PDK-ja kundër mandatit të dytë për Osmanin, Jakup Nura propozon Rifat Jasharin për president

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka deklaruar se subjekti i tij politik nuk duhet t’i japë votën presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për një mandat të dytë në krye të shtetit, duke e akuzuar atë për qëndrime të njëanshme në favor të Lëvizjes Vetëvendosje. Nura ka thënë se gjatë mandatit të saj, Osmani ka dëshmuar qartë, sipas tij, se ka qenë më afër interesave të partisë në pushtet sesa rolit unifikues që kërkon posti i presidentit. “Kemi pasur një takim menjëherë pas zgjedhjeve, por nuk kemi diskutuar për këtë çështje. Unë personalisht mendoj që Vjosa Osmani nuk duhet të ketë votë nga PDK-ja dhe nga asnjë parti tjetër opozitare, pasi është parë qartë që ka mbajtur qëndrime pro Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Nura. Ai ka shtuar se PDK-ja duhet të dalë me një kandidat të vetin për presidentin e ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se figura që do të propozohet duhet të jetë unike, gjithëpërfshirëse dhe e pranueshme për të gjitha partitë politike, në mënyrë që të shmangen përçarjet dhe bllokadat institucionale. Sipas Nurës, emri më i përshtatshëm për këtë post është Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, i cili gëzon respekt të gjerë shoqëror dhe simbolizon unitetin kombëtar.
“Mendoj që ajo nuk duhet të vendoset më në sprovë. PDK-ja do të duhej të dilte me një propozim me një figurë unike dhe përbashkuese, një figurë që vazhdimisht ka kërkuar unitet dhe bashkim të spektrit politik. Në këtë mandat do të ishte e drejtë dhe e mirë që të propozohej Rifat Jashari për president të Kosovës. Do të ishte një nder për Kosovën”, ka theksuar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Çitaku, Haxhiut: As s’do të heshtim, as s’do të dorëzohemi

PDK mbështet protestën më 17 shkurt: Drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, jo politikë

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me protestën …