leoni

Prend Buzhala: Semantika e lotit

Prend Buzhala: Semantika e lotit

(Libri poetik, “Mos ma vrisni lotin” i Elife Luzhës)

Nuk ka më formë mbizotëruese lirike që merret si modeli më i lartë i vlerësim-pranimit të saj. Tashmë poezia e sotme shqipe karakterizohet dhe nga shumësia e zërave të panumërt lirikë.

  1. Tri punktet e këndimit

Dhe, në këtë shumësi individualitetesh, zërash, rrymimesh, formash, poetikash etj., krijimtaria e sotme artistike shquan, si shenjë të saj, një kaos; një kaos që përpiqet ta gjejë vetveten brenda një harmonie shumëzërëshe, polifonike. Si do ta veçojmë, bie fjala, një vëllim lirik të një krijuesje që ka hyrë në botën e letërsisë? Cila do të ishte shenja dalluese e librit poetik “Mos ma vrisni lotin” të Elife Luzhës?

Duke e ndarë në tre cikle (“Mos ma vrisni lotin”, “Qiell e frymë” dhe “Nëpër kohë”), poetja Elife Luzha dëshiron ta zë në tri punkte këndimesh botën e saj të brendshme dhe situatën ekzistenciale të njeriut të sotëm: një lirikë ku mbizotëron këndimi elegjiak (cikli i parë); një lirizëm që plotësisht ngjyroset me përjetime delikate të natyrës, për të ikur nga rrëmuja e botës bashkëkohore (cikli i dytë), dhe duke u futur në gjirin e rrëmujave e kaosit të kësaj kohe, me situatën ekzistenciale të këtij njeriu (cikli i tretë). Si tekste hyrëse, janë poezitë ballore të tyre që na ndihmojnë të hyjmë në botën poetike të këtyre cikleve.

Kësisoj, te cikli i parë lexojmë poezinë “Mos ma vrisni lotin”:

Gjithë thellësinë e shpirtit e kam aty

Njerëz mos ma vrisni lotin

Se më vrisni përgjithnjë

A është loti, në këso çastesh, shenjë e qenies së dobët, apo e rrëfimit të një gjendjeje emocionale? Le ta kuptojmë si një triumf të botës femërore shpalljen e këtij loti, se në rrethana patriarkale loti i gruas dhe, gjithsesi, edhe i burrit, ishte i ndaluar. Apo, në mos ka një domethënie e vlerë tjetër për folësen lirike të kësaj poezie? “Gjithë thellësinë e shpirtit e kam aty” na kumton prekshëm folësja lirike e kësaj poezie. Është diçka që dhemb kaq shumë, një dhembje që sëmbon tejet gjatë. Se a është ky lot i dhimbjes apo i pikëllimit, se a është ky lot i mos-rrëfimit të një dhimbjeje të pafashitur, kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që ky lot ka vatrën e tij,. Shpirtin dhe thellësinë e qenies, jetimit e përjetimit. “Lotët vijnë nga zemra dhe jo nga truri”, thoshte dikur Leonardo da Vinçi. Është diçka tepër i shtrenjtë që ruhet aq thellë te kjo qenie! Si diçka tepër e shtrenjtë. Shkrimtari amerikan Washington Irving, do të na jepte një tjetër kumt vlerësues: “Ka një shenjtëri në lot. Ata nuk janë shenjë dobësie, por fuqie. Ata flasin në mënyrë më elokuente se dhjetë mijë gjuhë. Ata janë zëdhënës të pikëllimit tronditës, të pendimit të thellë, të dashurisë së papërshkrueshme.” Gjithsesi, loti është dhe shenjë spastrimi, është ajo që në letërsi quhet katarzë. Është shenjë e butësisë së qenies kundruall një realiteti mizor, indiferent, vlerëpërmbysës. Është plagë e pafashitur që shpreh trishtim, zemërim fisnik, dhe, gjithsesi, një shqetësim jetësor dhe poetik. Dhe, ndryshe nga një lirikë sentimentale, poetja Luzha e kontrollon shprehjen e saj, e dendëson maksimalisht strukturën e thënies lirike, i jep forcën e një thuknie kuptimore. Në këso momentesh, ajo nuk shtron kërkesa irracionale përpara këtij loti, përpos që mos t’ia vrasin! Se cilat na janë ato vrasje loti, tashmë e përmendëm më sipër, por gama e e plagomave mund të jetë e pafund, në një kaos shoqëror. Sidomos në situatat kur ende janë të patharë lotët e dhimbjes së madhe të luftës.

Gjithsesi, ky lot pikon edhe nëpër lirikat tjera. “Me vrullin e mallit e lotin e valë ia beha” këndon te poezia “Sfidë”. “Lotët si vrer gëlltit çdo ditë/ Para syve tanë e syrgjynosur” vjen një tjetër këndim te poezia “Dhembja e lulëkuqeve”. Te poezia “Tingëllime vetmie” ky lot tashmë është dhe ilaçi i saj i spastrimit: “Me riga loti e vras pikëllimin”, kurse atdheu më tutje quhet “Dhembja ime e përlotur.” Te dy ciklet tjera, ky lot ruhet si një kujtim mbi buzë, si një vegim i lotshëm, si një këndim që i jep ngjyrim elegjiak poezisë kushtuar nënës që mungon, si një ujëvarë loti, që i jep imazh dhe jehonë mizorisë së pikëllimit etj. Do të thotë, se loti pastron dhe spastron! (Në ciklin e fundit lexojmë vargun: “Dëlirësi u zgjova agut të delltë”).

Së këndejmi, te cikli i parë, lexojmë dhe poezi që shkruhen me varg të lidhur e të rimuar. Te poezia “Kthehu në Itakën tënde”, duke iu drejtuar vëllait të mërguar, ajo i lutet në mënyrë dramatike e tejet domethënëse:

Në harkun e kohës dramë pa epilog

Kosova e mira a thua mbet

Kthehu vëlla kthehu se ajo të pret

Si Itaka Odiseun e vet

Mandej vjen poezia “Sfidë”, ku amaneti e gjurma e gjakut do të ruhen si një sfidë “mes dhimbjeve të zjarrta të lindjes”. Është një dhembje që ther pafundësisht, te poezia “Dhembja e lulëkuqeve” (Grave shqiptare të përdhunuara nga forcat pushtuese serbe). Pothuajse, secila poezi e ngjashme për luftën e fundit në Kosovë ende i prek plagët. Dhe kjo është dëshmia e përjetimit më të saktë se sa të thella janë ato plagë. Na duket sikur këto plagë janë ftohur pas afro dy dekadash nga lufta e fundit. Një poete dhe mjeke shqiptare do të thoshte “Plagët dhembin më shumë kur ftohen”. Poetja është e ndërgjegjshme se shkrim-leximi i një poezie të tillë është prekës (“Në errësirë vetmie mallkon fatin/ Vitet zinxhirohen në të pafundmin tunel”), sado që arrin ta humanizojë, ta ruajë ndjeshmërinë e masës:

Shkaras jo nuk i kalohet vuajtjes sate

Ndryshe pafajësia jote do na ndëshkojë

  1. Qenia e lirë: ndjesia, dashuria dhe natyra

Në dy ciklet tjera sikur “ndërron” ky kurs i dhimbjes. Ajo tashmë jepet në kërkim të fashitjes së këtij pikëllimi. Ajo ecën më tutje. Loti tashmë është bërë vlerë e brendshme, një farë që mbjell lumturinë e së ardhmes. Dhe ç’është ajo që i vjen afër folëses lirike, mu në ato çaste të pikëllimit e dhimbjes? Të duket sikur një dorë e miqësisë, fillimisht, shtrihet nga natyra. Hapësira ngushëlluese e pafund. Ja poezia hyrëse e këtij cikli:

Shtëllunga resh bardhoshe çapiten qiellit

Më deh kjo pamje e rimtë plot jetë

Qielli si një romancë dashurie duket

E retë valsin e lumturisë sikur e luajnë në frymë

(poezia “Qiell e frymë”)

Ky cikël na vjen si një lehtësim nga barrët e rënda të së përditshmes dhe të kaluarës. Si një frymëmarrje. Vijnë njëra pas tjetrës, gjithnjë me frymë ripërtëritjeje, poezitë “Kur shetis në natyrë”, “Aureolë”, “Rimë vere”, “Zgjim i beftë”, “Në kopshtin tim”, “Kur afër meje je”, “Riga malli”, “Duke të pritur”, “Refleks”, “Për ty”, “Kohë kuturu”, “Shpirttrazuar” etj. Përjetimi ekstatik i natyrës dhe ndjesia e emocionit të bukur të dashurisë, nuk kanë si të mos këndohen së bashku. Te poezia “Kur afër meje je”, si dhe te poezitë e ngjashme, folësja lirike i drejtohet një vete tjetër, në veten e dytë, si formë e një monologu kuvendues…

Shikimi yt i trëndafiltë eliksir shpirti më bëhet (…)

Lumturi parajse prajshëm më dhuron.

E pra, kjo ndjesi është e shenjtë, parajsore, mu ashtu si është dhe qenia e lirë në gjirin e natyrës, është substancë dhe formë, esencë dhe ekzistencë e qenies, nga të cilat ajo merr kuptim dhe i dhuron kuptim jetës.

Poetja tashmë është një kërkuese e gjurmuese e të fshehtave të botës shpirtërore dhe të vlerave të qenies, kërkuese e detajeve të padukshme

Ndërkaq, në ciklin e fundit “Nëpër kohë”, poetja na e zbulon edhe një prirje tjetër: atë të kundrimit refleksiv të dukurive, fenomeneve të jetës e të situatës ekzistenciale të njeriut të sotëm. Përderisa te cikli i parë kemi vërejtur dhe ndonjë varg qortues të rreptë, një vetëdije kritike për zhvillimet e jetës së sotme dhe protagonistëve bartës të saj; te cikli i fundit kjo vetëdije shfaqet më e plotë, më e thelluar. Ajo gërmon “nëpër kohë” e në rrjedhë kohe:

Në qiellin gri fryn veriu

Ngricë e egër shtrihet akullnajë

Dallgë të ethta drithëruese

Në trupin tim lanë gjurmë

Që nga belbëzimi im i parë

(“Dallgët e jetës”)

Tashmë ligjëron një zë i përvojës. Në rrathët e kësaj përvoje ajo i këndoi plagët dhe ndjesitë e brendshme, por nëpër këta rrathë ka pëlcitur diçka tjetër: plagët sociale e ato kombëtare (“Tre mijë vjet pas o Zot/ Dridhet Dardania ilire”), rrathë shtrëngesash, ku qenia njerëzore mbetet e etur, e përpëlitur në gjakimet e veta:

Zverdhëllimë hëne nuk ma zbehu pikëllimin

E hapërimit në kohën e pakohë

Lirika depërton në thelbin e kësaj pakohësie, pabarazie shoqërore, kurse folësja lirike është gjithnjë në lëvizje, në zbulimin e natyrën e proceseve dinamike në shoqëri. Nëse ndonjë lirikë rrymimesh urbane përpëlitet që ta mënjanojë njeriun nga vetvetja sociale, nga objektet e tij sakrale, sikundër është një vatër banimi:

Jeta përpëlitet honeve të shpirtit

Sot si atëherë lagjet varg të shkallmuara

Në kaosin e ndërtimshkatërrimit

Ajo, në kso momentesh të këndimit, shpërthen në pezëm lirik, në protestë poetike, kundër margjinalizimit të qenies, kundër dehumanizimit të kësaj, kundër një kanceri social të “ndërtim-shkatërimit” që pëson metastazë. Njeriu i tillë, i  margjinalizuar, nuk ka se si ta afirmojë vetveten si qenie e realizuar, mbasi gjithçka përreth, në emër të “ndërtimit”, duan ta mbajnë njeriun si një viktimë për të qëndruar gjithnjë në një gjendje të fjetur, të tjetërsuar. Protagonistët lirikë të këtyre “lagjeve të shkallmuara” tashmë ndrydhen e shtypen nga një realitet depresiv. Herë dhe me referenca të teatrit absurd politik (“Ka kohë që shenjat e pikësimit më trishtojnë/ Qyshse zonja me emrin Editë fusnotën e quajti fjollë”). Situatat e tilla të “ndërtim-shkatërrimit”  krijojnë paradokse, thellojnë hone sociale, koha shndërrohet në një absurd të vetvetes (“Në hapërim lirie vitet hovshëm u thinjën”).

  1. Ligjërimet e porosisë lirike

Në fund, Poetja ka dhe porosinë e saj:

Nga hyjni engjëll në tokë

Me fjalën e vet

Flet e ligjëron

E pra, mesazhi i poetit është i tjetërllojtë nga ai i rëndomti. Kjo porosi hyn e del nëpër histori e nëpër përvojat shoqërore, depërton nëpër enigmat e ekzistimit për të na e dhuruar një zbulesë të thënies lirike, dhe, mbi të gjitha, ai ligjëron për mirësinë dhe të vërtetën. Së këndejmi, te kjo poezi nuk hasim viviseksione a eksperimentime boshe, sa për të thurur një art për art a një art si qëllim i vetvetes. Në vend të një porosie a didaktike të imponuar, moralizuese, ne lexojmë vargje të një thënieje qetësisht të ligjëruar, e që esencializojnë këtë rol të krijuesit si “Sozi i vetëm i Zotit”. Poeti zgjedh rrugën e duhur të mirësisë dhe të të vërtetës. Poetja dëshiron që t’ia atribuojë fjalës së shqiptuar dhe të krijuar shpirtin e flakëruar, rolin drejtues në jetë e në rrugëtimet e ekzistimit. Për fjalën poeti flijohet:

Shpirtin e bën flashkë

Në parzmën e diellit theror bie

Dritë agullimash për t’u bërë

Dhe është gjë e mirë që ajo di çka kërkon nga vargu, di si ta strukturojë tematikisht dhe në tërësi më të mëdha sikundër janë ciklet. Në fund, do theksuar se lirika e Elifes e ruan ndjeshmërinë dhe kuotimin e masës në varg dhe në thënien lirike.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …