Brickos

DR. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë XXVIII

Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:

“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave  e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve  e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Nr. 73

Relacion.

Mbi qëndrimin e shtypit turk rreth ngjarjeve në Kosovë.

Ankara, më 15 tetor 1981

Ngjarjet e Kosovës prej disa muajsh janë bërë temë  e ditës edhe e shtypit turk. Që nga marsi i këtij viti dhe deri sot, ky shtyp i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtyre ngjarjeve dhe nuk ka mbetur gazetë qendrore e lokale që të mos i jetë referuar ngjarjeve në Kosovë.

Tema e Kosovës, krahas trajtimit që i është bërë asaj më lajme, kronika e reportazhe, vazhdimisht ka ardhur duke u thelluar deri në komente të rëndësishme që kanë bërë gazetarë e komentatorë të njohur turq lidhur më ngjarjet që u zhvilluan e zhvillohen atje.

Gjatë 6-muajve, në total, nga sa ka mundur të mbledhë kjo përfaqësi, shtypi turk ka botuar 400 shkrime, lajme, artikuj, komente, kronika etj, rreth ngjarjeve në Kosovë, të cilat në përgjithësi kanë qenë pozitive dhe në mbështetje të kërkesave të drejta të popullit e rinisë kosovare e që kanë dënuar direkt e indirekt ndërhyrjen brutale e masakrat e shovinistëve serbë në Kosovë.

Një sasi e tillë shkrimesh tregon fare qartë se shtypi turk ka qenë orientuar ti ndjekë këto ngjarje më precedencë dhe ti reflektoj nga burime të ndryshme që do të siguronte. Kjo për faktin se këto ngjarje ndodhnin në një vend ballkanik si Jugosllavia, por edhe sepse në Turqi banojnë masa të mëdha shqiptarësh, të cilat janë të shqetësuara dhe ndjekin më shumë interes çka po ndodh në Kosovë.

Në fillim shtypi turk dha disa njoftime të vogla, të cilat u referoheshin ngjarjeve të ditëve të para të marsit. U përdoren në këto lajme burimet e Beogradit. Pas 27 marsit gazeta qendrore “Hyrijet” reagoi fuqishëm rreth ngjarjeve në Kosovë dhe për disa ditë rresht në vende të dukshme dhe më tituj të mëdhenj ajo botoi lajme e njoftime për zhvillimet atje. Lajmet e njoftimet jepeshin pa burime dhe në to kish më tepër një karakter sensacional dhe bujë e jo ndonjë thellim e analizë.

Gjerësisht shtypi turk reagoi veçanërisht pas ngjarjeve dhe demonstratave të 1 dhe 2 prillit 1981. Prej asaj kohe e deri në sot lajmet e kronikat lidhur më ngjarjet në Kosovë kanë ndjekur njëra tjetrën dhe në disa gazeta si “Ege telegraf” në Izmir e ndonjë tjetër ato kanë qenë permanentë.

Më kalimin e kohës shtypi turk kaloi nga lajmi e kronika tek komenti politik dhe gjatë muajit shtator pati komente të forta antijugosllave shkruar nga pena shumë të njohura turke si komentet në gazetën “Milijet”, “Hyrijet” e ndonjë tjetër. Po ashtu mjaft fortë reagoi edhe shtypi i qytetit të Izmirit, ku dihet se banojnë masa të mëdha shqiptarësh, i cili botoi një kronikë të gjatë dhe më titull shumë të madh në vendin e kryeartikullit “Shqiptarët vjellin gjak në Kosovë”. Po atë ditë gazeta qendrore “Gynajden” botonte një kronikë gjithashtu të gjatë në faqe të parë që tregontë lëvizjen e tankeve në Kosovë nën titullin e madh e të dukshëm “Gjuetia e shqiptarëve në Kosovë”.

Në përgjithësi shtypi turk ka mbajtur një qëndrim total antijugosllav dhe ka reaguar ashpër ndaj masakrave të shovinistëve serbë në Kosovë si dhe pasigurisë se madhe që kalon sot Jugosllavia. Javët e fundit vërehet që qëndrimi antijugosllav po thellohet, nuk ka vetëm shkrime që diskreditojnë politiken jugosllave e serbomadhe në Kosovë, por dhe shkrime të tjera antijugosllave, si për rritjen e çmimeve në Jugosllavi, për mosmarrëveshjet turko-jugosllave për probleme të komunikacionit etj. Kjo propagandë ka ardhur në rritje dhe është shoqëruar edhe më komente të veçanta që tërheqin vëmendjen.

Megjithatë duhet thënë se si pasojë e punës se madhe që bëjnë jugosllavët për të fshehur e shtrembëruar të vërtetën e ngjarjeve në Kosovë ka pasur tek tuk edhe ndonjë shkrim në favorin e tyre, i cili ka mbetur fare pa jehonë. Në total shkrime projugosllave nuk numërohen më tepër se 10, gjë që në raport më numrin e madh të shkrimeve që ka botuar shtypi turk gjatë këtyre 6-muajve tregon qartë për një qëndrim të fortë antijugosllav dhe në mbështetje të kërkesave të drejta të popullit dhe rinisë kosovare.

Ky qëndrim i shtypit turk, nga sa ka mundur të mësojë kjo përfaqësi, ka shkaktuar një shqetësim shumë të madh në ambasadën jugosllave këtu, e cila më gjithë aktivitetin e madh për të parandaluar këtë propagandë antijugosllave nuk ja ka arritur qëllimit. Po ashtu ky qëndrim më sa duket ka influencuar edhe në rritjen e pakënaqësisë se madhe në masat e shqiptarëve që banojnë në Turqi ndaj autoriteteve Serbë e jugosllave, gjë që në disa raste i është shprehur edhe kësaj ambasade nga shqiptarë të ndryshëm gjatë Takimeve më ta. Kjo gjë ka influencuar gjithashtu që në Kosovë të përpunohet një opinion i qëndrueshëm sipas se cilit shtypi turk ka mbështetur dhe ka qëndruar në krah të demonstruesve e të Kosovës.

Duhet thënë se ndërsa ka mbajtur qëndrime të tilla në përgjithësi antijugosllave, në të njëjtën kohë, shtypi turk, ka mbajtur qëndrime shumë të favorshme e pozitive lidhur më artikujt e gazetës sonë “Zëri i Popullit” rreth ngjarjeve në Kosovë. Ato kanë gjetur jehonë të mirë dhe tezat e këtyre artikujve janë pasqyruar vazhdimisht në faqet e shtypit turk. Ambasada ka punuar më këta artikuj, duke i pjesëzuar ata dhe ka furnizuar çdo ditë shtypin turk. Kështu gazetat turke, për ngjarjet në Kosovë, nuk kanë pasur vetëm burimet e Beogradit dhe ato perëndimore, por për javë të tëra rresht ato kanë pasur dhe qëndrimin e Shqipërisë dhe kanë mundur të pasqyrojnë mirë këtë qëndrim.

Është Karakteristikë të shënohet se për problemin e Kosovës është angazhuar shtypi i madh turk. Tërë gazetat qendrore e lokale të vendit pa përjashtim i kanë bërë jehonë shumë të mirë artikujve të shtypit tonë për problemin e Kosovës, ato u janë referuar direkt tezave e qëndrimeve tona dhe ka pasur edhe gazeta si në Ankara që kanë botuar për ditë të tëra rresht pjesë nga artikujt e “Zërit të Popullit”.

Kjo ka bërë që opinioni vendas të njihet gjerësisht më qëndrimin e vendit tonë për problemin e Kosovës dhe të krijohet një opinion i favorshëm për kërkesat e vëllezërve kosovarë. Janë të shumtë miqtë e dashamirësit e Shqipërisë që vazhdimisht na i kanë vënë në dukje qëndrimin pozitiv të shtypit turk ndaj tezave e qëndrimeve tona për problemin e Kosovës si dhe më e hapur në favor të popullit e rinisë se Kosovës.

Kështu p.sh. opinioni turk priti më mjaft kënaqësi kryeartikullin  e gazetës qendrore “Gynajden” më titullin e madh “Shqipëria ja këndoi në fytyrë Jugosllavisë”, që i referohej artikullit tonë të 8 marsit duke e shoqëruar edhe më fjalët e shokut Enver. Duhet shënuar këtu se sa herë shtypi turk u është referuar  artikujve tanë, nuk kanë munguar të vihen edhe vlerësime të ngrohta e miqësore për figurën e shokut Enver Hoxha dhe rolit të tij në qëndrimet e drejta e parimore të vendit tonë për problemin e Kosovës.

Duhet theksuar se mjetet e propagandës jugosllave nuk kanë ndenjur pasive në drejtim të Turqisë dhe vazhdimisht është punuar më synime të caktuara për ta orientuar shtypin turk në kanalet që kanë dashur jugosllavët. Por më gjithë këtë punë intensive prej tyre nuk i është arritur qëllimit dhe propagandës jugosllave që në nismën e saj mbeti pa kurrfarë jehonë e mbështetjeje. E kundërta ndodhi më propagandën e artikujt tanë, jehona e të cilave që e madhe dhe për këtë dëshmon edhe vetë numri i madh i shkrimeve që botoi shtypi turk vetëm brenda një 6-të mujori, mesatarisht i bie 2.5 shkrime në ditë. Duhet shënuar gjithashtu këtu se propaganda jugosllave lidhur më ngjarjet në Kosovë u neutralizua që më artikullin e “Zërit të Popullit” të 8 prillit 1981 dhe më artikujt e tjerë ajo u shkatërrua fare.

Jugosllavët në punën e tyre më shtypin turk pas ngjarjeve në Kosovë pësuan një fjasko të plotë dhe ketë e kanë theksuar herë pas herë edhe miq të shumtë të përfaqësisë. Sipas tyre, jugosllavët nuk arritën të ngrenë shtypin turk në favor të tyre, përkundrazi ky shtyp u kthye kundër tyre dhe krahas shkrimeve të forta lidhur më Kosovën erdhi duke u thelluar edhe një propagande antijugosllave edhe për probleme të tjera, si për prapambetjen ekonomike të këtij vendi etj.

Kjo e qarë u shfrytëzua shpejt nga ambasada dhe u bë e mundur që të thellohej qëndrimi i shtypit turk lidhur më ngjarjet në Kosovë në favor të tezave e qëndrimeve tona si dhe kërkesave të drejta të popullit kosovar. Mendimi ynë është se sot shtresa të tëra të popullit turk kanë të qartë dhe mbështesin kërkesën e drejtë të shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, e cila përmblidhet në parullën “Kosova-republikë”.

Pas artikullit të 17 majit të gazetës “Zëri i Popullit” jehona në favor të tezave e qëndrimeve tona erdhi akoma edhe më shumë në rritje dhe në raport më lajmet e kronikat më burim nga Beogradi, shkrimet më burim nga vendi ynë u bënë edhe më të shumta dhe në to filloi të shkruhej gjithnjë e më gjerë, duke kaluar edhe në komente më qëndrime tashmë të prera antijugosllave.

Përfaqësia punoi që kjo jehonë të që permanentë dhe jo më zig zage dhe në realitet kështu ndodhi. Shtypi turk, nëse shihet dinamika e shkrimeve u angazhua vazhdimisht lidhur më Kosovën dhe si burim kanë qenë edhe materialet e përgatitura nga kjo përfaqësi, në bazë të artikujve të shumtë që botoi gazeta “Zëri i Popullit”. Kjo është konsideruar si një nga detyrat tona kryesore dhe më gazetat e gazetarët është punuar në mënyrë intensive dhe vëmendje të veçantë. Njëkohësisht i është kushtuar kujdes edhe punës më shumë agjenci të shtypit turk që përgjithësisht kanë reaguar pas çdo materiali që u është dërguar nga ana jonë.

Si konkluzion mendojmë se shtypi turk ka qenë i angazhuar shumë për ti bërë jehonë ngjarjeve në Kosovë dhe duke botuar e bërë jehonë tezave e qëndrimeve tona ai i ka dhënë një goditje të fortë përpjekjeve të jugosllavëve për të ngjallur një fushatë armiqësore antishqiptarë në Turqi. Si rrjedhim mund të themi se shtypi turk ka mbajtur një qëndrim miqësor dhe në favor të tezave tona e të kërkesave të popullsisë shqiptarë që jeton në trojet e saj në Jugosllavi, ka evidentuar mirë masat e dhunës e reprezaljet ndaj tyre si vrasjet, plagosjet, arrestimet, pushimet nga puna, ndryshimet masive të kuadrit që nga ai lokal e deri në instancat më të larta etj.

Për këto qëndrime në radhë të parë pa dyshim ka influencuar autoriteti gjithnjë në rritje i Partisë, popullit tonë dhe shokut Enver Hoxha në masat e popullit turk, i cili është një realitet i gjallë dhe i pa diskutueshëm dhe që organet e propagandës turke e mbajnë parasysh. Po ashtu, në këtë drejtim influencon edhe faktori i masës milionëshe shqiptarë që banon në Turqi dhe që ka lidhje të shumta e gjithanshme më Kosovën.

Këto qëndrime të shtypit turk tregojnë edhe një herë për miqtë e simpatizantët e vendit tonë që punojnë në gazetat e Turqisë, të cilët dhanë kontribut kryesor në tërë këtë jehonë të madhe të tezave e qëndrimeve tona rreth ngjarjeve në Kosovë. Mbetët detyrë që këto lidhje të shtohen e shumëfishohen gjithnjë e më shumë në të ardhmen.

Mbetët gjithashtu detyrë që të punohet për të thelluar më tej këtë propagandë pozitive në shtypin turk dhe për këtë duhet të shfrytëzohet akoma më mirë se deri tani predispozicioni i këtij shtypi për shkrime për vendin tonë, duke nxjerre mësime edhe nga përvoja pozitive që fituan për organizimin e jehonës në shtypin turk lidhur më ngjarjet në Kosovë dhe qëndrimet e drejta e parimore të vendit tonë.

Ambasadori,

         Gjylani Shehu.

Konc. Dakt. Maksim Kroi

Kopje: (2) dy

Nr. 74

Informacion.

Mbi reagimin e shtypit turk dhe shqiptarëve kosovarë për ngjarjet në

Kosovë.

Ngjarjet e muajit mars nuk tërhoqën shumë vëmendjen dhe aty këtu u dha ndonjë lajme i shkëputur, ndërsa ngjarjet e prillit u reflektuan gjerësisht në shtypin turk e për disa ditë më radhë u bë Tema kryesore e ditës dhe kaloi në plane të parë. Fillimisht, deri para datës 10 prill shtypi në faqet e para, jepte lajme të shumta pa komente më burim nga agjencitë e ndryshme dhe Tanjugu. Në njoftimet e dhëna dominonin lajme të tilla si “Pse i dhemb koka Jugosllavisë”, “Numri i të vrarëve arriti në 11”, “Shqiptarët e Kosovës përpiqen të realizojnë republikën e 7-të”, “Demonstruesit kërkojnë të drejta ekonomike”, “Në rrugët e Prishtinës lëvizin tanket”, “Shtetrrethimi është shtrirë edhe në 6 qytete të tjerë”, etj. Edhe organet zyrtare të propagandës Radio (2 herë) dhe Televizioni (1 herë) dhanë njoftime të shkurtra mbi zhvillimin e demonstratave, numrin e të vrarëve, vendosjen e shtetrrethimit dhe masat e tjera të marra nga Beogradi. E theksojmë këtë se më vonë, më zhvillimin e ngjarjeve, këto institucione nuk dhanë njoftime dhe siç na tha një miku ynë në RT Turk “është dhënë orientim që të mos prononcohen”.

Botimi i artikullit të “Zërit të Popullit” të datës 8 prill, i cili pritej nga organet e propagandës, gjeti jehonë të gjerë si në shtypin qendror, ashtu dhe në atë lokal. Gazeta qendrore “Gynajden” e datës 10 prill në një manshet më ngjyra në krye të faqes se parë e më titull “Shqipëria ja tha hapur Jugosllavisë” botoi pjesë nga artikulli i 8 prillit. Agjencia më e madhe turke “Anadoll” dha 3 njoftime që u botuan në shumicën e organeve qendrore e lokale, ndërsa gazeta qendrore “Milli gazetë” dhe gazeta lokale “Devrin”, “Gynesh”, “Anadoll” e “Jeni Gyn” botuan në disa seri të plotë artikullin. Në faqet e gazetave qendrore “Xhumhurijet”, “Terxhuman” dhe revistës politiko-shoqërore më tirazh 100 mijë kopje “Arajësh”, pati komente nga publicistë të njohur, ku dominonte fryma e artikullit tonë, megjithëse aty këtu pati edhe ndonjë interpretim jo të drejtë. Kjo jehonë, pothuajse çdo ditë 5 artikuj, lajme e komente, vazhdoi më intensitet gati 2 javë dhe shkrimet përgjithësisht ishin objektive.

Pozitivisht kanë ndikuar në opinionin vendas dhe reportazhet e gazetarëve të “Terxhumanit” e “Hyrrjetit”, gazeta këto më tirazh 400 mijë e 600 mijë kopje, megjithëse në shkrime pati edhe pasaktësi, ato ngjallën interes sepse jepeshin në formë përshkrimi nga persona që kishin parë më sytë e tyre zhvillimin e ngjarjeve ose kontaktuar më persona që i kishin jetuar. Veçanërisht lajmi më burim nga Brukseli për vrasjen në demonstratat e Kosovës të 850 vetëve dhe 1200 vetëve të zhdukur. Lajm që u botua në të gjitha organet qendrore e lokale, ngjalli indinjatë dhe krijoi një ide më të qartë mbi proporcionin e realitetin e ngjarjeve si dhe mbi qëndrimin e drejtë të vendit tonë.

Ky reagim i gjerë pozitiv i shtypit turk, krijoi shqetësime e alarm tek jugosllavët, të cilët u hodhën në sulm për ta neutralizuar këtë. Këshilltari i shtypit dhe kulturës i ambasadës jugosllave i tha një mikut tonë gazetar se “Beogradi i kishte tërhequr vëmendjen ambasadës duke e kritikuar rëndë që nuk që në gjendje të neutralizoj propagandën e Shqipërisë”. Nga miq të ndryshëm jemi sinjalizuar se si ambasada, ashtu dhe konsullata jugosllave kanë përdorur Mjete të shumta për të vënë në shërbim të tyre gazetarë të organeve qendrore e lokale. Diplomatët jugosllavë kanë ndërhyrë disa herë në Radio e Televizion si dhe agjencinë “Anadoll”, duke i dhënë edhe material të përgatitur.

Ata kanë shpërndarë dhe vazhdojnë të shpërndajnë gjerësisht në  organet e propagandës turke dhe në shumë gazetarë buletinet e Tanjugut dhe gazetat në gjuhen turqisht “Tan” e “Birlik”. Beogradi i bëri thirrje shoqatës se gazetarëve që të dërgonte disa gazetarë në Prishtinë, të cilët do të priteshin si “miq” nga autoritetet lokale të Kosovës. Jugosllavët arritën të dërgojnë në Prishtinë një gazetar jo të njohur të gazetës “Gynajden”, i cili botoi 3 reportazhe të shoqëruara më fotografi duke u përpjekur, pa bërë asnjë koment më fjalët e bashkëbiseduesve të tregoj se situata është në “rrugën e normalizimit”. Persona zyrtarë që ai mori takim dhe ju referua në reportazh është një farë Nuro Bërdalliu i njohur si turk, i cili u përpoq ti minimizonte ngjarjet, ti konsideronte si të organizuara nga një grup i vogël nacionalist, etj. Këto reportazhe jo vetëm që nuk gjetën jehonë, por nuk u pritën mirë sidomos nga elementi shqiptar, mbasi binin në kundërshtim më deklaratat e mëparshme si dhe më vetë njoftimet e Tanjugut. Edhe ardhja e menjëhershme e ambasadorit të ri jugosllav, Rexhep Xhia i ka shërbyer pikërisht këtij qëllimi, për të organizuar e drejtuar këtë propagandë. Megjithëse nuk ka paraqitur akoma kredencialet, ai po tregohet shumë aktiv duke organizuar dreka e darka e vizita jashtë Ankarasë në zona ku ka shqiptarë. Si në, ashtu dhe konsullatës në Stamboll, nga të dhëna të ndryshme na ka dalë se në Beograd janë dërguar njerëz të posaçëm për të hetuar situatën e për të organizuar dezinformim mbi ngjarjet.

Vlen për tu përmendur se 10 ditshin e fundit të muajit prill në shtypin turk filloi gradualisht që të bjerë jehona dhe arriti deri në atë pikë sa të botojë tek tuk ndonjë njoftim mbi ngjarjet e Kosovës. Megjithëse edhe për artikullin e “Zërit të Popullit” të 23 prillit u morën të njëjtat masa duke e përkthyer e duke ja shpërndarë gjerësisht organeve të shtypit, ai nuk gjeti jehonën e të parit. Në frenimin e saj mendojmë se mund të kenë influencuar:

– Ndërhyrja e jugosllavëve e cila koinçidon edhe më vizitën e figurës numër 2 në Këshillin Kombëtar të Sigurimit, komandantit të forcave tokësore turke, Nuretin Ersin, në Jugosllavi. Ka zëra se vizita e këtij gjenerali (që flitet se është më origjinë shqiptarë nga Ohri) është bërë më kërkesën e jugosllavëve pikërisht në kohën që ngjarjet në Kosovë arritën kulmin. Disa Elementë kosovarë na kanë shprehur shqetësimin lidhur më këtë vizitë, ndërsa një miku ynë, njëri i afërt i qarqeve zyrtare tha se “duhet mbajtur parasysh se Turqia është anëtare e NATOS dhe Jugosllavia është një pion në duart e SHBA e NATOS”. Nga ana tjetër, kjo vizitë bëhet në pragun e mbledhjes se Natos në Napoli, e cila, qarkullojnë zëra, se do të diskutojnë edhe lidhur më ngjarjet në Kosovë dhe qëndrimin e Aleancës se Atlantikut Verior ndaj Jugosllavisë.

– Jugosllavët edhe mund të jenë ankuar lidhur më qëndrimin në përgjithësi anti-jugosllav të shtypit turk dhe pro vendit tonë, i cili ka bërë të krijohet në vend një opinion pozitiv për tezat e artikujve të “Zërit të Popullit” dhe qëndrimin e vendit tonë.

– Vendi i gjerë që zunë për ditë të tëra ngjarjet e Kosovës, njohu opinionin vendas se ç’po ndodh në Kosovë, se popullsia shqiptarë u ngrit në demonstrata e kërkon të drejtat e saj, etj. Sidomos në masën e gjerë të shqiptarëve kosovarë ngjalli interes të veçantë. Ata dënuan më indinjatë dhunën e reprezaljet e organeve jugosllave ndaj vëllezërve të tyre në Kosovë dhe filluan disa lëvizje duke kërkuar dënimin e tyre nëpërmjet manifestimeve, letrave të protestës dhe disa i bënë letra qeverisë turke për të mbajtur qëndrim. Këto reagime në kushtet aktuale që kalon Turqia si dhe faktori kurd, të cilit siç dihet i është mohuar kombësia dhe çdo e drejtë dhe ndaj të cilit vazhdojnë operacionet ushtarake të spastrimit, e kanë shqetësuar shumë qeverinë.

– Dihet gjithashtu se në Kosovë ka një minoritet tepër të kufizuar të kombësisë turke. Fushata e gjerë e shtypit për ngjarjet në Kosovë, dhunën e përdorur, prapambetjen etj, ngjalli në opinionin vendas shqetësime, të cilat filluan të reflektohen edhe në shtyp. Kjo mund të çonte që ti kërkohej qeverisë të mbante qëndrim.

Këto dhe të tjera mund të jenë disa nga shkaqet që kanë shtyrë autoritetet zyrtare turke të udhëzojnë organet e propagandës që të mos i japin vend të dukshëm ngjarjeve në Kosovë dhe të lenë përshtypjen se qëndrojnë larg tyre. Zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë emigracioni shqiptar e ndjek më interesim të veçantë, por në të njëjtën kohë edhe më shqetësim, për perspektiven e tyre, friken nga ndjenja e theksuar e hakmarrjes të shovinizmit serb, për të afërmit që kanë atje, etj. Fillimisht pati edhe Mendime se mos kjo është lojë e vet serbëve e kombinuar kjo më sovjetiket dhe bullgaret. Në këtë drejtim influencuan edhe lajmet më burim nga Beogradi dhe agjenci të ndryshme.

Botimi i artikullit i “Zërit të Popullit” të 8 prillit, që pritej më padurim, sqaroi mjaft pikëpyetje që kishin lindur në masën e emigracionit shqiptar kosovar si rezultat i zërave të përhapur nga jugosllavët dhe krijoi një kuptim të drejtë mbi ngjarjet. Shqiptarët qëndronin ditë e natë pranë radiove për të dëgjuar se çdo të thotë Shqipëria mbi Kosovën, sepse qëllimisht ishin përhapur fjalë se “Shqipëria nuk i përkrah demonstratat”, “nuk interesohet”, se “kërkon të qëndroj larg”, “ka nevojë të ruaj marrëdhëniet më Jugosllavinë”, etj.

Artikujt e “Zërit të Popullit” të 8 dhe 23 prillit gjetën një jehonë mjaft të madhe në masën milionëshe të shqiptarëve kosovarë dhe u bënë Tema e ditës në bisedat midis tyre. Shumë shqiptarë, kur e dëgjuan nga radio ose mësuan qëndrimin edhe nëpërmjet shtypit të vendit, kanë qarë dhe në masë ndeshemi më shprehje të tilla se “Të na rrojë sa malet baca Enver”, “Shqipëria e tha fjalën siç duhet”, se “ajo si gjithmonë qëndroi edhe këtë herë afër vëllezërve të saj” se “fjala e Shqipërisë është ilaçi i ilaçeve”, se “nuk ka si bahet më mirë”, etj.

Qëndrimi i drejtë, i vendosur e burrëror, siç cilësohet nga masa e kosovarëve, u dha zemër e forcoi besimin në fitore në luftën e popullit shqiptar të Kosovës për të drejtat e tij. Artikujt e “Zërit të Popullit” forcuan bindjen mbi kërkesat e drejta të popullit të Kosovës. Dhuna, masakrat e reprezaljet u pritën më indinjatë e dhimbje të thellë, por përgjithësisht masa e emigracionit kosovar forcoi bindjen se liria fitohet më gjak e sakrifica dhe se nuk duhet tërhequr pa realizuar të drejtat e kërkuara.

