Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se deri në fund të javës do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, që detyron mbi 1,300 biznese të kalojnë në “tregun e lirë” të energjisë elektrike. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se partia ka angazhuar avokatin Faton Fetahu për të paraqitur kërkesën në Kushtetuese dhe për të kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e vendimit deri në shqyrtim të plotë. “Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor, por një betejë për të mbrojtur bizneset, ekonominë dhe qytetarët nga një abuzim i pashembullt që po rrit çmimin e energjisë me 280%”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. ZRrE ka filluar shkyçjen e bizneseve që nga e shtuna, duke shkaktuar shqetësim ekonomik dhe reagime të shumta nga komuniteti i biznesit.
