Vlora Çitaku kritikon Albin Kurtin për pritjet e mërgimtarëve: Në vend të veprimit, po u tregon përralla

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar situata e mërgimtarëve që po përballen me pritje të gjata në kufijtë e Kroacisë dhe Malit të Zi. Çitaku tha se në vend që të angazhohej menjëherë me autoritetet e Zagrebit dhe Podgoricës për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve, Kurti ka zgjedhur të merret me deklarata që, sipas saj, nuk u shërbejnë mërgimtarëve. “Në vend që të merrte menjëherë kontakt me Zagrebin dhe Podgoricën, të koordinonte veprimet me autoritetet e atjeshme dhe të dërgonte Ministrin e Jashtëm për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, Albin Kurti ka zgjedhur t’u tregojë mërgimtarëve tanë përralla me gjermanë e rusë”, shkroi ajo. Çitaku theksoi se mërgata ka nevojë për institucione që veprojnë dhe jo për, siç u shpreh ajo, “ligjërata ideologjike”. Ajo e përfundoi reagimin me kritika të ashpra ndaj shefit të ekzekutivit, duke deklaruar se “ose po tallet keq me qytetarët e vet, ose vërtet jeton në një univers paralel, ku Kosova qenka ajo që mbron Gjermaninë”.

Kontrolloni gjithashtu

Kolona kilometrike në kufirin Kroaci–Mali i Zi, Shqipëria kërkon përshpejtimin e kalimit të mërgimtarëve

Fluksi i madh i automjeteve në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi ka …