Haki Taha (1913 - 1945), atdhetari nga Gjakova që goditit tradhtinë komuniste jugosllave

Haki Taha (1913 – 1945), atdhetari nga Gjakova që goditi tradhtinë komuniste jugosllave

Haki Taha ka qënë njëri ndër nacionalistët më të vendosur të kohës së tij. Mësues me profesion dhe arsimdashës, ai fillimisht kishte qëndruar larg politikës, por kishte përcjellë me kujdes dhe vëmendje rrjedhat në kohën e luftë së Dytë Botërore. Nuk i kishte besuar verbërisht forcave fashiste italiane, edhe pse ato dëbuan nga Kosova forcat fashiste çetnike serbe e sllave dhe kishin lejuar shkollimin dhe arsimimin e popullatës shqiptare, të cilin e kishte ndalura rreprësisht ish Regjimi i “Kralvinës serbe”. Mbante kontakte me krerët proitalianë e gjermanë të kohës por edhe me lëvizjen Nacionalçlirimtare në Kosovë, për të cilën kishte simpati, por nuk iu besonte parullave dhe premtimeve boshe të komunistëve serbë, të cilët kishin shfaqur pretendimet e tyre që edhe pas luftës Nacionalçlirimtare ta mbanin Kosovën nën okupim. Gjatë vitit 1944 kishte intensifikuar bashkëpunimin me partizanët e Kosovës, të cilët i kishte qortuar se ishin bërë vegla të verbëra të Jugo-kominternit të Titos e të Rankoviqit. Njihte nga afër komandantin partizan të Kosovës, Fadil Hoxhën, pastaj Hysni Zajmin, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gaziun e të tjerë, me të cilët edhe komunikonte shpesh lidhur me rrjedhat e disfavorshme për shqiptarët e Kosovës.

Me rastin e shpalljes së gjendjes së shtetrrethimit në Kosovë më 8 shkurt  të vitit 1945 dhe rrethimi të Drenicës me 40.000 mijë forca të disa divizioneve të armatës jugosllave, Haki Taha e kishte kuptuar se ardhmja e  Kosovës do të rivendosej me dhunë, pushkatime, masakra e dëbime masive  të popullatës shqiptare nga trojet e veta.

Me qëllim për ta dhënë kontributin e vet, ai kontakton disa qarqe partizane të besueshme si Xheladin Hanën, Ibrahim Banush Hoxhën, Rifat Berishën e të tjerë dhe shfaq hapur kundërshtimin e tij për masakrimin e Drenicës dhe vrasjen e kryekomendantit Shaban Palluzha. Për këtë qëllim, pasi ishte konsultuar sidomos me Ibrahim Banush Hoxhën e Sedllarit, (tani fshati Shalë) kur edhe  merr vendim për ta vrarë kreun komunist të Kosovës, sektarin e PK të PKJ për Kosovë, Milladin Popoviq, i cili në dukje përkrahte partizanët shqiptarë, por pas shpine realizonte projektet antishqiptare të Rankoviqit, Dushan Mugoshës, Spasoje Gjakoviqit Svetozar Markoviq-Tempos  e të tjerëve.

Haki Taha, Milladin Popoviqin e vrau me 13 mars, në zyren e tij, në Ndërtesën e komitetit krahinor, në Prishtinë. Pasi kreu atentatin ai doli nga ndërtesa pa u vërejtur, por ndërkohë e kishin vërejtur duke ikur drejt Xhamisë së Madhe ku edhe ishte futur në një shtëpi. Pas një rezistence, deri sa i kishin mbaruar fishekët, ishte vrarë nga milicia serbe, në rrethim, në një pleme të një qytetari të Prishtinës.

Vrasja e Milladin Popoviqit, u mor pretekst për fillimin e likudimit të një numri të madh të kuadrove komuniste shqiptare të Kosovës, në mesin e tyre, Ibrahim Banush Hoxha i Sedllarit, pastaj Xheladin Hana nga Gjakova, më vonë Rifat Berisha nga fshati Berishë i Rrafshnaltës së Drenicës e shumë të tjerë. Vrasja e Milladinit u mor pretekst edhe për likuidimin pas shpine të mijëra shqitarëve të mobilizuar në brigadat, batalionet e divizionet e armatës jugosllave që i nisën në Drejtim të Tivarit e Dalmacisë dhe të tjerët që i nisën në drejtim të Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë.

Kreu komunist i Kosovës, në krye me Dushan Mugoshën, Spasoje Gjakoviqin, Ali Shukriun e të tjerë ishin betuar se për Milladinin do t i vrisin 5000 shqiptarë, ashtu sikur i ishte betuar dhe i kishte vrarë edhe Millovan Gjillasi për vrasjen e babait të tij nga shqiptarët. Kuadrot partizane malazeze-serbe në Kosovën e pas luftës duke filluar nga Milladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Spasoje Gjakoviqi, Millan Darleviqi, Millovan Gjillasi, Gjuro Medenica, Petar Brajeviq, (i vrarë në Drenicë) e të tjerë, në bashkëpunim me kreun komunist të Kosovës, Ali Shukriu, Xhevdet Hamza, Xhavit Ninami, Mehmet Shoshi, Mehmet Maliqi, Shaban Kajtazi, Mehmet Hoxha e të tjerë, kanë kryer krime sistematike kundër shqiptarëve deri në vitin 1952. Mendohet se gjatë asaj periudhe kohore janë vrarë e pushkatuar më shumë se 5.000 shqiptarë, ndërsa janë dënuar mijëra syresh prej 1 deri në 20 vjet burg.

Terrori shtetëror jugosllav kundër shqiptarëve nuk ndaloi deri në qershor të vitit 1999, kur  Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me përkrahjen e forcave ushtarake të NATO-s dëbuan përgjithmonë forcat fashiste kriminale të regjimit të Beogradit nga vendi ynë.

Vrasja e Milladin Popoviqit për shumë vjet më vonë e deri në vitet tona, ka mbetur objekt interpretimi ndër më të ndryshmet. Duke qenë se ai llogaritej si një internacionalist, madje edhe dashamir i shqiptarëve, një pjesë e kreut komunist të Kosovës, pretendonte se atë e kishte likuiduar OZN-ja me qëllim për të marrë  pretekst dhe  për të vrarë një numër shumë të madh të shqiptarëve. Këtë teori e kishin mbështetur jugo-komunistët e Titos me qëllim që ta tregonin përcaktimin e tyre politik për Beogradin, duke mohuar mundësinë e vrasjes së tij nga shqiptarët. Ata fshihnin faktin e Milladin Popoviqi kishte ideuar dhe nënshkruar vendimin për Shpalljen e Gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë dhe sulmin barbar e fashist kundër  Drenicës me 39.000 forca ushtarake. Haki Tafa e kishte kryer atentatin duke goditur kokën e kriminelit, që fshihej nën petkun e komunistit internacionalist.

(Haki Taha, u lind në Gjakovë, në vitin 1913. shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Shkollën fillore “Kosova” në Krumë të Hasit, në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shinavlash të Shqipërisë. Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha, ku, bashkë me shokët e vet, Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe. Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit dhe shumë i nderuar nga populli. Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar, Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i ogranizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat fashiste të “liktorit”, t’i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, si kishte vendosur qeveria e tij. Pas vizitës së kryeministrit Mustafa Kruja, pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, u hap edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare).

 

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …