leoni

A. Qeriqi: Letra e Ukshin Hotit e vitit 1993, drejtuar inteligjencies shqiptare të Kosovës I

Në korrik të vitit 1993, mr. Ukshin Hoti, i burgosur politik dhe njëri ndër politikologët më të njohur të kohës, fati i të cilit ende nuk dihet, opinionit shqiptar, apo inteligjencies së kohës i kishte dërguar një letër të gjatë, ku kishte shprehur mendimet dhe gjykimin e tij politik, shoqëror, duke i ndërlidhur edhe disa raporte familjare, në mënyrë që letra të ishte paksa e tërthortë dhe të mos bëhej  shkak për ndjekje penale nga pushtuesi, i cili e mbante nën vëzhgim të pandërprerë. Ishte i vetëdijshëm për të gjitha, andaj  asokohe  e kishte shfaqur krejt hapur qëndrimin e tij kritik, realist, të cilin nuk e përfillte  klasa intelektuale, apo inteligjencia e Kosovës, LDK-ja, por as partitë e tjera politike. Megjithatë, Ukshin Hoti, së bashku me simbolin e Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi dhe profesor, doktor Rexhep Qosen ishin tri  personalitete me shumë ndikim, të cilët politika pacifiste e Rugovës, i mbante në distancë dhe  nuk i honepste, për shkaqe, atëherë dhe tash, të njohura.

               Konceptet e qarta politike, kalitja nëpër burgje, vizioni real dhe i mirëfilltë për ardhmërinë, diskurset realiste dhe pa ekuivoke, që shprehnin publikisht, Adem Demaçi Ukshin Hoti, Rexhep Qosja ishin larg më të emancipuara, më të përparuara, shumë më të stisura politikisht e kombëtarisht,  sesa ajo që dinte apo shprehte i pari i LDK-së, Ibrahim Rugova dhe  intelektualët-partiakë që ishin tubuar rreth tij.

             Ukshin Hoti kishte formuluar një gjykim të prerë për veprim politik, i cili përmblidhej me formulimin: “Bëje ose vdis!”.  “Nëse e kemi shpallur Republikën, nëse i besojmë veprimit tonë, atëherë duhet të bëjmë atë, ose të vdesim!”. Rruga tjetër nuk shkon në favorin tonë, por vetëm e zgjatë agoninë tonë. Ky konstatim i pjekur politik, të cilin kanë pasur rast ta dëgjojnë të gjithë ata që kanë biseduar dhe kanë mbajtur kontakt me Ukshin Hotin, ishte tejet decidiv dhe atakonte, në radhë të parë pushtuesin serb dhe kreun politik të LDK-së, parti kjo që në opinion paraqitej si Lëvizje e përgjithshme shqiptare, por në esencë ishte parti politike, legale,  e regjistruar në Beograd, sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë komuniste, në procesin e shpërbërjes definitive.

                  Letra e gjatë e Ukshin Hotit, të cilën do ta botojmë në vazhdime dhe me komentime të caktuara  është një vepër e veçantë, është një manifest i mendimeve dhe  veprimeve politike të kohës, e cila duhet të studiohet me shumë kujdes, për ta ndriçuar në tërësi gjendjen politike të viteve ’90, por edhe jetën e tij në raport me familjen, shokët e burgut dhe intelektualët e Kosovës.

                 Veprën dhe jetën e  Ukshin Hotin ende nuk e njohim sa duhet. Pavarësisht se mos ndriçimi i fatit të tij, po na mbanë peng gjatë tërë kohës së pas luftës, vepra e tij është dhe do të jetë me ne dhe ajo është burim i shumë të dhënave dhe duhet të na shërbejnë sidomos tani kur Kosova po kalon përmes një presioni virulent ndërkombëtar, me qëllim të rehabilitimit të Serbisë dhe pranimit të saj në BE, duke diskredituar luftën e UÇK-së, madje edhe vetë intervenimin e NATO-s kundër Serbisë kriminale, jo vetëm të Milosheviqit.

Mr.Ukshin Hoti: Letër drejtuar dr.Edi Shukriut dhe një segmenti të inteligjencies së Kosovës, në Prishtinë  I

 

Re-integrimi i kushtëzuar !

Këto ditë, Këshillit Mësimor-Shkencor të Fakultetit filozofik të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë, ia dorëzova kërkesën për formimin e komisionit për vlerësimin e përshtatshmërisë në tërësi  dhe të kandidatit për tezë të doktoratës. Kjo u  bë, por megjithatë, gjërat disi sikur kanë mbetur pezull, tani një kohë bukur të gjatë. Nga disa indikacione të raporteve të mija të deritanishme me Fakultetin dhe me shoqërinë në tërësi, kam fituar përshtypjen se pranimi im atje dhe re-integrimi im në shoqëri, bëhet disi në mënyrë të kushtëzuar, ndonëse formalisht nuk ekziston asnjë arsye për të qenë kështu si është.

Le ta ilustrojmë përshtypjen në fjalë:

1) Nuk m’ është lëshuar ndonjëherë vendimi për kthimin tim në vendin e punës, të ndërprerë  para 12 vitesh. Duket se nuk është akoma e qartë nëse do të duhej të lëshohej vendimi për kthimin tim në vendin e punës, apo vendimi për zgjedhje në vendin e punës, me të cilin të 12 vitet e punës së ndërprerë, do të mbeteshim pezull, juridikisht, ato  nuk do të ekzistonin dhe gjithçka do të rifillonte nga aty, ku patëm mbetur para 12 vitesh. Rreth kësaj çështjeje nuk pyeta ndonjëherë dhe unë as që u përzjeva gjer në sot:

2) Ndoshta, edhe duke u mbështetur në këtë status të pa qartë, gjatë gati dy viteve të fundit shkollore të punës sime aty, nuk u ftova ndonjëherë dhe as që mora pjesë në mbledhjet e Katedrës ku punoja dhe përveç rastit të fundit, as të Këshillit mësimor-shkencor të Fakultetit. Mbetesha, thjesht, i pa informuar për mbajtjen e tyre, me pretekstin se do të më shkaktonin  shpenzime të mëdha të rrugës:

 3) Gjatë vitit të kaluar shkollor zhvilloja ligjërata të rregullta, por gjatë këtij viti i mbaja vetëm provimet. Si me ndonjë magji u patën zhdukur mundësitë e gjetjes së sallës, edhe  kur unë desha vetë desha t’i paguaja ndonjë pronari kohën e shfrytëzimit  të ndonjë salle,  atëherë “u zhduk” edhe interesimi i studentëve për këtë. Kjo, po ashtu,  u bë si me ndonjë magji dhe përsëri u gjetën pretekste “prekëse” si p.sh shpenzimet e mëdha të studentëve për rrugë, të cilat për çudi nuk ishin të mëdha për dëgjimin e ligjëratave nga lëndët e tjera ( të profesorëve të tjerë).

Këto ligjërata, natyrisht, ishin të kohës, i njoftonin studentët me gjërat elementare nga politika, por dikush në vend të tyre kishte vendosur që studentët  të mësonin vetëm Aristotelin dhe Kantin, pa e ditur se ç’do t’u hynin në punë më tutje. Në Fakultetin Filozofik dhe në Universitetin e Prishtinës në tërësi akoma shumë gjëra mbeten të pa qarta dhe shpjegimi i vazhdueshëm për këto paqartësi mbetët gjendja e përgjithshme e okupimit në Kosovë. Nuk e ndaj plotësisht këtë mendim, pasi që, gjendja e përgjithshme e okupimit në Kosovë mund të pengojë realizimin e asaj që do dhe përfitimit  të diturisë të  asaj çka do.

Mirëpo, tani do të vazhdohet në ilustrimin e gjendjes nga një sferë e tjetër e jetës.

Telefoni i kooperativës në Krushë

Disa djema të mirë të Kooperativës së Krushës, një ditë, më premtuan se do të ma jepnin një  numër të tepërt të telefonit të tyre, të cilin do të mund ta instalojnë në shtëpinë-kasollen time private dhe ta shfrytëzoja për vete. Në momentin e fundit, megjithatë, një drejtor i PTT-së, në Prizren i kombësisë shqiptare, u kishte shpjeguar se meqë ishte fjala për mua, ata duhej t’ia kthenin PTT-së numrin e tepërt të telefonit të tyre dhe pastaj unë t’i drejtohesha vetë me lutje për instalimin e telefonit. Ndoshta drejtoria e PTT-së do të vendoste të ma jepte numrin e kthyer të Kooperativës, në Krushë. Shpenzimet për këto operacione do të kapnin shumën prej rreth 1200 DM. Natyrisht se hoqa dorë nga kjo punë, duke u ngushëlluar në faktin se telefonat në Krushë punonin vetëm atëherë kur u tekej dhe jo sipas rregullave teknike. E kisha përshtypjen se edhe po t’i kisha ato 1200 DM. do të gjeja ndonjë pretekst tjetër, për t’a zhagitur punën deri  në atë shkallë kur do të mërzitesha nga ajo si me: “dodji drugi put” ( eja herën tjetër) kur shkoja ta kërkoja pasaportën time. Shpenzimet do të ishin aq të mëdha sa që nuk do t’ia vlente barra qiranë të insistoja dhe më tutje.

Edhe në këtë rast, gjërat ishin të qarta.

Regjimi okupues insistonte në njohjen, dhe atë përmes vetë shqiptarëve. Respektimi i procedurës në këtë rast i mundësonte atij pagesën e dyfishtë, pasi që një herë, numri në fjalë i telefonit është paguar me rastin e ndarjes për kooperativën. Pra, regjimi në fjalë, jo vetëm që insistonte në njohjen e shtetit, por edhe në përfitimin material nga rasti.

E përse jo?

Reagimi i shqiptarëve edhe në këtë rast ishte që të prisja unë rregullimin e situatës së përgjithshme dhe jo që ta prisnim së bashku. Atëherë, me siguri, do të mund të ma ndanin ndonjë numër të telefonit si profesor Universiteti që isha, që  do të thotë se këtë do të duhej ta lejonte pushteti politik dhe atë posaçërisht për mua, pasi që të tjerëve që e pretendojnë aktivitetin politik në favor të çështjes nacionale,  dhe të cilët në ndërkohë u bënë shumë më të zëshëm dhe bile me radikalë se unë, fare nuk kanë pasur probleme të ngjashme. Kjo më tutje do të thotë se, ose me rradaken politike të regjimit të huaj serbo-sllav nuk është diçka në rregull, ose nuk është diçka në rregull me praktikën tonë politike. Në të dy rastet, diçka mbetët pezull, e pa shpjegueshme. Është koha të shpjegohen…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …