Prejardhja pellazge e shqiptarëve nuk është mit, por rrenë e pastër, intervistë me etnologen Armanda Hysa, nga Gazetaere.com

Etnologia dhe antropologia Armanda Hysa, është një zë mjaft origjinal për opinionin publik shqiptar dhe jo vetëm. Në intervistën e mëposhtme ajo reflekton mbi temat që kanë të bëjnë me kontekstin kulturor e politik ballkanik, mitet në tekstet e historisë, trashëgiminë osmane dhe qasjen e studiuesve ndaj saj si dhe lëvizjet e reja që kanë për objektiv emancipimin e gruas në shoqëri.

Shqiptarët i referohen vitit të largët 1389-të, ashtu sikurse serbët, në kontekstin e një reference historike, por historianët e të dy popujve e interpretojnë ngjarjen sipas “tekeve” të veta. Si rrjedhojë, tekstet e historisë, jo vetëm të këtyre dy popujve brenda Ballkanit, por edhe e të të tjerëve, janë të mbushura me mite. A mendoni që studimet e mirëfillta antropologjike e etnologjike, mund të kontribuojnë në dekonstruktimin e këtyre miteve?

-Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pa u marrë pak me historinë si disiplinë. Shkrimi i historisë është një proces i ndërlikuar, ku ndërthuren faktorët objektivë e subjektivë; faktorët ideorë e ideologjikë, që mbizotërojnë në periudha të caktuara kohore; si dhe faktorët etikë, perceptimet mbi të mirën dhe të keqen. Faktorët objektivë mbështeten tek faktet. Në rastin e historisë ato janë burimet parësore e dytësore, dokumentet pra dhe literatura. Faktorët subjektivë përbëhen nga disa nivele: subjektiviteti i kronikanit dhe i dokument-shkruesit; subjektiviteti i atyre që disa dokumente i kanë ruajtur e disa jo, si dhe subjektiviteti i vetë historianëve. Vetë subjektivitetet kanë lidhje me moralin, etikën, idetë dhe ideologjitë e caktuara të një periudhe kohore. Historianët profesionistë janë të vetëdijshëm për këtë kompleks dhe përpiqen të përballen me nivelet e ndryshme të subjektiviteteve kur bëjnë analizat historike.

Në Ballkan, shkencat humane janë themeluar me një qëllim të përcaktuar mirë që në nisje, t’i shërbejnë kombit përkatës. Ato i janë nënshtruar pra që në fillim ideologjisë nacionaliste e historianët kishin detyrë mes të tjerash, të formulonin tezat mbi të drejtën historike mbi territoret përkatëse kombëtare. Me daljen e dekonstruksionit, në shkencat humane lindi prirja tjetër që çdo grand narracion ta quajë mit.

Historianë e antropologë iu vunë me zell analizës së ideve e të platformave ideologjike në kuadër të së cilave ishin shkruar studimet historike e etnologjike, duke e nxjerrë çdo histori të mbushur me mite. E vërteta mbeti jetime nga të dy këto prirje, duke marrë automatikisht për të mirëqenë se miti është gënjeshtër.

-Por, pse mitet na qenkan gënjeshtra?

Le të flasim për mitet e mirëfillta, për shembull Mujën dhe Halilin, ose më saktë ciklin e Eposit të Kreshnikëve. Tani sigurisht se nuk po argumentoj këtu që Muja e Halili dhe gjithë personazhet e eposit janë figura historike. Por, përmes përshkrimeve të ambienteve të tyre jetësore dhe strukturave të mendimit të shprehura përmes dialogëve, figurave e simboleve, a nuk mësojmë ne diçka mbi zeitgeistin mesjetar të malësive të veriut? Apo mbi njëfarë organizimi shoqëror të tyre? Apo mbi marrëdhëniet me grupet e tera etnike e fetare?

 

-A nuk nisim të pyesim veten pse fuqia dhe pushteti merren nga linja amësore përmes qumështit të zanave? Pse e mbinatyrshmja është femërore në ato ambiente tipike patriarkale?

Tani flitet shume mbi mitet e komb-formimit, pra miti i origjinës dhe i vazhdimësisë. Kjo sepse mungojnë faktet objektive historike që t’i mbështesin ato teza. Por, a mund të themi se ato janë gënjeshtra të pastra?

Jo, pasi po njësoj mungojnë edhe faktet objektive për të kundërtën. Atëherë përmes analizës së burimeve dytësore mund të hidhen hipoteza të ndryshme, disa prej të cilave rezultojnë të jenë më të logjikshme e disa të tjera jo.

Prejardhja pellazge e shqiptarëve për shembull nuk është mit, por rrenë e pastër. Prejardhja ilire ose trako-ilire mbeten hipoteza deri diku të logjikshme. Mund të flasim për mit të prejardhjes ilire të shqiptarëve kur bëhen përpjekje të kota për të provuar vazhdimësinë mijëravjeçare në të njëjtin territor, duke mbyllur sytë ndaj dyndjeve të shumta të popujve gjatë 900 viteve (200-1100 era jonë) apo faktorët asimilues romanë e helenë, por nuk është se nuk ka të vërteta fare aty.

Prejardhja prej albanëve të Kaukazit për shembull nuk është fare mit, por rrenë e pastër edhe ajo.

-Tani dalim te pyetja. A e kanë sajuar historianët serbë historinë e Betejës së Fushë Kosovës?

Jo, fare nuk mendoj kështu. Por problemet lindin tek shumëllojshmëria e burimeve të përdorura. Tani historianët serbë mbështeten kryesisht në burimet sllave, pak janë përdorur ato osmane, por nuk mund të themi se ata gënjejnë. Ata ndoshta i bien shkurt, apo lënë në heshtje aleatët ballkanas, por pjesëmarrja e aleatëve nuk vë dot në dyshim faktin se ajo betejë u udhëhoq nga mbreti serb, çka e vendos Serbinë e kohës në qendër të ndodhisë, njësoj sikurse betejat e Skënderbeut vendosin arbrit në qendër të ngjarjeve edhe pse nuk mund të mohohen ndihmat që Skënderbeu merrte në forca njerëzore e financiare nga jashtë.

-Përpjekja e historianëve shqiptarë në lidhje me Fushë Kosovën fokusohet te legjenda e Millosh Obiliqit: pra ishin shqiptarët ata që vranë sulltanin e jo serbët, por kjo mbetet një përpjekje e vaktë që nuk prek thelbin.

Përdorimi i ciklit të këngëve të betejës së Fushë kosovës nga ana politike dhe ideologjike është problemi, por jo miti në vetvete. Përdorimi i atij miti si armë për të siguruar të drejtën mbi territorin është gjëja që duhet kritikuar e mbi të cilën duhet ngritur debati mes studiuesve, por në anën tjetër askush nuk ka të drejtë të cenojë mitet mbi të cilat ngre vetëdijen e vet një grup etnik. Le të marrim si shembull këngën “Vidovdan”, tingujt e fjalët e të cilave kanë shoqëruar represionin serb në Kosovë në dekadën 1989-1999: “Kud god da krenem, tebi se vraçam ponovo/ ko da mi otme iz moje dushe Kosovo”! Por, kjo këngë nuk ka fare lidhje me ciklin origjinal epik të këngëve të Kosovës (Kosovske Pesme). Ajo u kompozua në vitin 1989, është manipulim i pastër dhe dëshmi mbi përdorimin politik të mitit si armë lufte. Ose për shembull marrim këngën e bukur të serbëve të Kosovës: “Gusta mi magla padnala, na toj mi ravno Kosovo” (Ra mjegulla e dendur, mbi rrafshin e Kosovës sime). Teksti u transformua në “na toj mi ramno Kosovo”, pra mbi Kosovën që ma kanë rrëmbyer.

 

-Sot tekstet historike, sidomos në Shqipëri e Serbi, nuk janë aq të mbushura me mite sesa me gjysmë të vërteta, në sensin e bazuar në mënyrë të njëanshme vetëm në një palë dokumente.

Ka një klasë fanatikësh (historianë, shkrimtarë, politikanë etj.), që urren çdo lloj trashëgimie kulturore që ndërlidhet me periudhën e Perandorisë Osmane, duke thënë se kjo nuk na duhet tash kur po e synojmë Evropën. Ç’shpjegim u jepni këtyre individëve?

Sa i përket grupit të intelektualëve që përmend, rrënjët e diskursit antiosman shkojnë thellë në shekullin XIX. Vetë diskursi modernist dhe reformat moderniste kanë qenë njëkohësisht edhe reforma deosmanizuese. Nuk dua të përsëris këtu ato gjëra që Enis Sulstarova i ka shpjeguar më së miri në librin e tij “Arratisje nga lindja”. Thelbi i diskursit antiosman qëndron te gjetja e fajtorit për prapambetjen eventuale. Imagjinata e këtyre intelektualëve shkon aq larg sa të flasin broçkulla për zhvillimin e Arbërisë paraosmane.

-Si kundërpeshë ka lindur një tjetër frymë osmano nostalgjike sipas së cilës gjatë periudhës osmane çdo gjë ishte rozë, shqiptarët kishin pushtet, miletet respektoheshin dhe kishin më shumë të drejta sesa kanë sot minoritetet sipas Kartës së të Drejtave të Njeriut, kishte tolerancë fetare të hatashme…

Sërish e vërteta mbetet jetime. Kjo sepse të dy këto grupacione nisen vetëm nga ideologjitë përkatëse dhe nga hallet e të sotmes e asnjë nuk ka interes të dijë si ka qenë historia e pesë shekujve. Po, gjatë 500 vjetëve shqiptarët u rritën në simbiozë me popullatat e tjera të perandorisë, bënë tregti, ndërtuan, udhëtuan, u bënë bejlerë e pashallarë, luftuan – sigurisht shqiptarët burra.

-Po gratë? Cila ishte jeta e tyre brenda haremit (jo në sensin sulltanor)? A kishin ndonjëherë zë në sferën publike?

Po, kishte tolerancë, por ishte kryesisht tolerancë negative, për të përdorur termin e Robert Haydenit (antropolog amerikan).

-Çfarë do të thotë tolerancë negative? Në thelb të saj qëndron fakti se miletet kishin të drejtën e organizimit dhe përfaqësimit, por a qe mileti ortodoks me të njëjtin status shoqëror e politik si ai mysliman?

E dimë se jo.

Toleranca negative pra ka të bëjë me një situatë paqeje mes grupeve armike, ajo njëherë merr fund dhe pastaj Zoti na ruaj nga ferri që pason. Dhe ai ferr shpërtheu gjatë gjithë shekullit XIX e deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Në periudhën osmane ortodoksëve të pasur e pushtetshëm për shembull u ndalohej të ecnin me at (kalë) në mes të pazarit edhe po të kishin të njëjtin status ekonomik. U ndalohej ngjyra e bardhë në kostume popullore, u lejohej rikonstruktimi i kishave, por jo edhe ndërtimi i kishave të reja. Jo se qe e pamundur, por qe tepër e vështirë të merrej një leje e tillë.

Por, duhet theksuar se këto gjëra qenë shumë më të përparuara se sa në Evropën Perëndimore të kohës, ku për shekuj me radhë katolikët e protestantët nuk e pranonin njëri-tjetrin pranë e pranë. Franca për shembull mbeti vend katolik pasi protestantët i shfarosi shteti francez brenda natës së famshme të Shën Bartolomeut. Apo të kujtojmë këtu Luftën 30-vjeçare.

Me këto dua të them që ata që nuk respektojnë trashëgiminë osmane në fakt, nuk e njohin, ose refuzojnë ta njohin atë. Ata do përpiqen që ndërtimet e zanatet, si dhe folklorin gojor, zakone e tradita të ndryshme t’i quajnë origjinale shqiptare, e në këtë kuadër ka ndodhur një dëm i pariparueshëm. Nuk u mblodh kurrë folklori shqiptar që nuk u këndua në shqip. U deformuan tekstet, u dogjën a u humbën dorëshkrime e dokumente në osmanisht, u shembën pazare, ura, xhami, teqe. Shqipja u spastrua me dhunë.

E shkuara jonë është në arkiva në Tiranë e Stamboll e nuk ka osmanistë ta gërmojnë atë. E gjitha kjo fatkeqësi nisur nga dritëshkurtësia 100-vjeçare intelektuale me pikëpamje si grupi që përmende në pyetje. Por jo më kot përmenda edhe rreziqet e osmanonostalgjisë. Nostalgjia është një palë syze si ato të magjistarit të Ozit. Nëse të shkuarën do e shohim përmes saj, kurrgjë nuk do i kontribuojmë pyetjes së ankthshme: kush ishim dje? Çfarë ndodhi? Pse? Nostalgjia nuk është tjetër vetëm se simotër e harresës.

(Gazetaere.com)

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …