Udhëheqja e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pritur në Ambasadën e Francës në Prishtinë nga ambasadori Olivier Guérot. Kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Gazmend Syla shfrytëzuan këtë takim për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me funksionimin e Gjykatës Speciale dhe trajtimin e ish-bashkëluftëtarëve të tyre që ndodhen nën paraburgim në Hagë. Sipas njoftimit të OVLUÇK-së, përfaqësuesit e saj i kanë kërkuar ambasadorit Guérot që këto shqetësime të përcillen edhe tek instancat më të larta të shtetit francez, duke nënvizuar se kërkesa e tyre nuk është privilegj, por vetëm “drejtësi”. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e OVLUÇK-së falënderuan Francën për mbështetjen historike në çlirimin dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës, duke e konsideruar atë një vend mik dhe partner strategjik.
