Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se deputetët ende nuk janë ngarkuar zyrtarisht me mandat, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25. Gruda ka cilësuar interpretimin e Muratit si krejtësisht të pasaktë, duke theksuar se mandati i deputetëve nis ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe jo pas betimit. Ai ka shtuar se mungesa e betimit nuk e pengon fillimin e mandatit, por vetëm ushtrimin e plotë të funksioneve parlamentare. Si shembull, Gruda përmendi faktin se disa deputetë kanë paraqitur kërkesa në Gjykatën Kushtetuese edhe pa konstituimin e Kuvendit – gjë që nuk do të ishte e mundur nëse ata nuk do të kishin mandat. Sipas tij, Murati po ngatërron tri koncepte kushtetuese: fillimin e mandatit, ushtrimin e pjesshëm të funksioneve dhe ushtrimin e plotë të funksioneve parlamentare, çka po çon në një interpretim të rrezikshëm dhe të gabuar të Kushtetutës.
