Ish-ndihmës sekretari i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Reeker, ka reaguar lidhur me krizën e vazhdueshme politike në Kosovë, duke e quajtur “turp” situatën e bllokadës parlamentare dhe theksuar se qytetarët e vendit meritojnë qeverisje më të mirë. Reeker u ndal edhe te procesi i dialogut Kosovë–Serbi, ku theksoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përfshira, pavarësisht se kanë edhe prioritete të tjera në politikën e jashtme. “Ka marrëveshje të arritura midis palëve që ende nuk janë zbatuar. Palët duhet të punojnë vetë në zbatimin e tyre, sepse askush tjetër nuk do t’ua zgjidhë problemet në vend të tyre,” deklaroi Reeker. Lidhur me ngërçin institucional në Kosovë, ai u shpreh qartë: “Është turp. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë.” I pyetur nëse është e mundur që çështja e Kosovës të zgjidhet pa përfshirjen aktive të SHBA-së, Reeker tha se një proces dialogu ekziston, por nënvizoi rëndësinë që palët të përqendrohen në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të mendojnë seriozisht për të ardhmen që dëshirojnë të ndërtojnë.
