Partitë deri më 15 mars për emrat e rinj në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Mandati i anëtarëve të partive politike në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i afrohet fundit, ndërsa presidentja Vjosa Osmani u ka kërkuar subjekteve politike që të dërgojnë propozimet për përbërjen e re të këtij institucioni. Sipas kërkesës së presidencës, partitë politike kanë afat deri më 15 mars për t’i dorëzuar emrat e kandidatëve për anëtarë të rinj në KQZ, ndërsa përbërja e re e këtij institucioni pritet të përcaktohet në ditët në vijim. Emërimi i anëtarëve duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se ende nuk i kanë dërguar emrat e dy anëtarëve që do t’ia propozojnë presidentes për emërim. Ndërkohë, anëtari aktual Sami Kurteshi nuk do të propozohet më, pasi ka konsumuar numrin maksimal të mandateve të lejuara me ligj. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh që i njëjti person mund të propozohet dhe emërohet nga një subjekt politik deri në tri mandate radhazi. Pas mandatit të tretë, ai nuk mund të emërohet përsëri. Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje gjatë ditës lidhur me emrat që do të propozojnë. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka propozuar për një mandat tjetër anëtarin aktual të saj në KQZ, Muharrem Nitaj. Sipas procedurës ligjore, presidentja Vjosa Osmani ka afat prej shtatë ditësh, pas dorëzimit të propozimeve, për të vendosur për emërimin ose mosemërimin e kandidatëve të propozuar nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend. Sipas përbërjes së paraparë, gjashtë anëtarë të KQZ-së pritet të emërohen nga radhët e subjekteve politike shqiptare – dy nga Lëvizja Vetëvendosje, dy nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga një nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – ndërsa katër anëtarë të tjerë do të përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Arben Gashi: Kriza institucionale në Kosovë vjen nga mungesa e kulturës së kompromisit

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se kriza institucionale në Kosovë …