Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Pak histori nga kohët e zjarrta të Malësisë së Madhe

 Kohët e fundit më ra në dorë libri me titull, “Pak Histori Nga Kohët e Zjarrta”, e autorit Pjetër N. Ivezaj.  Si pjesë e rubrikës, ndër libra të lexuar, po i sjellë lexuesit sado pak njohuri për daljen në botim edhe të kësaj vepre, si dhe disa shënime mbi këtë vëllim prej nja 200 faqesh i paisur gjithashtu edhe me fotografi historike të protagonistëve kryesorë. Përmbajtja e librit të Z. Ivezaj, e botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve, Art Club në Ulqin, fund vitin që kaloi, është një kontribut me vlerë për ndriçimin e mëtejshëm sado pak të historisë së gjatë e të vuajtur, por të lavdishme të Malësisë së Madhe dhe popullit të saj, ndër shekuj.

Protagonistët e librit janë pesë bajraqet e mëdha të Malësisë së Madhe me pesë udhëheqsit e tyre – por pa përjashtuar rolin e bajraqeve të tjera më të vogla, gjithsej 26 sipas autorit — dhe përfaqsuesve të tyre të asaj kohe në Shqipërinë e Veriut.  Fjala është për bajraqet më të mëdha të Malësisë së Madhe të asaj kohe dhe përfaqsuesit e tyre: Hoti me bajraktar të parë, Çun Mulën; Gruda me bajraktar të parë Smajl Martinin; Kelmendi me bajraktar të parë Ujkë Gilën; Kastrati me bajraktar Dodë Preçin dhe Shkreli, me bajraktar Marash Dashin.

Në librin e tij autori Pjetër N. Ivezaj mbulon ngjarjet historike nepër të cilat ka kaluar Malësia e Madhe duke i ndarë ato në tre periudha historike prej pothuaj 100-vjetësh: deri në vitin 1900, pastaj prej vitit 1900 e deri në vitin 1916 dhe më në fund prej vitit 1916 e deri në vitin 1943.  Ai thotë se kjo është periudha që malësorët e kanë quajtur si, “Koha e luftërave dhe koha e zjarrtë”, ndërkohë që ata janë përleshur dhe kanë luftuar vazhdimisht pa u trembur, as pa u përkulur para forcave armike shumë më të mëdha në numër dhe shumë më të përgatitura për luftë, qofshin ato turke ose sllavo-malazeze.  Por, përveç luftërave të vazhdueshme, siç ve në dukej autori, malësorët ishin gjithashtu të angazhuar paralelisht në mbrojtje të vendit edhe me përpjekjet për ndërkombtarizimin e situatës së vështirë nën të cilën jetonin ata në trojet e veta. Në lidhje me këtë, ai sjellë për lexuesin një përmbledhje dokumentacioni origjinal– bazuar në një literaturë të pasur — memorandumesh, protestash, kërkesash dhe thirrjesh të ndryshme të nënshkruara nga ana përfaqsuesit e fisve të malësorëve, drejtuar shteteve të Europës dhe enteve ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësitë e tyre diplomatike në Shkodër dhe në Podgoricë.  Dokumentohen tubimet e ndryshme dhe logje kuvendesh të bajraktarëve të Malësisë së Madhe dhe besëlidhjet midis tyre gjatë periudhës që mbulon libri, si dhe kauzat për të cilat bisedohej dhe arrihej në marrveshje dhe besë, përfshirë edhe përgatitjet për luftë kundër armikut.

Në memorandumet dhe me kërkesat e tyre drejtuar botës së “qytetëruar” të asaj kohe, malësorët kërkonin ndihmë dhe mbështetje për të shpëtuar popullin e Malësisë së Madhe nga gjëndja e mjeruar në të cilën gjëndej, si rrjedhim i okupimeve, luftërave, shtypjeve dhe diskriminimeve shekullore ndaj popullsisë së kësaj treve.  Njëkohsisht, me kërkesat e tyre, ata i bënin thirrje, jo vetëm sulltanëve të Turqisë, por kërkonin edhe mbështetje ndërkombëtare që Malësisë së Madhe t’i njiheshin të drejtat legjitime për realizimin e aspiratave të veta kombëtare për liri e pavarësi si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit. Si një shembull tipik i këtyre kërkesave të malësorëve ishte ai, drejtuar Turqisë në vitin 1905 dhe botuar në gazetën “Shpresa e Shqypnis” në Dubrovnik, ku si kusht për të hequr dorë nga armët, Malësia e Madhe këmbëngulte në: “Njohjen e kombësisë shqiptare pa ndryshim feje; Amnisti për të gjithë shqiptarët; Çeljen e shkollave dhe kishave në gjuhën shqipe; Pranimin e çdo feje nga shërbimi turk; Përmirësimin e rendit publik me ligje që t’u përshtaten interesave të Shqipnisë, dhe më në fund ata kërkojnë, Liri fjale – liri shtypi dhe liri mbledhjesh”.

Ndërsa në një peticion të datës 8 maj, 1878 krerët e Shkodrës, Uqlinit, Tivarit, Podgoricës, Grudës, Kelmendit, Kastratit e të tjerë i dërgojnë peticion proteste ambasadorit francez në Stamboll, në emër të “katolikëve dhe myslimanëve, vëllëzër që prej shekujsh”, që të intervenonte kundër lëshimeve dhe aneksimeve të trojeve shqiptare nga ana e Malit të Zi, nën presionin e Rusisë.  Një muaj më vonë, më 9 qershor, 1878, krerët shqiptarë i dërgojnë protesë Vezirit të Shkodrës, me të cilën, sipas diplomatit francez në Shkodër Zhan Ponse, “Malësorët kërkuan një shtet të pavarur autonom që do t’i afrohej Evropës.”

Roli i Malësisë së Madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve dihet nga historia e mirëfilltë, sidomos nga historia e shënuar nga të huajt, megjithse ka patur përpjekje – nga mbrenda, për arsye ideologjike dhe nga jashtë për arsye politike e të tjera — për ta minimizuar dhe për t’a shtrembëruar atë në të kaluarën, thotë autori.   Libri i Pjetër N. Ivezaj sjellë hollësi dhe dëshmi me vlerë të shënueshme në këtë fushë, për një njohje më të mirë të disa prej hollësive dhe dokumentacionit origjinal bazuar në burime të dorës së parë që ai sjellë me këtë rast, për një periudhë të historisë së Malësisë së Madhe në veçanti dhe të Shqipërisë në përgjithësi.  Ishte kjo një periudhë e mbushur me lëvizje patriotike, mendore dhe politiko-shoqërore të jetës dhe luftërave të shqiptarëve, jo për pushtim të tokave të tjerëve, por për mbijetesë — e pasqyruar nga veprimtaritë dhe luftërat e malësorëve — vetëm e vetëm me qëllim për të ekzistuar dhe për të jetuar në liri dhe pavarësi nga zgjedha e okupatorëve huaj osmanë dhe sllavë.

Autori i librit, ‘Pak Histori Nga Malësia e Madhe’, Pjetër N. Ivezaj thotë se “Malësia e bëri të vetën në kushte të një feudalizmi të pa zhvilluar, të prapambetur, gjithnjë në mesin e dy ose më shumë zjarreve, nën rreziqet e shumta nga jashtë dhe nga brenda.” Por “Në kushte shumë të vështira”, shkruan ai, “Ishte Malësia ajo që, në masë sado të vogël mbante lidhje me Evropën përmes, në rend të parë priftërinjve katolikë dhe krerëve e bajraktarëve, faktikisht pra nepërmjet parisë fisnore.”  Mirëpo megjithë meritat e tyre, ai konstaton se pothuaj të gjithë këta, gjatë një periudhe jo shumë të largët, ishin shpallur tradhëtarë e anti-kombëtarë.  Por, autori thotë se megjithë trajtimin jo të mirë nga historia e kaluar, që besoj se do të thotë sidomos historia komuniste, që shumë prej tyre i kishte shpallur tradhëtarë dhe armiq, ishin malësorët ata që megjithse gjithmonë në mbrojtje dhe në luftë të trojeve të veta, sipas tij, “Për më shumë se pesë shekuj kanë ruajtur traditat, folklorin, gjuhën, besën, ligjet dhe zakonet autoktone iliro-shqiptare”.

Libri, me anë dokumentacionit që paraqet, shpalos edhe të dhëna mbi jetën, veprimtarinë dhe sidomos hollësi për bashkpunimin me njëri tjetrin të krerëve të Malësisë së Madhe të asaj kohe, kur vinte puna për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, jo vetëm të Malësisë së Madhe por edhe të mbarë kombit shqiptar.  Është gjithashtu edhe një paraqitje e një pjese të historisë së shqiptarëve të asaj kohe, duke treguar, ndoshta tërthorazi, edhe disa prej zakoneve dhe traditave shqiptare, gjendjen ekonomike dhe demografike të asaj treve, por edhe kryengritjet e shumta të malësorve dhe shtypjen e tyre, mënyrat e egra të sundimit osman mbi shqiptarët dhe hollësi të tjera historike.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …