Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan: Mbrojtja e dinjitetit të uniformës, simboleve dhe trashëgimisë historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Numër protokolli 019-26

Deçan, me 20 korrik 2026

 

LETËR E HAPUR PUBLIKE

 

Drejtuar:

 

  • Andin Hoti, Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare;
  • Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës;
  • Hysni Gucati, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së;
  • Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së;
  • Kryesisë së Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së;
  • Kryesisë së Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së;
  • Drejtoreshës së Radio Kosovës së Lirë.

 

Lënda:

Mbrojtja e dinjitetit të uniformës, simboleve dhe trashëgimisë historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

 

Të nderuar,

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju drejtohet përmes kësaj letre të hapur lidhur me pjesëmarrjen e z. Nusret Pllana në realizimin e videoklipit të këngës kushtuar Lëvizjes së Deçanit, në të cilin ai paraqitet i veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson vlerën më universale të rezistencës dhe luftës për liri në historinë moderne të shqiptarëve. Ajo u ndërtua mbi parimet e unitetit kombëtar, duke bashkuar shqiptarët pa dallim feje, krahine apo bindjeje politike, me synimin e vetëm për çlirimin e Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, trashëgimia, simbolet dhe uniforma e saj nuk mund dhe nuk duhet të përvetësohen, interpretohen apo përdoren për promovimin e çfarëdo agjende fetare, ideologjike apo përçarëse.

Vlerësojmë se përdorimi i uniformës së UÇK-së në një videoklip me përmbajtje fetare nuk është në përputhje me karakterin historik dhe vlerat mbi të cilat u ndërtua lufta çlirimtare e popullit të Kosovës. Simbolet e UÇK-së u përkasin të gjithë shqiptarëve dhe përfaqësojnë sakrificën e mijëra dëshmorëve, martirëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, prandaj ato nuk duhet të shfrytëzohen për mesazhe që cenojnë frymën e unitetit kombëtar.

  1. Nusret Pllana, i cili edhe më parë është bërë subjekt i polemikave publike për deklarata fyese ndaj besimtarëve myslimanë, me këtë veprim ka krijuar përshtypjen se simbolika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po instrumentalizohet për qëllime që nuk pasqyrojnë frymën dhe misionin e saj historik.

Për më tepër, konsiderojmë se ai ka përdorur në mënyrë të papërshtatshme edhe elemente të rëndësishme të kujtesës së luftës çlirimtare, duke përfshirë incizimin e zërit të tij nga emetimi i parë i “Radio Kosova e Lirë”, të datës 4 janar 1999, si dhe duke realizuar xhirime në vende me rëndësi të veçantë historike e memoriale, si Obelisku i Leotrimit të Vogël dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Radio Kosova e Lirë ishte zëri informativ i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe përbën një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë dokumentare të rezistencës sonë. Materialet audio të saj nuk janë vetëm arkiv mediatik, por dokumente historike të luftës çlirimtare, të cilat duhet të ruhen dhe të përdoren me përgjegjësi, duke respektuar kontekstin historik dhe misionin për të cilin janë krijuar.

Po kështu, Obelisku i Leotrimit të Vogël dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” janë vende të rëndësishme të kujtesës kombëtare, të ngritura për të nderuar sakrificën për liri. Çdo përdorim i tyre në materiale promovuese duhet të jetë në përputhje me dinjitetin dhe karakterin gjithëpërfshirës të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë kontekst, shprehim shqetësimin tonë për mesazhet e përcjella përmes këngës “Trimat e Dardanisë”, të promovuar me mesazhe për Lëvizjen e Deçanit, të cilat, sipas përmbajtjes dhe paraqitjes së tyre publike, krijojnë përshtypjen e theksimit të dallimeve fetare ndërmjet shqiptarëve, në kundërshtim me frymën unifikuese që mishëroi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kënga e sipërpërmendur është shpërndarë mijëra herë në rrjetet sociale, faqet publike dhe platformat e ndryshme elektronike nga përkrahës dhe simpatizantë të të ashtuquajturës “Lëvizja e Deçanit”, një organizim që tash e një kohë të gjatë është shquar për promovimin e narrativave që theksojnë dallimet fetare ndërmjet shqiptarëve dhe që, sipas vlerësimit tonë, bien ndesh me frymën e unitetit kombëtar që ka karakterizuar historikisht përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.  Po ashtu, kjo organizatë është bërë e njohur në opinionin publik për përdorimin e një gjuhe konfrontuese dhe kërcënuese në komunikimet e saj publike ndaj shqiptarëve, veçanërisht ndaj pjesëtarëve të një konfesioni të caktuar fetar.

Vlerësojmë se qasje të tilla cenojnë idealin e unitetit kombëtar dhe u japin hapësirë narrativave që historikisht kanë synuar përçarjen e shqiptarëve mbi baza fetare, narrativa të cilat në periudha të ndryshme janë shfrytëzuar edhe nga politika shoviniste e shteteve armiqësore ndaj interesave kombëtare shqiptare.

Për këto arsye, ju bëjmë thirrje që, secili në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive tuaja institucionale e morale:

  • ta shqyrtoni me seriozitet këtë rast;
  • të merrni një qëndrim publik lidhur me përdorimin e uniformës, simboleve dhe trashëgimisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në aktivitete që nuk përkojnë me misionin, historinë, karakterin gjithëpërfshirës dhe idealet mbi të cilat ajo u themelua;
  • të vlerësoni përdorimin e incizimit historik të Radio Kosovës së Lirë të datës 4 janar 1999 në këtë videoklip dhe përputhshmërinë e tij me misionin dhe kujtesën historike të luftës;
  • të ndërmerrni masat e nevojshme për të parandaluar çdo keqpërdorim të simboleve, uniformës, materialeve arkivore dhe trashëgimisë së luftës çlirimtare në të ardhmen.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës historike, të vlerave të luftës çlirimtare dhe të trashëgimisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ushtri e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe simbol i unitetit kombëtar të shqiptarëve, pa dallim përkatësie fetare, ideologjike apo politike.

 _______________________________________

Sqarim nga Radio Kosova e Lirë

Drejtoria e Radios Kosova e Lirë njofton opinionin publik se nuk është dhe nuk ka qenë pjesë e asnjë organizimi politik, fetar apo të çfarëdo natyre tjetër jashtë misionit të saj informues dhe atdhetar.

Njëherësh, sqarojmë se z. Nusret Pllana, që nga qershori i vitit 1999, nuk është dhe nuk ka qenë pjesë e stafit të Radios Kosova e Lirë. Çdo paraqitje që synon ta identifikojë atë si përfaqësues të Radios Kosova e Lirë apo si zë të institucionit tonë është e pavërtetë dhe nuk përfaqëson qëndrimet e Radios Kosova e Lirë.

Po ashtu, bunkeri i njohur si vendi prej nga ka transmetuar Radio Kosova e Lirë gjatë luftës, i cili është shpallur aset i trashëgimisë kulturore nga AMMKM, aktualisht administrohet në mënyrë private nga Nusret Pllana dhe disa ish-anëtarë të stafit. Përmes veprimeve të tyre është tentuar të krijohet një narrativë që nuk pasqyron të vërtetën historike dhe që, në shumë raste, i shërben interesave personale dhe interpretimeve të njëanshme të historisë.

Gjithashtu, informojmë opinionin se në atë bunker nuk ndodhet asnjë nga pajisjet origjinale transmetuese të përdorura gjatë luftës. Pajisjet që ekspozohen aty janë imitime dhe nuk përbëjnë inventarin autentik të Radios Kosova e Lirë. Të gjitha pajisjet origjinale, me të cilat Radio Kosova e Lirë ka funksionuar gjatë dhe pas luftës, janë të konservuara, të dokumentuara dhe të ruajtura në Muzeun e Radios Kosova e Lirë, si dëshmi autentike e veprimtarisë së saj.

Radio Kosova e Lirë vlerëson dhe respekton kontributin e secilit që ka shërbyer gjatë luftës çlirimtare. Mirëpo, askush nuk ka të drejtë ta privatizojë historinë, ta monopolizojë sakrificën kolektive apo ta paraqesë veten si figurën qendrore pa të cilën, gjoja, Radio Kosova e Lirë apo edhe vetë lufta nuk do të kishin ekzistuar. Historia nuk ndërtohet mbi vetëlavdërime, por mbi fakte, dokumente, dëshmi dhe kontributin e përbashkët të të gjithë atyre që i shërbyen lirisë.

Për këtë arsye, çdo përpjekje për deformimin e së vërtetës historike, për përvetësimin e trashëgimisë institucionale të Radios Kosova e Lirë apo për zbehjen e kontributit të dhjetëra gazetarëve, teknikëve, korrespondentëve dhe veprimtarëve të saj, është e papranueshme dhe bie ndesh me faktet historike.

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: EPIZMI, KOMIKJA DHE TRAGJIKJA E REVOLUCIONIT “FLAMINGO”

Po bëhet një muaj nga shpërthimi “FLAMINGO” në qiellin e hapur shqiptar. Si për çudi …