Pashk Quni

Pashk Quni: NËNË DUAM DREJTËSI!

(Kushtuar viktimave të Masakrës së Dubravës)

 

Nënë,

S` m’i ke pa plagët e shtatit!

S` m’i ke pa rrekët e gjakut!

S` ma ke fshirë djersën e ballit!

 

Barbarët m’ vranë,

As varr nuk m’ dhanë

Më flakën n’ greminë,

Ta fshehin barbarinë.

 

Nënë, dua ta kem varrin,

Aty trupi t` më pushoj.

T` më shërohen ato plagë shtati,

Që gjakatari m`i shkaktoi.

 

Nënë, dua dhe një gur varri,

Zemra ty të mos gjakon.

Le të dihet e të shihet,

Se aty korpi më pushon.

 

Nënë, dua edhe gur muranë,

Që koha t` mos e  harrojë.

Ta vendosësh në atë vend,

Në atë lëndinë me barë t’ njomë,

Ku barbari  më pushkatoi.

 

Gurin  për varr zbriteni nga mali

Ku për luftë jam përgatit.

Që me shokë e vëllezër së bashku,

Barbar ziut  i zinim pritë.

 

Nënë, e  dua një gur muranë

Ta vendosni aty ku m’ vranë, e mbarova

Merreni atë gur nga carani i vatrës

Se pranë tij  u rrita e u burrërova.

 

Gur muranë e dua caranin e vatrës,

Pranë tij shtatin e kam rritë.

E nënëlokja piqte bukë misri

E pastaj e ngjyeja n` kripë.

Nënë, dua varr n` tokën e t’ parit,

Se për këtë tokë ata m’ vranë.

Nuk ia lë trojet barbarit!

Tokën time t’ shtrenjtë,

Kosovën time t’ shenjtë,

Po jua lë vajzës dhe djalit!

 

Nënë, dua drejtësi,

Që t` zë vend guri varrit

T` mos lëviz guri i muranit,

T’ mos harrohet krimi i barbarit.

 

Nënë, unë dua edhe drejtësi!

E dua për vete e dua për të tjerët

E dua për tokën time t’ shtrenjtë

E dua për ty Kosova ime e shenjtë!

 

Ata, na vranë në pabesi,

Të burgosur, të ndryrë ishim

Na i humbën edhe kufomat

Në humnerë na i flakën trupat

Që për Kosovën rritë i kishim

 

Ata donin, që këtu, t’ shuhej jeta

Himnin qyqet ta këndojnë

E t’ mos dihet e vërteta,

Dimri e korbat të mbretërojnë!

 

Jeta nuk shuhet, veç u vranë trimat

Këtu tash këndojnë bilbilat e kanarinat,

Këndojnë arie, më nuk janë në kafaz

Jetojnë në liri, plot shend e gaz.

 

Mund të burgoset njeriu

Nuk mund të burgoset njerëzia

Nëse i burgosën  djemtë  shqiptarë

Nuk mund të burgoset shqiptaria!

 

T’ lira fluturojnë shqiponjat

Lartë valon flamuri kuq e zi

Me shkabën dy krenare

Mbi tokat shqiptare.

 

Nga gjaku e dhembja

Mbijnë lulëkuqet e Kosovës

Të madhërishme e të lartësuara

Do rritën krenare lartë te qielli

T’ praruara me rreze të arta dielli

 

Nga hiri ngritën feniksët.

Gjaku i ynë nuk u derdhë kot!

Liri do të ketë Kosova,

Liri deri në amshim,

Liri për jetë e mot!

 

Mali qëndron i paepur e hije rëndë

Plang e cang m’i kanë rrënuar

Por ka kush që ta rimëkëmbë

Dhe ta ndezë zjarrin në vatrën e shuar.

 

Ma vranë vëllaun,

Ma vranë mikun

Ma vranë shtatin,

Ata ma plagosën shpirtin

 

Të burgosur – duarlidhur ishim

Na i prenë krahët që të plagosur i kishim.

Lirisë, krahët nuk i priten

Aq më të plagosur që janë

Ata krahë më shumë valëvitën

 

 

 

Mali qëndron i paepur e hije rëndë

Votrën ma kanë djegë e rrënuar

Por do ta rindërtoj e do ta rimëkëmbë

Kosova do ta gëzojë lirinë e amshuar!

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …