Me 353 vota për, 145 kundër dhe 78 abstenime, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë të rëndësishme për Kosovën, duke shënuar një hap të ri në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Debatit që i parapriu votimit i është bashkuar edhe komisionerja për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, e cila theksoi nevojën urgjente për formimin e institucioneve në Kosovë. Rezoluta e miratuar inkurajon Kosovën të përshpejtojë reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të hapin një kapitull të ri në dialogun për normalizim, përmes zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit – përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu, Serbia ftohet të mos e pengojë më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, e përshëndeti mbështetjen e gjerë të partive kosovare për integrimin në BE dhe kërkoi heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, të vendosura para dy vjetësh. Ai deklaroi se “e ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane”.
