Petrit Hajdari ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Drenasit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai shprehu falënderim për kryetarin Memli Krasniqi dhe Kryesinë e PDK-së për besimin e dhënë. “Drenasi është vendi ku jam rritur e formuar dhe arsyeja pse jam në politikë. Me nderim të lartë e falënderim të sinqertë për kryetarin Memli Krasniqi dhe kryesinë e PDK-së, kam pranuar konfirmimin e kandidaturës sime për kryetar të Komunës së Drenasit”, tha Hajdari. Ai theksoi se rrugëtimi i tij me PDK-në ka qenë i gjatë dhe sfidues, por gjithmonë me krenari, duke bërë thirrje për bashkim dhe unifikim të gjithë qytetarëve të Drenasit rreth vlerave të PDK-së. “Drenasi do të jetojë më mirë sepse këtë do ta mundësojmë ne, të gjithë bashkërisht. Fitorja jonë është e sigurt dhe angazhimi do të jetë maksimal”, u shpreh Hajdari, duke shtuar se e ardhmja e fëmijëve është ajo që duhet t’i bashkojë të gjithë. Ai premtoi një fushatë gjithëpërfshirëse dhe u zotua se do të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj çdo qytetari, pavarësisht bindjeve politike. “Drenasin e kemi të shenjtë. Zemra e Drenasit rreh për shërbim!”, përfundoi Hajdari.
