Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë kanë ngritur alarmin se bllokada institucionale që ka shoqëruar vendin gjatë viteve 2025 dhe 2026 po dëmton seriozisht ekonominë, duke penguar reformat, investimet dhe vendimmarrjen strategjike. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se mungesa e institucioneve funksionale tashmë po reflektohet në treguesit ekonomikë të vendit. Sipas tij, Kosova ka mbetur pa reforma në politikat fiskale, sundimin e ligjit, shëndetësi dhe arsim, ndërsa mungesa e diplomacisë ekonomike po dëmton edhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Rafuna theksoi se rritja ekonomike prej 3.6 për qind dhe inflacioni mbi 6 për qind janë tregues të qartë të pasojave që, sipas tij, po shkakton ngërçi institucional. Ai kërkoi që pas formimit të institucioneve të emërohen ministra profesionistë, me integritet dhe të gatshëm për bashkëpunim me sektorin privat. “Nuk kemi nevojë për ministra jo kompetentë apo që shmangin dialogun me bizneset, por për vendimmarrës që ndërmarrin reforma në partneritet me sektorin privat”, tha ai. Në fund, ai u bëri thirrje partive politike të lënë mënjanë interesat partiake dhe të arrijnë një marrëveshje për krijimin e institucioneve funksionale, duke vlerësuar se zgjatja e krizës do të thellojë stagnimin ekonomik dhe do ta bëjë Kosovën edhe më pak tërheqëse për investime të reja.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
