Mbi 230 mijë euro nga buxheti i shtetit janë shpenzuar për pagat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndonëse puna e tyre në muajin maj nuk ka zgjatur as dy orë në total. Sipas përgjigjes zyrtare nga Kuvendi, në periudhën nga 15 prilli deri më 13 maj, deputetët janë mbledhur në 24 seanca, por kohëzgjatja totale e fjalimeve dhe diskutimeve është përllogaritur në vetëm 1 orë e 40 minuta. Për këtë kohë minimale pune, 120 deputetë kanë marrë pagë të plotë, me një mesatare prej rreth 1,860 euro secili. Megjithëse disa deputetë marrin shtesa për përvojë, nuk janë përfshirë mëditje në këtë periudhë. Për më tepër, në listat e pagave nuk figurojnë 17 deputetët që mbajnë edhe funksione ekzekutive në Qeveri – përfshirë edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti – të cilët marrin pagat përkatëse sipas pozitave qeveritare. Për muajin prill, 48 deputetë përfituan gjithashtu nga paga kalimtare, që i kushtoi buxhetit edhe 95 mijë euro të tjera. Ndërkaq, më 30 qershor janë ekzekutuar edhe pagat për muajin qershor, duke e çuar totalin e shpenzimeve për paga të deputetëve – për periudhën nga 15 prilli deri më 30 qershor – në mbi gjysmë milioni euro, konkretisht 555 mijë e 633 euro.
