Preng Cub Lleshi: Lufta kundër gjuhës shqipe, zonja Shamku, do të përfundojë si farsë, si turp!

Kur lexova titullin “Ndryshimet në gjuhë? Po e gjymtojnë e po e mpijnë”, të formuluar nga Ledi Shamku Shkreli, pata provuar një ndjenjë kënaqësie. Më në fund, thashë me vete, ndryshe nga shumë intelektualë shkodranë antistandard, doli një zonjë e zgjuar në mbrojtje të gjuhës themelet e së cilës qenë hedhur në Kongresin e Drejtshkrimit. Por, zhgënjehem kur konstatoj se edhe kjo zonjë, si ca kolegë të saj në Shkodër e Prishtinë, në opinionet e saj flet për “palët ndërluftuese”, pro dhe kundër standardit, për “lagjen e akademikëve të Prishtinës” dhe “lagjen e akademikëve të Tiranës”, dhe për dy metodologji të kundërta në studimet rreth problemeve të shkencës së gjuhësisë në ditët tona. Ca më tepër më çuditi legjenda për Likurgun dhe “konkluzionin i saj”, “gjuhësia shqiptare është sot institucioni i fundit i padekomunistizuar”.

 

“Hajde Doktoreshë e Shkencave”, thashë me vete! “Edhe ti paske hyrë në luftë kundër gjuhës së njësuar me ‘armën e ndryshkur të antikomunizmit’”?!. Nuk thoshte kot Bokaçioja: “Dashuria (pra edhe urrejtja) nuk njeh këshilla dhe arsyetime”. Kjo më ngjau edhe mua kur lexova shkrimin e saj, “Farsa e profesorëve postkomunistë”, në të cilin përpiqet të denigrojë 20 firmëtarët e letrës drejtuar kryeministrit për t’iu kundërvënë përdhosësve të gjuhës së njësuar, të grumbulluar në të famshmin Këshill Ndërakademik të Gjuhës Shqipe. Si njëri nga firmëtarët e kësaj letre, i zhgënjyer nga stili mjeran i shkrimit të saj e i revoltuar nga tendenca për të hedhur baltë mbi një epokë të tërë historike, siç ishte ajo e gjysmës së dytë të shekullit njëzet, vendosa ta shkel “këshillën” e Kanunit të Lekë Dukagjinit që “të mos zihem me gratë”. Këtë e bëra, sepse kjo zonjë nuk është një femër dosido, por një doktoreshë në shkencat gjuhësore, që rreket t’u japë mësime “profesorëve postkomunistë”.

 

Duket se e ka “gjetur” armën për t’i “mundur” e bile, për t’i tallur këta “profesorë postkomunistë”, duke cituar tezën Marksit, sipas së cilës: “Historia përsëritet gjithnjë dy herë. Herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë”. Duke menduar se i ka mundur “profesorët postkomunistë” dhe duke iu gëzuar farsës që po luhet me gjuhën tonë këto vitet e fundit, flet me fjalorin e një antishqiptareje: “Më mirë kështu! Pas kësaj shpërfaqjeje vulgare, gjuhësia shqiptare ka tani një tjetër shans të dekomunistizohet”.

 

Konkluzioni i zonjës Ledi, sipas të cilit “Gjuhësia shqiptare është institucioni i fundit i padekomunistizuar”, më bëri t’i kujtoj kësaj zonje mendimin e peshkopit amerikan, Bernard Xh. Shell, shprehur në vitet ‘50-të të shekullit të kaluar, sipas të cilit: “Në ditët tona antikomunizmi është bërë mburoja kryesore e të poshtërve”! Por, duke e lënë këtë peshkop të pushojë pak në fantazinë e zonjës Shamku, na mbetet të dëgjojmë edhe “do përralla” të saj mbi “formën” e letrës së firmëtarëve, e cila, për dreq, ia paska trazuar shpirtin e ndjeshëm poetik. Kjo letër qenka “shkruar e gjitha në ligjërimin e drunjtë”, të cilin Ledi e quan me emrin e çuditshëm “shqipja totalitare”, e cila i kujtuaka “fondin e arkivave të KQ të PPSH-së” a “Fletërrufetë” e viteve të socializmit! Ideja e firmëtarëve se, “Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur ‘Ndërakademik’ ka hyrë në një rrugë të rrezikshme”.

 

Kjo e vërtetë i brof përpara syve si një fjali “që kutërbon të njëjtën duhmë kalbësie si fjala e dikurshme, veprimtaria e rrezikshme e armikut të klasës”. Kjo zonjë flet jo si gjuhëtare, por si politikane e frymëzuar nga doktrinat antikomuniste, por stili i saj mjeran i mbushur me plot përralla antikomuniste, jo thjesht na ngjall “krupë”, siç shprehet ajo në të famshmen “përgjigje”, por na duket i pështirë! Një zonjë me kulturë nuk mund të flasë me zhargonin e plakave injorante antikomuniste të viteve ‘50 të shekullit të shkuar! Ca më tepër, një zonjë me kulturë, nuk do të guxonte të fliste me përçmim për “profesorët postkomunistë”, duke thënë se gjuha e firmëtarëve “ka mbetur ende në diktaturë”. Por për mbrojtjen e standardit të gjuhës sonë letrare kombëtare, nuk janë vetëm këta “20 firmëtarë”!

 

Ajo duhej ta kishte njohur zemërimin e Artistit të Popullit Reshat Arbana, i cili deklaron se: “Të prekësh shqipen dhe elementët tanë të identitetit është krim”! Në qoftë se kësaj zonje nuk i hyn në sy ky artist i shquar i skenës shqiptare, duhej të kujtonte edhe kolosin e kulturës shqiptare Rexhep Qosja, i cili, si firmëtar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, i ka kundërshtuar me kohë përpjekjet e disa gjuhëtarëve me mendësi krahinore për ta zëvendësuar standardin e sotëm të gjuhës shqipe me një standard hibrid! Akademiku i shquar mbrojtjen e gjuhës së njësuar nuk e ka bërë dhe nuk e bën duke u nisur nga pikëpamje të caktuara politike e ideologjike, por duke u nisur nga kritere shkencore. Ai, pasi kundërshton përrallën antikomuniste se “gjuhën e ka bërë politika” e se “gjuhën e njësuar e ka bërë Enver Hoxha”, thotë të vërtetën e madhe se “gjuhën standarde e kanë bërë gjuhëtarët shqiptarë si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, babai i gjuhës standarde Androkli Kostallari etj.”.

 

Po me sa duket, nuk do t’ia dijë për këto të vërteta, të cilat i njohin mirë shqiptarët e kulturuar të ditëve tona. Në shkrimin e saj protestues kundër 20 firmëtarëve që i kërkojnë Kryeministrit të Shqipërisë mbrojtjen, konform ligjeve, të gjuhës sonë letrare kombëtare, vetëm përsërit e stërpërsërit ato që ka thënë e stërthënë Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe këto vitet e fundit. E ther në zemër ajo “ë”-ja e patheksuar te fjalët “anëtar”, “Shqipëri” e të tjera, siç e ther në shpirt edhe shumësi me “nj” te fjalët “ullinj”, “lumenj” e të tjera, sepse këto forma qenkan tipike për toskërishten! Kaq shumë i dhemb zemra kësaj zonje për gjuhën shqipe, sa i akuzon firmëtarët e letrës drejtuar kryeministrit se “duan ta ngrijnë shqipen, ta mumifikojnë e ta trajtojnë atë si monument muzeal kulturor…”.

 

Por mendjet më të ndritura të kulturës sonë gjuhën e njësuar, që mori formën e plotë në Kongresin e Drejtshkrimit, e kanë quajtur dhe e quajnë, një monument të kulturës shqiptare! Siç edhe e konsideron edhe sot gjuhën e njësuar, shkrimtari Milazim Krasniqi, pasi theksonte se: “Kushdo që sot angazhohet për rikthim në dialekte, për çmontimin e gjuhës standarde, angazhohet jo kundër një trashëgimie të regjimit enverist, por kundër vizionit nacionalist shqiptar për një gjuhë unike kombëtare”! Ja përse teza e Ledi Shamkut për “dekomunistizimin e gjuhësisë shqiptare” dhe epitetet denigruese të saj për gjuhën e njësuar si një “gjuhë e drunjtë”, si “shqipe totalitare” a “ligjërim totalitar”, është një tezë sa antishkencore, aq edhe antikombëtare, kur dihet se gjuha nuk ka karakter klasor! Zonja Ledi e ka filluar letërpërgjigjen për “20 profesorët postkomunistë” me tezën e Marksit.

 

Po i themi Doktoreshës sonë: “Mirë e ke, zonja Ledi! Lufta kundër gjuhës nga ju është një tragjedi, e cila do të përfundojë si farsë, si turp për ata që e filluan këtë luftë të palavdishme kundër së shenjtës gjuhë amtare”!

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …