Me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime Parlamenti Europian, miratoi mbrëmë, amendamentin e Grupit të Partive Popullore Evropiane me tekst: “Parlamenti Evropian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian, që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës së parë Ndërqeveritare, me shtetet anëtare”. Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raportorit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler, erdhi si përgjigje e mohimit të përsëritur nga kryeministri Rama javën e shkuar të ekzistencës së 15 kushteve. Në fillim, kryeministri u bishtnoi, ndërsa edhe dje, duket se i ironizoi, kur tha, nuk janë 15, po mijëra kushte që do kemi rrugës. Këto kushte u vendosën nga Këshilli Evropian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qëndrimit formal të grupeve.
