Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe rezultatit elektoral. Gjatë mbledhjes u theksua se janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, në të cilat PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur bazën e saj tradicionale të votës. Po ashtu, Kryesia ka nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë në të gjitha nivelet e partisë. Si hap i parë drejt konsolidimit të brendshëm dhe forcimit të mëtejmë organizativ, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake. Ky proces do të zhvillohet në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë. Sipas njoftimit zyrtar, procesi do të nisë në javët e ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent, që synon forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e PDK-së për sfidat e ardhshme politike. PDK ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar që, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, të vazhdojë ngritjen e saj si një parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe interesit të Republikës së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
