Pjesë nga letra e mr.Ukshin Hotit, drejtuar një segmenti të inteligjencies së Kosovës, në Prishtinë II

Burgu dhe rrahja

Me siguri ke dëgjuar se prej 1 Mars gjerë më 24 Prill të këtij viti e vuaja një dënim me burg prej 55 ditësh në Burgun e Qarkut të Prizrenit. Gazetat në gjuhën shqipe me atë rast bënin zhurmë. Shumë forume, parti dhe institucione politike protestuan dhe e kërkonin lirimin tim nga burgu. Megjithatë, gati në asnjë rast nuk dëshironin të më “lënin vetëm”. Emri im, në fillim, shoqërohej me kërkesat për mos-burgosjen e Rektorit të Universitetit në Prishtinë, dr. Ejup Statovci dhe kërkesat ishin në vend.

I falënderoj për këtë, por do t’i falënderoja edhe më tepër sikur njëra nga këto gazeta apo sikur njëri nga këto subjekte të kishin dënjuar ta citonin, bile ndonjë pjesë të aktgjykimit, në të cilin do t’i shpjegohej opinionit se përse, në të vërtetë, isha i dënuar dhe e vuaja dënimin me burg?

Realisht kisha dashur t’i bëja homazhe viktimave të rënë për demokraci, në Brestovc, më 27 Janar të vitit 1990. Me 27 Janar 1992 ishte dy vjetori i masakrës, kur u vranë 4 protestues dhe u plagosën 19 të tjerë. Këtë ditë, u plagos rëndë një kushëri i imi, studenti, Gafurr Hoti dhe dy të tjerë qenë lënduar lehtë. Gafurri ishte i plagosuri i 20-të gjatë dy viteve të fundit. Është tregim në vetë mënyrën  informimit të opinionit për këtë rast në kohën kur ndodhi, por nuk do të lëshohemi në analizën e tij. Prapavija politike e këtij tentimi, e kjo shihej edhe nga aktgjykimi i Gjykatës për kundërvajtje në Rahovec, ishte kërkesa për jetësimin e Republikës, por u veprua sikur mos t’i kishim pasur interesat e njëjta.

Përse ?

Me 27 Maj të këtij viti i bëra një vizitë, zotëri, Adem Demaçit – Bacit dhe grevistëve të tjerë të urisë ne Pallatin e Shtypit në Prishtinë. Në rrugë e sipër për në Krushë desha t’i vizitoja disa shokë të burgut, për të cilët kisha lexuar në shtyp se ishin rrahur keq nga ana e policisë.

Policia në Komoran e bëri kontrollin e rastit të dokumenteve të vozitjes. Në pyetjen time të drejt për drejt se a ishte rruga e hapur për në Gllogovc, polici iu përgjigj me një kundër-pyetje,  se në mos kisha dëgjuar ndryshe?

Duke mos dashur ta zgjasja bisedën, përgjigjën e tij e interpretova si pozitive dhe së bashku me bashkudhëtarin tim, një i ri-student, djalë i një shoku tim të klasës nga shkolla fillore, Agron Nebih Limanin nga Krusha e Vogël, vazhduam rrugën për në Gllogovc.

Patrulla e dytë policore na ndali të stacioni i autobusëve dhe na dërgoi në stacionin e policisë.

Atje, më morën  në bisedë informative në katin e parë, kurse Agronin e mbajtën poshtë në korridorin e hyrjes, ku edhe e kishin rrahur. Duke deklaruar qëllimin tim, nuk munda ta ndaja mendimin e tyre për fajësimin pa fakte të shqiptarëve, rreth vrasjes së dy policëve në Gllogovc dhe plagosjen e disa të tjerëve. Nuk i kisha dhënë kurrfarë rëndësie ekzistimit të versioneve të ndryshme mbi këtë ngjarje fatkeqe. Megjithatë, ata më siguruan se i kuptonin motivet humane të vizitës sime dhe se nuk do të me pengonin.

Rreth orës 21:00 dhe pas një kontrollo të hollësishëm të veturës na lëshuan, por rrugës duke u kthyer nga stacioni i policisë, ndodhej  një pizgauer përplot policë.

Të udhëkryqi, afër stacionit të autobusëve, u ndal duke u bashkuar me patrullën tjetër policore që priste aty. Na ndaluan dhe e bënë të veten në mënyrën e vetë.

Isha tërësisht të përgjakur. Nuk kishte ndonjë kuptim vizita ime në Gllogovc dhe ndaj u kthyem për në shtëpi. Pra, rrahja brutale nuk ndodhi në Komaran, sikur deklaroi  Ibrahim Rugova në një konferencë shtypi, por në Gllogovc.

Mjekët në Rahovec, pastaj kanë konstatuar një bri çarë: një turi të çoroditur nga goditjet e policëve dhe një organizëm të dërmuar,  shprehur me terminologjinë mjekësore. Gazeta “Bujku” në Prishtinë nuk e botoi asnjëherë  fotografinë, edhe pse gjendjen time fizike e kishte nënshkruar konsiliumi  i mjekëve.

Edhe këtë herë, fjala është për relativizimin e vazhdueshëm të rëndësisë së akteve politike, por qëllimet mbetën të pa njohura dhe me dy kuptime.

Sidoqoftë do të kisha dëshiruar që shërbimet e  informimit të shtetit dhe jo vetëm të LDK-së ta përmirësonin informimin, në drejtim të korrektësisë për gjërat që kanë të bëjnë mu mua. Është interesant se këtë mungesë evidente të korrektësisë e ndieja qysh para ngjarjeve të vitit 1981 dhe jo vetëm tani apo gjatë dekadës së viteve 1982, me rastin e gjykimit të parë, por atëherë unë nuk isha edhe aq korrekt me veten, ndonëse nuk u pendova asnjëherë.

As gjatë dy rasteve të përshkruara të fundit, ndonëse, shumë njerëzve vinin të më vizitonin, ti nuk dënjove ta lejoje bijën tonë, Erletën të ma bënte ndonjë vizitë, qoftë edhe të shkurtër. Në të vërtetë, as që e prisja një befasi të këtillë, por mendoja se ndoshta diçka kishte ndryshuar në rezonimin e moçëm politikë dhe duke mbetur pa mbështetjen e tij, shpresoja se një çik do të ndryshonte edhe avazi i vjetër.

Shembujt e përshkruar më lartë e tregojnë mjaftë bindshëm përmbajtjen e këtij avazi – një kushtëzim i pa fund për re-integrimin në shoqëri, por me koncizitet të duhur dhe pa emocione, në një letër drejtuar miqve tonë të dikurshëm Karl-Peter dhe Petra Reinhold në Dusburg të Gjermanisë, ku përshkruhet situata në të cilën u ndodha falë këtij rezoni dhe këtij avazi.

Kjo letër ka edhe rëndësi të shumëfishtë për analizën e një kohe të tërë ndër ne. Për këtë shkak e përktheva nga anglishtja dhe e integrova në këtë letër. Përveç një pasusi të shkruar gjermanisht nga  një mik i vjetër që nuk ka të bëjë në këtë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …