Përfundon numërimi i votave: VV-ja me 57 ulëse, Kurti i treti për nga ndikimi brenda partive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar 100 për qind të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke konfirmuar përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, do të ketë 57 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 deputetë. Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.11 për qind të votave të përgjithshme. PDK-ja është renditur e dyta me 20.19 për qind, LDK-ja e treta me 13.23 për qind, ndërsa AAK-ja ka kaluar pragun zgjedhor me 5.50 për qind të votave. Të dhënat e detajuara tregojnë edhe nivelin e ndikimit të liderëve politikë brenda partive të tyre, bazuar në raportin mes votave personale dhe votës totale të subjektit. Ramush Haradinaj rezulton me ndikimin më të madh, duke marrë 44 mijë vota nga gjithsej 52 mijë sa kishte AAK-ja, apo 84.62 për qind të votës së partisë. Pas tij renditet kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, me 162 mijë vota personale nga 192 mijë vota totale të partisë, apo 84.38 për qind. I treti për nga ndikimi del lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka marrë 404 mijë vota personale nga rreth 487 mijë vota të subjektit, apo 82.96 për qind. Ndërkaq, lideri me përqindjen më të ulët të ndikimit brenda partisë së tij rezulton të jetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka marrë 88 mijë vota personale nga gjithsej 126 mijë vota të LDK-së, apo 69.84 për qind.

Kontrolloni gjithashtu

Parlamenti i ri i Kosovës merr formë: VV-ja siguron 57 ulëse, opozita 43 mandate

Parlamenti i ri i Kosovës tashmë ka marrë formë, pas përfundimit të plotë të numërimit …