Preng Cub Lleshi

PRENG CUB LLESHI: FAN S. NOLI DHE ATHANAS GEGA E POHOJNË QARTË ORIGJINËN MIRDITORE TË KASTRIOTËVE

Historiografia shqiptare, përpara viteve nëntëdhjetë, por edhe tani, në agimin e shekullit XXI, ka përmendur vetëm tri krahina si vendorigjina të mundshme të familjes princore të Kastriotëve: Matin, Sinjën në Dibër dhe Kastratin në Has të Kukësit, duke lënë në harresë, çuditërisht, Kastrin në Vig të Mirditës, edhe pse për këtë kishin folur, përveç historianit austriak Jakob Falmerajer, edhe historianët shqiptarë Fan S. Noli e Athanas Gega. Është kjo arsyeja që, në ditët tona, ka katër grupe studiuesish dhe historianësh që grinden midis tyre  për vendorigjinën e Kastriotëve: Grupi që  përkrah  prejardhjen matjane, grupi që përkrah prejardhjen dibrane, grupi që përkrah prejardhjen hasjane dhe grupi që përkrah prejardhjen mirditore të Kastriotëve, në mbrojtje të të cilës unë kam botuar librin “122 dëshmi dhe referenca historike për origjinën mirditore të Kastriotëve”.

     Në këtë rrafsh, është disi e habitshme që studiuesit dhe historianët shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të këtij fillimshekulli,  kur kanë folur për vendorigjinën e Kastriotëve, kanë anashkaluar, për të mos thënë kanë injoruar, dy kolosë të historiografisë shqiptare, Fan S. Nolin dhe Athanas Gegën, të cilët, drekt ose indirekt, e kanë pohuar origjinën mirditore të familjes princore të Kastriotëve legjendarë. Kjo ka ndodhur, çuditërisht, edhe në disa shkrime të kohëve të fundit, që kanë për autorë firma të njohura studiuesish dhe historianësh shqiptarë.

     Se Fan S. Noli ynë i madh  idenë e prejardhjes mirditore të Kastriotëve e shprehte qartë e prerë kur pohonte se “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia” (vepra 4, f. 67), duke shtuar se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh (për historianët-shënimi im), se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. (Po aty, f. 63)

     Dhe për kësi “lajthitjesh” studiuesi serioz i historisë mëson, bie fjala, edhe kur lexon pohimin e priftit Zef Valentini, i cili, duke bërë fjalë për historinë e Skënderbeut, shkruan se, “Sipas Barletit, projë (mbrojtës ose komandant i forcave mbrojtëse-shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të një abati të kishës së Shën-Lleshit në zonën e Matës (?!), i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit” (“Studime dhe tekste për lindjen e krishterë”, f. 24 ), ndërkohë që dihet se kisha e Shën-Lleshit ndodhet në Orosh të Mirditës dhe jo në Mat, ashtu si edhe fshati Përlat nuk gjendet në Mat, por në Mirditë.

     “Lajthitje” të tilla të disa studiuesve e historianëve tanë  duket se kanë ardhur për dy arsye: Ose sepse nuk e kanë kuptuar, ose nuk kanë dashur ta kuptojnë historianin Marin Barleti. Se, duke e lexuar me vëmendje veprën e tij, na rezulton se ai, në shumicën e rasteve, me emërtimin “Mat” ose “Aemathia”, tregon jo krahinën e Matit të sotëm si njësi administrative, por territoret në brigjet e lumit Mat e më gjërë, që i përkisnin atëherë, si edhe sot trojeve të Dukagjinëve, pra, trojeve që sot i përkasin Mirditës etnografike.                                              

     Këtë e zbulon qartë edhe një fragment i shkëputur nga libri “Antologjia e re e shkencave, e letërsisë dhe e arteve”, volumi 33, f. 383), botuar në Firencë më 1876, në të cilin thuhet se “Mati… shtrihet jo larg nga Drini dhe përbën një vend pjellor dhe të populluar, të banuar nga mirditorët e famshëm, njerëz të bukur, të guximshëm dhe të rreptë, të panënshtrueshëm ndaj çdo autoriteti. Në këtë vend lindi Gjergj Kastrioti i famshëm, i quajtur Skanderbeg”.

     Këtë të vërtetë sikur e shpalos edhe një dëshmi që sjell vetë Marin Barleti, i cili, duke bërë fjalë për përgatitjen e një beteje kundër turqve nga qyteti i Lezhës, shkruan: “Këtë ushtri Skënderbeu e ndau më dysh. Në krye të njërës vuri princin Lekë Dukagjini,…kurse në krye të tjetrës vuri Nikollë Monetën, fisnik prej Shkodre… Këta, duke drejtuar forcat, prej Lisit (Lezhës-shënimi im), përmes fushave të Matit dhe pyllit të Jonimëve (fis mirditas, që shtrhej nga Lezha në Rrëshen të Mirditës-shënimi im) do ta sulmonin armikun nga një anë, ndërsa ai vetë do ta sulmonte nga ana tjetër”. (“Historia e Skënderbeut”, botim i vitit 1964, f. 476)

     Dhe duket se  në këtë fragment, edhe emrat e personazheve historikë, edhe emrat e vendeve, na çojnë në trojet e Mirditës etnografike dhe jo në Mat! Se Lisi dhe fushat përreth tij, si edhe pylli i Jonimëve janë territore të Mirditës etnografike dhe jo të Matit. Por “lajthitjet” e studiuesve e të historianëve në shpjegimin e emërtimeve “Mat” ose “Aemathia” duket se i djeg pohimi i historianit francez Zhan Klod Faverial, i cili, në librin e tij “Historia e Shqipërisë”, f. 267, shkruan: “Mirditorët… banonin në malet përreth, dikur të quajtura Kunavia. Fshatrat e tyre, të shpërndara në luginën e Matit (e lumit Mat-shënimi im), zinin një hapësirë prej 24 lega, që nga grykëderdhja e këtij lumi e deri në burimet e tij, ndërsa kryeqyteti i tyre, i vendosur 16 lega prej Alisios (Lezhës-shënimi im), quhet Orosh”, duke shtuar se: “Kruja, e shpallur sinjori prej kontëve napoletanë, gjendet në trevat shqiptare që e marrin emrin nga lumi Mat”.

     Ndoshta ka qenë kjo arsyeja që Fan S. Noli ynë i madh i ka vënë në dyshim që heret tezat që i bëjnë Kastriotët me origjinë nga Mati, nga Dibra apo nga Kastrati i Hasit a i Shkodrës. Këtë e bënte kur shkruante se “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”. (vepra 4, f. 64) Këtë e bënte edhe kur, si gjuhëtar, shtonte se “Etimolgjikisht, është shumë e rëndë të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”. (vepra 4, f. 66) Dhe hipotezën mbi origjinën hasiane të Kastriotëve e rrëzon edhe fakti historik që, në shekullin XV, edhe Hasi shtrihej brenda territorit të Principatës së Dukagjinëve, e cila ishte treva e Mirditës etnografike në atë përiudhë historike.

     Për këtë na bind konkluzioni, që vjen në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985, f. 362, sipas të cilit “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre-Dukagjin”. Dhe çështjen e emërtimit “Kastrat” sikur e bën fare të qartë historiani kroat Milan Shuflay, kur na dëshmon se “Edhe fillimi i fiseve të sotme shqiptare është prej shekullit XV, por edhe prej shekullit XIV” (“Serbët dhe shqiptarët”, f. 150), duke shtuar se “Kastratët, embrioni i të cilëve ishte afër rrënimeve të “taborit” romak pranë rrënojave të Kastrës, në vitin 1559, banonin mbi (vijën-shënimi im) Shkodër-Orosh”. (po aty)

     Edhe hipotezën që i bën Kastriotët me  origjinë nga “Dibra e Poshtme” sikur e rrëzonte edhe historiani Marin Barleti, kur, duke rrëfyer për një vizitë të Gjergj Kastriotit në krahinat e zotëruara prej tij, në vitin 1451, kur sapo ishte martuar, shkruan se “Duke shёtitur kështu me kalë dhe duke këqyrur me kujdes gjithë vendin me radhë, Kastrioti erdhi në Dibër të Poshtme, në prag dhe gati mu në kufi të mbretërisë së vet, në vendin ku, sidomos barbarët, e kishin zakon të mësynin Epirin dhe t’u rrëmbenin fshatarëve gjënë pa u dënuar, duke i shtypur të pambrojtur”. (“Historia e Skënderbeut”, botim i vitit 1964, f. 293

     Dhe Fan S. Noli i madh sikur i orientonte historianët e të ardhmës në kërkim të të vërtetave historike për vendorigjinën e Kastriotëve, kur u kujtonte atyre se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”-shënimi im) e quajnë përrallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre…tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri” (vepra 4, f. 66), tezë që, pas Perandores së Rusisë Katrina Grosse, ose Katerina II, e kishte hedhur edhe historiani austriak Jakob Falmerajer, kur shkruante se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”. (“Elementi shqiptar në Greqi”, f. 167))

     Por drejt Kastrit, si vendorigjina e Kastriotëve legjendarë, na çon, me shumë qartësi, edhe historiani Athanas Gega, të cilin Fan S. Noli e quante “njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut”. Në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti”, ky historian dëshmon qartë se “Kastriotët zotëronin….territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren” (f. 44), duke shtuar se “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”. (f. po aty)

     Mbi bazën e dëshmive të mësipërme, ky historian, na tregon se Dukagjinët dhe Kastriotët jetonin pranë e pranë, në të njëjtat territore. Këtë historiani e bën të qartë edhe kur pohon se “nuk mund të përcaktojmë me  saktësi kufijtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve” (po aty), si edhe kur dëshmon se “Në kohën e Balshajve Dukagjinasit dhe Kastriotët u shpronësuan nga pasuritë e tyre”. (f. 45)

      Dhe gjërat i bën më të qarta kur shkruan se “Pas rrëzimit të Balshajve, Kastriotët i shtrinë pronat në verilindje të Shkodrës, zunë një pjesë të Mirditës, duke u lënë në perëndim Zadrimën Dukagjinasve dhe zbrisnin në jug, në vazhdim të lumit Drini i Zi, deri në Mat ose Aemathia” (f. 45), treva që tregojnë trojet e Mirditës etnografike.

     Më tej Athanas Gega, ky njohës i thellë i historisë së Heroit tonë Kombëtar, u vë kurorë mendimeve të tij, kur shkruan se “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës-shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. (f, 44)

     Ky pohim lapidar, çuditërisht, edhe pas vlerësimeve të Fan S. Nolit për historianin Athanas Gega, u kalua në heshtje deri edhe nga qarqet akademike shqiptare, siç po kalohet në heshtje edhe në ditët tona, bile edhe nga ndonjë studiues serioz i historisë së Shqipërisë.

     Dhe kjo ndodh, çuditërisht, edhe kur parashtrimet e këtij historiani vijnë, pothuaj, në përputhje të plotë me pohimin e më të madhit historian shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX, Aleks Buda,  i cili dëshmonte qartë se “Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, d.m.th, përfshinin trevën në jug të lumit Drin, Mirditën e Lumën”. (“Shkrime historike”, f. 201)

     Këtë sikur e miraton edhe historiani francez Zhan Dysylje, kur, si duke perifrazuar historianin e shquar Aleks Buda, pohon qartë se “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. (Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, v. II, f. 100) Dhe çështjen e bën të qartë edhe Rilindasi i shquar Preng Doçi, i cili u tregon pasardhësve se “Lezha ka bërë pjesë, sikurse edhe sot (1885-shënimi im), në trevën e Mirditës, që lufton nën shenjën e Gjergj Kastriotit dhe qe cep i Dukagjinëve”. (“Flamuri i Arbrit”m f. 114)

     Dhe që Mirdita është vendorigjina e Kastriotëve na e dëshmojnë edhe shumë autorë shqiptarë, të  cilët kujtojnë letrën që Gjon Kastrioti i dërgonte Papa Grigorit VIII, më 3 prill të vitit 1407, me anën e së cilës  i kërkonte kthimin e 12 kishave, që, siç thoshte Gjon Kastrioti,  “i përkasin Peshkopatës Arbanense prej 800 vitesh”. (A. Meksi, “Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë”, Gazeta Shqiptare, 27.09.2018).

     Kjo dëshmi merr vlerë dokumentare të padiskutueshme, kur studiuesit na njohin edhe me letrën e datës 23 maji 1407 të Papa Grigori VIII,  me anën e të cilës “Ati i Shenjtë kërkon që peshkopi i Lezhës dhe të tjerët të tërhiqen ndryshe… nuk do të mund të presin falje nga Selia Apostolike”. (A. Meksi, “Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë”, Gazeta Shqiptare, 27.09.2018).   Në këtë rrafsh, tingëllon si shumë absud mendimi i ndonjë studiuesi që vë në dyshim vërtetësinë e dëshmive të Gjon Kastriotit për pronësinë e tij mbi 12 kishat e Peshkopatës së Arbrit, qendra e së cilës ishte në Mirditë. Se ka edhe dokumente të tjera që e sjellin, në forma të ndryshme, këtë të vërtetë.

      Sidoqoftë, për të mos u zgjatur me shumë nga këto dokumente, po u kujtojmë dashamirësve të historisë se edhe akademilu Kasem Biçoku, në shkrimin “Kastriotët me Dardaninë”,  duke folur për një letër të Gjon Kastriotit të 25 shkurtit të vitit 1420, dëshmon që “Në të është treguar se, duke u nisur nga perëndimi për në lindje, zotërimet e Gjon Kastriotit shtriheshin nga Shufandaja, që ishte port dhe qendër doganore e Gjon Kastriotit në grykëderdhjen e lumit Mat dhe arrinin deri në Prizren”, të cilat, siç dihet, ishin trojet e Dukagjinit të shekullit XV, zemra e të cilit ishte Mirdita.

     Dhe të vesh në dyshim vërtetësinë e këtyre dëshmive që sjell akademiku ynë, mbështetur në dokumente autentikë, na duket paradoksale, ose, më saktë, e pabazuar shkencërisht. Se drejt kësaj të vërtete sikur çon edhe  historiania turke Nuray Bozbora, e cila, në librin  “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, f. 75, shkruan se “Gjon Kastrioti, kreu i familjes Kastrioti, … njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …