Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se më 16 shkurt, në të gjitha shkollat publike të kryeqytetit, ora e parë mësimore do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Sipas njoftimit, aktiviteti synon të forcojë te nxënësit njohjen dhe respektin për periudhat kyçe të historisë së vendit dhe përpjekjet për liri e shtetndërtim. Rama theksoi se institucionet e kryeqytetit kanë përgjegjësi institucionale dhe morale që te brezat e rinj të kultivojnë respektin për historinë, sakrificën dhe idealet kombëtare. Ai vlerësoi se kujtesa historike përbën bazë të identitetit qytetar dhe të respektit për shtetësinë, duke e konsideruar këtë nismë si pjesë të edukimit qytetar dhe historik në prag të festës së pavarësisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
