjyrim politik. Një pjesë e shoqërisë e pa këtë si domosdoshmëri shtetërore, një pjesë tjetër si imponim ndërkombëtar. Kjo ndarje fillestare u shndërrua në themelin e mëvonshëm të krizës së besimit.
Mandati i Gjykatës ishte i kufizuar dhe u fokusua vetëm tek pretendimet për “krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së”. Në planin politik dhe moral, kjo ka prodhuar perceptimin e një drejtësie të fragmentuar. Në opinionin publik shqiptar, pamja mbetet e thjeshtë: një mekanizëm i posaçëm ndërkombëtar është ngritur për të gjykuar vetëm njërën palë, shqiptarët. Ky perceptim është thelluar edhe më tej nga bashkëpunimi i ngushtë i institucioneve serbe me Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë.
Arrestimet e vitit 2020, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerëve, shënuan momentin kur procesi mori një dimension të fuqishëm simbolik. Përmes operacioneve të EULEX-it, u kryen arrestime me dhjetëra makina, forca speciale të maskuara dhe të armatosura rëndë, automjete të blinduara. Personave që publikisht kishin deklaruar gatishmëri për t’u dorëzuar vullnetarisht, iu lidhën duart sikur të ishin kriminelë në arrati. Arrestime nëpër rrugë, konfiskime telefonash, ndalesa 24-orëshe, kontrolle të shtëpive me ekspozim publik, një spektakël force e shfrenuar. Edhe nëse këto masa mund të arsyetohen me standarde sigurie, imazhi publik ndikoi thellë në opinionin shoqëror. Drejtësia nuk perceptohet vetëm përmes dokumenteve ligjore, por edhe përmes mënyrës se si zbatohet në terren.
Pretendimet për trafikim organesh, të cilat dominuan diskursin ndërkombëtar pas vitit 2011, nuk u përfshinë në aktakuzat përfundimtare. Kjo zhvendosje ka ushqyer dyshime në opinionin publik se procesi nisi mbi një narrativë që më pas ndryshoi. Filloi një fazë tjetër, kërkimi i dëshmitarëve, shpesh me akuza për deklarime të nxitura, me premtime për favore apo mbrojtje të veçantë. Në të njëjtën kohë, gatishmëria e prokurorisë së Gjykatës Speciale për të bashkëpunuar me prokurorinë serbe ishte më e lartë se kurrë. Dokumente, arkiva, materiale, gjithçka vihej në dispozicion për të ndërtuar dosje kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Kjo ngre një pyetje të thjeshtë: si mund të ndërtohet një proces i drejtë kur njëra palë e konfliktit bashkëpunon aktivisht në ndjekjen penale të palës tjetër?
Me kalimin e viteve, paraburgimi u shndërrua në një dënim para vendimit. Presioni në dhomat e paraburgimit u shtua, të drejta themelore u kufizuan, komunikimi u monitorua dhe vizitat u reduktuan. Kohëzgjatja e paraburgimit është një tjetër pikë e debatit publik; mbajtja shumëvjeçare pa një vendim të prerë krijon perceptimin e “dënimit paraprak”. Në aspektin politik, koha prodhon narrativë, sa më gjatë zgjasin proceset, aq më shumë forcohet bindja se drejtësia po vonohet ose po përdoret si mjet presioni. Në këtë pikë, çështja nuk është vetëm juridike; është çështje perceptimi publik dhe besimi institucional.
Gjykata ka nxjerrë tashmë aktgjykimet e para, përfshirë rastet ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Salih Mustafa, i njohur si “Komandant Cali”, u arrestua në shtator 2020 dhe pas një serie vendimesh në Gjykatën Themelore, Apel dhe Supreme, dënimi i tij u konfirmua në 15 vjet burgim. Pjetër Shala u dënua në korrik 2024 me 18 vjet burgim. Këto vendime shënuan fazën e parë të konsolidimit të funksionimit të plotë të Gjykatës dhe, në planin formal, dëshmuan se proceset po prodhojnë rezultate konkrete, dënimin e liribërsve. Megjithatë, në planin shoqëror ato nuk arritën ta zbusin perceptimin e njëanshmërisë që është ndërtuar ndër vite. Për një pjesë të opinionit publik, veçanërisht shtresën liridashëse të vendit, këto dënime u panë si konfirmim i bindjes fillestare se mekanizmi është i fokusuar ekskluzivisht mbi udhëheqësit e luftës. Aktgjykimet e para thelluan hendekun mes leximit juridik të procesit dhe leximit politik e emocional që i bëhet atij brenda shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Debati rreth Gjykatës Speciale nuk është thjesht debat procedural. Ai prek identitetin kolektiv të shqiptarëve, vetë lirinë dhe ekzistencën e saj. Për shumë qytetarë, mënyra se si funksionon Gjykata dhe perceptimi që ajo lë pas ka peshë të njëjtë me vendimet juridike, dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe për legjitimitetin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
