Preng Cub Lleshi

Preng Cub Lleshi: Luljeta Bozo nuk foli si komuniste, por tha disa të vërteta historike

shte një gjetje e bukur e Partisë Socialiste propozimi i zonjës Luljeta Bozo si kandidate e kësaj force politike për në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo gjetje e mençur, si edhe të tjerat, sikur i tërboi forcat politike të të djathtës shqiptare. Se një intelektuale e tillë e shquar i sfidonte edhe “yjet” e opozitës sonë laramane. Dhe, si edhe për kandidatura të tjera të të majtës shqiptare, opozitarët djathtistë e gjetën një “shkak” për ta sulmuar këtë kandidaturë: Luljeta, në bashkëbisedim me elektoratin paska lavdëruar përparimin e Shqipërisë në vitet e socializmit, kur udhëhiqte PPSH me Enver Hoxhën në krye. (?!) Flamurin e protestës kundër kandidimit të Luljeta Bozos nën siglën e Partisë Socialiste e rroku drejtuesja e Institutit për Demokraci (?!), Media dhe Kulturë, e, njëherazi, shkrimtarja dhe pedagogia Jonila Godole, pas deklaratës së kësaj inxhiniereje të shquar se “Enver Hoxha ka sjellë më shumë të mira se të këqija” dhe se “Komunizmi kishte më shumë gjëra të mira, se të këqija”. Por intelektualja e shquar me këto pohime nuk po bënte propagandë komuniste. Ajo, thjesht, po dëshmonte ca të vërteta të mëdha historike, të cilat i njohin mirë jo vetëm shqiptarët moshatarë me Luljetën, po edhe ata që në ditët tona e kanë mbushur gjysmëshekullin e jetës së tyre. Se, midis të tjerave, Luljeta Bozo pohonte ca të vërteta të mëdha historike për Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, të vërteta që i kanë njohur jo vetëm shqiptarët, por edhe personalitete të shquara të Europës Perëndimore e më gjerë.

“Ishte shteti i diktaturës së proletariatit, pohonte ajo para zgjedhësve, që mundësoi realizimin e arritjeve të tilla, aq sa bota e zhvilluar kapitaliste e diktatura e borgjezisë kishte realizuar në shekuj të tërë me ndihmën e vjedhjeve, grabitjeve, kolonializimit e skllavërimit të botës së tërë”.

 Dhe u shkonte më thellë këtyre të vërtetave, kur pohonte se “Ishte ai sistem, ai shtet, me në krye Enver Hoxhën, që mundësoi daljen nga errësira shekullore e mesjetare dhe nga 800 mijë analfabetë mesjetarë, që ndriçoheshin me kandil në vitin 1945, arriti në 3. 5 milionë banorë, popullsi tërësisht e shkolluar”. Është kjo arsyeja që shqiptarët me njohuri mesatare për historinë e Shqipërisë të gjysmës së dytë të shekullit XX, e pyesin shkrimtaren antikomuniste Jonila Godole, që e paditi Luljeta Bozon se, me ato që tha para zgjedhësve, “bëri propagandë komuniste”: “Edhe të vërtetat historike që lidhen me faqet më të ndritshme të kësaj periudhe, që u shkruan me gjakun dhe djersën e popullit shqiptar nën udhëheqjen e PPSH me Enver Hoxhën në krye, ju i konsideroni “propagandë komuniste””?! Se me këtë gjuhë fliste edhe kryeprifti shqiptar Fan S. Noli kur shkruante: “Diell i flaktë ishte Guberna Demokratike e Enver Hoxhës, e cila, pa asnjë dyshim, është e fortë edhe brenda edhe jashtë…se, përveç veprave konstruktive, ka mundur të zbatojë reformën agrare me rrënjë dhe ta transformojë Shqipërinë nga një çiflik i bejlerëve, në një tokë të fshatarëve dhe të punëtorëve; …se, për herë të parë në histori të saj, Shqipëria e vogël qëndron ballëpërpjetë dhe di t`ua japë xhevapin gjithë kapadainjve që i bien në qafë”. (v. 3, f. 379).

 

E, nëse kjo zonjë dhe antikomunistët e tjerë shqiptarë si ajo, që përbëjnë “lëndën e parë” të opozitës së sotme në Shqipëri, e quan komunist dhe jo historian, poet, përkthyes e politikan Fan S. Nolin, po i kujtojmë asaj dhe antikomunistëve të tjerë pohimin, po kaq lapidar edhe të ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush, i cili shkruante: “Për mua Enveri është idhull dhe kam mësuar shumë nga ai se si duhet kombi dhe atdheu”. Dhe, më tej, shtonte: “Ai… ishte një udhëheqës i madh, që udhëhoqi për 45 vjet dhe zgjoi një popull, duke e rreshtuar midis popujve të emancipuar dhe të zhvilluar”. Po ja që pohimet e Fan S. Nolit e të Xhorxh Bushit, idetë e të cilëve përcillen edhe nga personalitete të tjera të shquara të kontinentit europian e më gjerë, me sa duket, nuk i njihte as shkrimtari tjetër antikomunist, Pëllumb Kulla.

Kjo duket qartë në sulmin që i bëri ky shkrimtar analistit dhe publicistit Fatos Tarifa vetëm sepse ai u vu në mbrojtje të personalitetit të zonjës Luljeta Bozo. Kjo ndodhte sepse, siç pohonte publicisti ynë, në një shkrim të gazetës “Dita”, “për një subjekt si ai që diskutohet (Partia Socialiste-shënimi im), shqiptarët sot mbetën po aq të ndarë, në mos edhe më shumë, se sa dyzet apo tridhjetë vite më parë”, pra në pinjollë të bashkë punëtorëve të pushtuesve fashistë dhe në mbështetës të atij pushteti që lindi nga zjarri i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ky konstatim i publicistit tonë verifikohet lehtë duke ndjekur shumë pohime absurde të ca “partizanëve” të të djathtës shqiptare, të cilat përsëritën e stërpërsëritën tash tridhjetë vite. Se, sipas tyre, “29 Nëntori nuk është dita e çlirimit nga pushtuesit” (?!), por “Dita e pushtimit nga komunizmi”. (?!) Dhe vazhdojnë kërrakërritjet e korbave antikomunistë kur, në studio të ndryshme televizive, krahas thirrjes alogjike “Rama ik”, lëshojnë edhe thirrjet naziste “Poshtë komunizmi!” (?!) e deri edhe “Vdekje komunizmit!” (?!) Është kjo arsyeja që, duke i dëgjuar këto britma histerike edhe gjatë kësaj fushate elektorale, shqiptarët e ndershëm nuk mund të mos kujtojnë një anekdotë historike, e cila na vjen nga mesi i shekullit XX. Se ajo u tregon atyre një të vërtetë historike. U tregon se, kur e kanë pyetur Hitlerin se cilët janë njerëzit më të poshtër me të cilët je takuar, është përgjigjur: “Nuk kam parë më të poshtër se ata që më ndihmonin të pushtoj vendet e tyre”.

 Këtë ide sikur e përcillte edhe peshkopi amerikan Bernard Xh. Shell, kur shkruante: “Thonë se të poshtrit shfrytëzojnë parullat patriotike për të mbuluar paudhësitë e veta. Në ditët tona antikomunizmi është bërë arma kryesore e të poshtërve”. Dhe merret vesh se dukuri të tilla mbante parasysh edhe shkrimtari antikomunist Ismail Kadare, i cili shkruante: “Kur vetakuzimi teprohet, nuk është më regjimi që nxihet, por tërë kombi; dhe, kur hidhet shumë baltë, dhe kur shkatërrimi nis t`i shkulë rrënjët jo vetëm komunizmit, por krejt Shqipërisë, kjo është për të vënë alarmin”. (“Zëri i Popullit”, 04. 03. 1992) Por antikomunistët shqiptarë, të cilët përrallisin nga mëngjesi në darkë për “krimet e diktaturës komuniste” i bën me turp edhe Todi Lubonja në një intervistë të tij. Se ai edhe pse i dënuar nga ish-partia ku ai kishte milituar, pati burrërinë t`i dëshmonte të vërtetat historike që i kishte jetuar vetë. Se ai, duke folur për Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, për Shqipërinë e viteve të socializmit, deklaronte: “Arsimi, shëndetësia, bujqësia, industria, arti, kultura, ushtria etj., të gjitha fushat patën zhvillim e përparim”. (“ZËRI i POPULLIT”, 06. 09. 1996).

Këto dëshmi historike duket se i ka njohur kandidatja për deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Luljeta Bozo, kur, edhe pse shkruante se “Diktaturën komuniste e dënoj me forcë (?!) dhe Enver Hoxha, padyshim, ishte një diktator, shtronte pyetjen: “Le të na thotë ndonjë nga ata që janë shpallur si antikomunistë, se çfarë i ka sjellë në këto 30 vjet antikomunizmi i tyre shumicës së shqiptarëve”? “A mund të na thotë njeri se këto 30 vjet nuk kemi jetuar nën diktaturë, ndonëse jo komuniste, që i bie që të jetë fashiste”? Dhe, pas kësaj pyetjeje therëse, intelektualja e shquar, Luljeta Bozo lëshonte një thirrje të mençur për të gjithë shqiptarët atdhetarë: “Mos u merrni me “Gogolin komunist”, kur çakalli feudal dhe diktatorial po na ha të gjalle”!. Se “antikomunistët më të zinj e më të betuar janë nazi-fashistë”! Ky realitet i kohës që jetojmë e kishte “orientuar” një qytetar atdhetar që, në një status të tij në Facebook, të shkruante: “Shqiptarët janë kaq inteligjentë, sa të mos e këmbejnë socializmin me fashizmin”! Dhe këtë zë të mençur do ta kenë dëgjuar shqiptarët atdhetarë në prag të 25 prillit, ditës së zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Ekonomia e vendit po shkon drejt fundosjes

Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka mbajtur Konferencë për media, ku ka njoftuar opinionin lidhur …