Pentagoni: Nuk ka ndryshim në dislokimin e forcave amerikane në Kosovë

Një zyrtar i Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka asnjë ndryshim në dislokimin e trupave amerikane, pas raportimeve se mund të ketë reduktime në misionet e jashtme të NATO-s, përfshirë Kosovën. “Nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Pentagonit, duke lënë të kuptohet se prania ushtarake amerikane në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë mbetet e pandryshuar. Kërkesa për koment erdhi pasi gazeta amerikane Politico raportoi, duke cituar diplomatë të NATO-s, se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë reduktim të disa angazhimeve të aleancës jashtë territorit të saj, përfshirë misionin e KFOR në Kosovë. Një zyrtar i NATO theksoi për REL-in se SHBA-ja vazhdon të luajë rol thelbësor në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, duke shtuar se aktualisht rreth 600 trupa amerikane janë të angazhuara në Kosovë dhe udhëheqin Komandën Rajonale Lindje. Kjo komandë kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it përmes patrullimeve, ushtrimeve ushtarake, bashkëpunimit me komunitetet lokale dhe mbështetjes së projekteve të zhvillimit dhe rindërtimit. Aktualisht, në Kosovë shërbejnë rreth 4.767 trupa të KFOR-it nga 33 vende të botës, ndërsa baza ushtarake Camp Bondsteel, pranë Ferizajt, mbetet instalimi më i madh ushtarak amerikan në Ballkan.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza takon ambasadorin italian, thekson bashkëpunimin ekonomik dhe rrugën evropiane të Kosovës

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim ambasadorin e …