Masa e gjerë e shqiptarëve kosovarë ka qenë dhe është shumë e interesuar për të mësuar sa më shumë lidhur më zhvillimin e ngjarjeve, proporcionin e tyre, organizuesit kryesorë etj. Shumë Elementë kosovarë kanë folur në telefon më të afërmit e tyre, por nga ata kanë marrë përgjigje të tilla si “Është shumë ftohtë”, “Nuk dalim”, “Bagëtitë nuk i nxjerrim” etj, përgjigje që lenë të kuptohet se terrori ka qenë i madh e i egër dhe gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Disa kanë bërë tentativë për të hyrë në Kosovë, por janë kthyer dhe akoma presin në Stamboll që të hapet rruga. Ka dhe nga ata që kanë dërguar letra dhe nuk kanë marrë përgjigje.

Emigracioni shqiptar kosovar flet më indinjatë ndaj udhëheqësve krahinorë të Kosovës që shkelen gjakun e vëllezërve të tyre dhe u vunë në shërbim të Beogradit. Duke folur më urrejtje për këta, shumë kosovarë thonë se koha njeh njërin dhe udhëheqësit e Kosovës i hoqën maskat. Në të njëjtën kohë, ata thonë se populli ka nevojë për udhëheqje dhe shprehin besim e janë të bindur se lufta e tyre do të nxjerrë nga gjiri udhëheqës. Në radhët e emigracionit shqiptar kosovar bisedohej e vazhdon të bisedohet se ç’duhet bërë në këtë situatë dhe si mund ti shkohet në ndihmë vëllezërve. Pati e ka Mendime për ti kërkuar autoriteteve të vendit të organizohen manifestime protestë, të bëhen letra për të denoncuar masakrat e krimet e udhëheqjes jugosllave etj. Vërejmë se aktivë në drejtim të letrave e kërkesave për manifestime është dhe emigracioni reaksionar, i cili përpiqet të shfrytëzojë situatën e të dalë si mbrojtës i Kosovës. Ky aktivitet i tyre nuk gjen mbështetje, mbasi në momente të tilla ata mund të mashtrojnë.

Artikujt e “Zërit të Popullit” i kemi shpërndarë gjerësisht në masën e shqiptarëve në gjuhen shqipe, por duke marrë parasysh se shumica nuk dinë të lexojnë, i përkthyem, i shumëfishuam dhe i shpërndamë edhe në gjuhen turqisht. Megjithëse lëvizjet për Kosovë janë të kufizuara e të kontrolluara, nëpërmjet individëve të veçantë e sidomos përfaqësuesve të agjencive turistike e të transportit, që janë shqiptarë kosovarë, në kemi mundur të fusim kopje në Kosovë të artikujve të “Zërit të Popullit” dhe kemi marrë masa që këtë punë ta vazhdojmë e ta intensifikojmë.

Ambasadori,

         Gjylani Shehu.

Dakt. A. Pajenga

Kopje: 3

Nr. 75

Spanja

Në fillim të qershorit, në programin e RTV Spanjoll në emisionin javor të ditës se shtunë “Dëshmitari” u zhvillua një bisede mbi ngjarjet në Kosovë. Në këtë bisede morën pjese gazetare të ndryshëm dhe përfaqësues të ambasadës në RSFJ në Madrid. Në këtë bisede u sulmua dhe u benë shpifje kundër Shqipërisë socialistë.

Përpara sulmeve të bëra kundër RPSSH, dhe duke e konsideruar programin si tendencioz dhe të njëanshëm-sepse në të mori pjese vetëm njëra pale-Shoqata e miqësisë Spanjë-Shqipëri kërkoi të drejtën e fjalës për t’i bërë të njohur telespektatorëve qëndrimin e Shqipërisë. Kështu, më 20 qershor drejtuesi i emisionit njoftoi: Në lidhje më programin tonë për ngjarjet në Kosovë sot do të flasë anëtari i shoqatës Spanjë-Shqipëri Benjamin Padilla. Në emër të kësaj shoqatë, ai midis të tjera denoncoi fushatën antishqiptarë të ndërmarrë nga qarqet udhëheqëse Serbë. Gjithashtu ai vuri në dukje qëndrimin e drejtë të RPSSH më lidhje më ngjarjet tragjike në Kosovë. Shpjegoi gjendjen e Kosovës në RSFJ, duke nxjerre në pah gjendjen e saj ekonomike, politike dhe theksoi represionin brutal, të cilin e cilësoi si gjenocid të vërtetë kundër një populli, atë të shpërthyer nga Beogradi kundër shqiptarëve të Kosovës, duke nënvizuar , në të njëjtën kohe, edhe komplotet dhe intrigat që thuren kundër RPSSH nga ana e klanit serbomadh, si edhe qëllimet e socialimperialistëve rusë, të cilët qëndrojnë prapa këtij klani.

Po ashtu Benjamin Padilla, hodhi poshtë argumentet e përfaqesuesve të Beogradit që akuzuan Shqipërinë se nxit “nacionalizmin”, “irredentizmin”, etj. Fjala e Benjamin Padilles, e incizuar më parë, zgjati gati 4 minuta, megjithatë kur u transmetua zgjati gati 2 minuta e gjysmë. Më vonë përgjegjësitë e këtij programi televiziv thanë se “Shqipëria nuk ishte ftuar radhën e parë për arsye se nuk ndodhej në Madrid asnjë përfaqësues i saj sepse ky vend nuk ka marrëdhënie diplomatike as tregtare më Spanjën”.

Kanali i dytë i RTV të Spanjës tha se programi është një program që ardhmen më interes dhe nga më shumë telespektatorë se i pari. Është hera e parë që RPSSH mbrohet në televizion, sepse, në përgjithësi, Mjetet spanjolle të propagandës i kanë mbështetur të gjitha lajmet e tyre më burime nga Beogradi. Në të njëjtën kohe një mik i Shqipërisë socialistë, Miguel Paracuellos më 7 korrik dha 2 intervista në Radio Nacional të Spanjës (radio kombëtare) dhe në Radio Popullore të Saragozës (radio lokale).

Intervista e parë në Radion Kombëtare Spanjolle zgjati 4 minuta e gjysmë, dhe në të miku i Shqipërisë Miguel Paracuellos foli për ngjarjet e Kosovës duke shpjeguar domethënien e tyre të vërtetë si dhe qëndrimin e mbajtur nga RPSSH. Ai foli për qëllimet e Shoqatës se Miqësisë Spanjë-Shqipëri. Miku i vendit tonë u foli dëgjuesve edhe për gjendjen aktuale të Shqipërisë duke theksuar sukseset e mëdha të arritura në vitet e pushtetit popullor dhe duke theksuar se si nga një vend që përpara Qlirimit nuk kishte asnjë metër vije hekurudhore sot ka më mijëra kilometra të cilat janë vepër e punës vullnetare të rinise shqiptarë. Po ashtu theksoi se Shqipëria prodhon, duke u mbështetur në forcat e veta, çelikun e saj, etj.

Në Radion Popullore të Saragozes, intervista pati në qendër gjithashtu ngjarjet tragjike të Kosovës. U dënua represioni brutal kundër shqiptarëve të Kosovës, duke u venë në dukje se të vrarët nuk kanë qenë as 10 dhe as 11, siç ka njoftuar shtypi spanjoll, por numri i tyre i kalonte të 1 mijtë. Miguel Paracuellos u ndal në rendësin e këtyre ngjarjeve, si një çështje që prek të gjithë popujt, veçanërisht ata evropianë.

Një takim më punëtorë dhe studentë, organizuar nga Shoqata e Miqësisë Spanjë-Shqipëri u zhvillua në një nga sallat e Kolegio Major Universitario Pignatëlli në Saragoza po më 7 korrik, ku miku i Shqipërisë Miguel Paracuellos shpjegoi ngjarjet e Kosovës, qëndrimet e ndryshme të mbajtura nga RSFJ dhe RPSSH, si edhe se kush qëndron prapa të gjitha këtyre ngjarjeve: socialeimperialistët rusë që mbështesin ambiciet e klanit serbomadh të Beogradit. Ai foli gjithashtu për gjendjen e krizës ekonomike, politike dhe shoqërore dhe luftën midis klaneve të ndryshme që gjallërojnë në Jugosllavinë post-titistë.Mbas ekspozesë më këtë temë u hap një debat interesant, ku morën pjese anëtarë të komiteteve të ndërmarrjeve dhe punëtorë të fabrikave të mëdha si Filtros Mann, Van –Holl si dhe intelektual, midis të cilëve sociologu i njohur, Adolfo Banjuelos, si edhe shumë të tjerë që përkrahen më entuziazëm qëndrimin e drejtë dhe të vendosur të RPSSH, dhe shprehen solidaritetin më PPSH dhe shtetin shqiptar. Të pranishmit përkrahen njëzëri qëndrimin e PPSH për ngjarjet në Kosovë. Këto aktivitete patën një jehonë të gjere në publik.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kongresi amerikan ka votuar, pro intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Holbruk i ka dhënë autorizimet e caktuara Havier Solanës. (23 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Kongresi amerikan ka votuar, pro intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Holbruk i ka dhënë autorizimet e caktuara Havier Solanës. (23 mars, 1999)

Sot është dita e katërt prej fillimit të ofensivës së përgjithshme të forcave armike. Luftëtarët …