Përkujtim për veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brahim Rexhë Berisha

Përkujtim për veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brahim Rexhë Berisha

Me datë 23.02.2021, bëhen 8 vite që kur u nda nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare dhe veterani i UÇK-së Brahim (Rexhë) Berisha, nga fshati Rosujë. Brahimi lindi më 8 dhjetor të vitit 1951, në fshatin Janosh, komuna Gjakovë. Për arsye të veprimtarisë patriotike, xhaxhai Fazliu së bashku me grupin e Demë Ali Pozharit, nga sistemi i atëhershëm, dënohet me 8 vite burg, të cilat i vuan në burgun famëkeq të Goliotokut. Në fillim të viteve të 60-ta, familja Berisha detyrohet të shpërngulet në fshatin Rosujë, komuna e Pejës.

Brahimi, si fëmijë, dhe familja e tij, në fshatin Rosujë të Pejës, i përjetojnë të gjitha përsekutimet e sistemit të atëhershëm barbarë, përsekutimi i kësaj familjeje shkoi deri na atë masë sa edhe u përjashtuan nga e drejta e votës. Vitet e 90-ta Brahimin e gjejnë si kryefamiljar dhe aktivist të çështjes kombëtare. Së bashku me vëllezërit dhe djemtë u organizuan edhe në rezistencën e armatosur kundër okupatorit serbo-sllav.

Shtëpia e Brahim Berishës, së bashku më tërë familjen e tij, gjatë viteve 1997-1999 u bë çerdhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtëpia e Brahim Berishës ishte urë-lidhëse në mes të Lugut të Baranit, Lugut të Leshanit dhe Lugut të Trestenikut. Nëpër shtëpinë e tij kaluan pothuajse të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare, të cilët udhëtonin për Shqipëri për furnizim me armë, si dhe të gjithë ushtarët e plagosur, për të cilët Brahimi dhe familja e tij u përkujdesen, si për sigurimin e medikamenteve, ashtu edhe për ushqimin e tyre. Me datë 23.02.2013, vdekja e pamëshirshme e rrëmbeu Brahimin në moshën 62 vjeçare, duke na lënë në kujtimet tona një veprimtari patriotike, të cilën do ta kujtojmë përjetë me krenari.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …