Pezullimi i aktiviteteve në institucione nga Lista Serbe po ia pamundëson Qeverisë riprocedimin e Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës. Burime jo zyrtare thonë se u nevojiten votat e deputetëve serbë dhe pa u kthyer ata nuk do të ketë riprocedim të marrëveshjes në Kuvend. Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend ta riprocedojë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës. Kjo për faktin se një gjë të tillë nuk po mund ta bëjë si pasojë e mungesës së Listës Serbe në Kuvend e Qeveri dhe kundërshtimit të opozitës për versionin aktual. Procesi i përmbylljes së demarkimit të vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi nuk mund të bëhet pa u kthyer Lista Serbe në Kuvend. Votat e deputetëve serbë i duhen koalicionit qeverisës, meqë Marrëveshjen për Demarkacionin po e kundërshton tash e një vit edhe opozita. Kthimin në Kuvend dhe votimin për versionin qeveritar të demarkacionit Lista serbe do ta kushtëzojë me lëshime të tjera në dëm të interesit të vendit.
