Përurimi i librit “Feniksët e lirisë 8”( Fjala e anëtarit të Redaksisë, Ahmet Qeriqi)

ë respektuar dhe shumë të nderuar familjarë të dëshmorëve!

Nga libri në libër, nga viti në vit, edhe pse me vështirësi mund, dhe në kushte minimale për punë, ne anëtarët e kësaj redaksie, në bashkëpunim me ju familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve, kemi arritur që sot këtu para jush të përurojmë së bashku edhe vëllimin e tetë të monografisë “Feniksët e lirisë”.
Në këtë libër, ashtu sikurse edhe në librat e mëparshëm të kësaj monografie, kemi prezantuar jetëshkrimet për 41 dëshmorët e tri luftërave tona çlirimtare, të cilët luftuan dhe ranë trimërisht, me armë në dorë, në frontet e luftës në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në trojet shqiptare të Maqedonisë. 
Në këtë vëllim janë prezantuar tri biografi të tri dëshmoreve të kombit, Afërdita Ukshini, Lumnije Raka dhe Hadije Spahiu. Biografia e dëshmorit nga Shqipëria, Lefter Koxhaj, i cili ka rënë në Shkup gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Biografia e dëshmorit, Sami Ukshini, i cili ka rënë në luftën e UÇPMB-së, në Kosovën lindore. Pastaj jetëshkrimi për mjekun e luftës së UÇK-së, Shpëtim Robaj, dhe jetëshkrime të tjera të dëshmorëve, të cilët kanë rënë në kohë dhe në rrethana të caktuara gjatë epopesë lavdiplote të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si: Afrim Musliu, Agim Kelmendi, Avdi Xhaçku, Bujar Visoqi, Elfir Behrami, Emrush Buzhala, Faruk Elezi, Faruk Beqiri, Feim Gashi, Gani Paçarrizi, Hajdar Shala, Halit Asllani, Islam Kastrati, Izahir Troni, Kadri Qerimi, Kolë Mirëdita, Liman Morina, Lulëzim Guta, Memë Lleshi, Mentor Zyberaj, Mexhit Mustafa, Mirsad Gashi, Mursel Buletini, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sadedin Hajda, Sadik Osmani, Salih Qerimi, Sami Gashi, Selim Selimi, Sinan Thaçi, Shabi Gërbeshi, Vezir Kolshi, Xhafer Mehmetaj dhe Xhavit Kozhani. 
Ne redaktorët dhe bashkëpunëtorët e kësaj monografie shprehim keqardhje për shkak se dinamika e paraparë për realizimin e këtij projekti ka ngelur shumë prapa, në krahasim me parashikimet tona, të bazuara në besimin që kemi pasur për një përkrahje më se të domosdoshme institucionale.
Megjithatë, në kushte dhe rrethana të tilla, ne do të vazhdojmë punën, duke bërë përpjekje për ta realizuar sa më parë këtë projekt madhor, i cili opinionit lexues e sidomos studiuesve, historianëve dhe publicistëve shqiptarë e të huaj, iu ofron lëndën e nevojshme dokumentare për të gjurmuar dhe për ta shkruar sa më realisht e më denjësisht historinë e luftës të tri ushtrive tona çlirimtare, luftëra këto të cilat kanë bërë kthesë të madhe dhe vendimtare në historinë më të re të popullit tonë.



Sqarim nga Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së”, lidhur me shkrimin “Nuk ka pasur UÇK në Bellacerkë”, botuar në “Koha Ditore” të datës 3 nëntor 2006


Duke përcjellë gjykimin që po zhvillohet në Tribunalin e Hagës kundër kreut politik dhe ushtarak serb, të akuzuar për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, gazetari i “Kohës Ditore” Zija Miftari, mbështetur në dëshmitë e dëshmitarit, Sabri Popaj, ka konstatuar se pjesëtarët e kësaj familjeje nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa emrat e tyre figurojnë në librin “Feniksët e lirisë 1”.
Lidhur me këto të dhëna gjysmake, Redaksia-Dëshmorët e UÇK-së, sqaron se në librin “Feniksët e lirisë 1” nuk figuron fare emri i Agon Popajt, sikur thuhet 14 vjeçar, ndërsa ndodhet emri i Alban R. Popajt, (nëse gazetari apo dikush tjetër e ka ngatërruar emrin) mirëpo, Albani kur është ekzekutuar nga forcat serbe ka qenë 25-vjeçar, meqë sipas shënimeve tona, ai ka lindur në vitin 1974, në fshatin Bellacerkë.
Shëndet S. Popaj, sipas shënimeve të prezantuara në monografinë “Feniksët e lirisë 1” mbështetur në evidencën e Zonës së Dytë Mbrojtëse të TMK-së në Prizren, ka lindur në vitin 1981 dhe në kohën e rënies kishte 18 vjet, e jo 17, siç konstaton dëshmitari.
Në librin “Feniksët e lirisë 1”, po ashtu, nuk figuron fare emri i apostrofuar Nazmi Popaj. Figuron vetëm emri Nesim S. Popaj, i lindur në Bellacerkë në vitin 1965.
Të dhënat për dëshmorët e kombit, të prezantuara në monografinë “Feniksët e lirisë 1”, janë bazuar në regjistrat e Zonave Operative të luftës së UÇK-së-TMK-së, si dhe të kuvendeve komunale.
Në numrat vijues të kësaj monografie prej vëllimit 2 deri në 8, shkrimet biografike për dëshmorët i kanë hartuar anëtarët e Redaksisë.
Redaksia dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Më 4 nëntor 2006

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …